
Unë do të luftoj që Shqipëria të bëhet dhe ne të jetojmë këtu. Të ruajmë varret e të parëve e të pleqërojmë këtu...
Fshehur pas xhamave të një makine, pasi kishin bërë roje gjithë ditën, zunë pusi dhe më gjuajtën pas shpine. Fshehurazi! Paburrërisht! Paturpësisht! Fiks gjallesa të pabesa, pa atdhe, pa din, pa iman.
A thua e dinë këta qafirë se unë kam provuar edhe burgun, edhe hekurin, kur kam thënë të vërtetat e kësaj Shqipërie. Dhe nuk jam ndalur për asnjë çast, për asnjë ditë.
Unë e di që lufta ime është e vështirë. Ndoshta më e vështira nga të gjitha. Sidomos në një vend si Shqipëria ku krimi bën ligjin, paraja e pistë rëndon xhepin e fukarait, korrupsioni i bën karshillëk ligjit, ku i forti vendos e i dobëti thyhet, ku rinia ikën dhe nëpër shtëpitë e shqiptarëve kanë mbetur vetëm pleq, ku drejtësia është zënë rob e po jep shpirt, ku bijtë e kriminelëve vrasin e rrahin ditën për diell e plumbi kërcet nga s'e pret.
Në vende si Shqipëria, e vërteta është e vështirë. Për shumëkënd ndoshta e pamundur.
Por njeriu jeton, jo se merr frymë. Njeriu jeton sepse ka ideale e nder, ka mision e qëllim në jetë. Jeton kur është i gatshëm të sprovohet nga jeta e të luftojë deri më fund për ç'ka beson.
Prandaj nuk më ndalni dot! As sot, as kurrë, as deri sa të kem frymë.
Unë do ti them të vërtetat e këtij vendi çdo ditë. Do ta luftoj korrupsionin me armën e vetme qe posedoj: fjalën dhe të vërtetën. Do të luftoj për drejtësinë; për atë të varfrin që s'ka as të drejtë fjale e as mundësi jete: për atë plakun që gdhihet e ngryset me sytë nga dera e qindarkën e fituar me djersën e bijve të vet; do të luftoj për ata të rinj e të reja që kanë ikur, por sytë e zemrën i kanë lënë këtu; do të luftoj për fëmijët e mi që ata ta ndërtojnë jetën këtu. Do të luftoj deri në frymën e fundit që bija ime, ende fëmijë, të jetë krenare për mua!
Unë besoj në luftën time!
Prandaj nuk më ndalni dot! As dje, as sot, as kurrë!/Pamfleti
Lini një Përgjigje