Edi, kuptohet që s’ka asgjë të përbashkët me politikën serbe. Ai vetëm nuk e kupton atë. As gazetari gjerman nuk e kupton...Edin!
E di që tani, nuk doni të dëgjoni asgjë tjetër nga Kosova, përveç asaj çfarë ndodhi në manastirin e Banjskës. Nuk erdhi befas, krejt ngjarja ishte e paralajmëruar me deklarata politike. Siç do të thoshte Adem Demaçi i ndjerë, me deklarata “poshtë e përpjetë”.
Derisa të tjerët, gazetarët, agjenturat apo palët në konflikt, ata që e kanë informacionin profesion po merren me Banjskën, manastirin, pelegrinët, të vrarët, të ikurit dhe ngjarjen; unë po merrem me deklaratat “poshtë e përpjetë” të politikanëve.
Por, kësaj radhe nuk ishte vetëm fjalë mediash. Lëvizën tanket, topat, raketat, lëvizi edhe BE, Pentagoni..., u bë e madhe kjo punë.
Humbën jetën së paku katër veta, të gjithë kosovarë.
Kosova shpalli ditë zije për policin e vrarë, ndërsa Serbia shpalli ditë zije për vrasësit e policit, ndërkohë që BE dhe SHBA presin prej tyre të normalizojnë marrëdhëniet.
Çfarë po ndodhë në Serbi?
Përse e nxori planin e sulmit Presidenti Serb? Kush po e udhëheq Serbinë?
Po Edi Rama përse paralajmëroi të keqen?
Edhe rrjedha e fjalëve e ka një kronologji.
Llafet e Aleksandrit, Edit dhe “Zveçles” e përcollën krejt këtë situatë.
Në fakt lexohet Sveçla, por gazetarët shqiptare nuk dinë të lexojnë shqip emrin e Ministrit Sveçla, i cili e kërcënoi me burgosje Presidentin e Serbisë, pasi ky i fundit paralajmëroi se së shpejti do të vinte në Kosovë.
“Mund të vish vetëm me lejen e Albinit” i tha, “përndryshe të vë prangat”.
Pastaj, foli edhe Edi dhe paralajmëroi dramën, të keqen. Premtoi se do të jetë me Kosovën. Pastaj i ndërroi fjalët dhe tha, “me ju është KFORI”.
Ku mbeti Rama, kur u bë keq në Kosovë?
Po Aleksandri përse nuk erdhi?
Si ishin fjalët? Po planet?
Dinte gjë Edi për planet serbe?
Apo sikur nuk flasin kohët e fundit, këta të dy? Presidenti serb duke folur në mediat serbe, la të kuptohej se Edi di të gënjejë me raste...
Pastaj të gjithë ranë në një fjale, sërish.
Edi tha, KFORI duhet ta marrë kontrollin në veri. Ndërsa Presidenti i Serbisë tha, se Veriun e Kosovës duhet ta marrë nën kontroll KFORI. Ky kërkoi që nga veriu të largohen njësitë speciale të Kosovës. Këtë nuk e kërkoi edhe Edi. E la të nënkuptohet...
Pastaj Edi përmendi edhe konferencën ndërkombëtare për Kosovën. Edhe Vuçiç do konferencë. Pra largimi i Kosovës nga veriu, kontrolli ndërkombëtar dhe ...konferenca. Duket si plan.
Por perëndimi nuk do konferencë, nuk do që KFOR-i të merret me punë policie. KFORI ka mision të mbrojë kufijtë nga jashtë dhe kur e bën të qartë këtë, Serbia solli ushtrinë në kufi.
Pastaj, SHBA kërkuan nga Serbia të heqë menjëherë ushtrinë dhe armatimin e rëndë nga kufiri me Kosovën! Por të kthehemi te Edi.
E shihni pra, të gjithë flasin për palët që kërcënojnë me luftë, ndërsa unë shqetësohem për Edin. Është zemëruar me ne, kosovarët, Edi. “Më quajnë vëllai i Vuçiçit”, ankohet.
Në fakt, kjo vëllazëri ballkanike, nuk është ide e jona. Pati lindur spontanisht nga presidenti Erdogan, i cili politikanët ballkanikë i quante me radhë vëllezër, duke filluar nga ish presidenti Thaçi, Presidenti serb Vuçiç, Edin e quante po ashtu vëlla; me një fjalë të gjitha vendet të cilat dikur për shekuj ishin pjesë e perandorisë otomane, doli të jenë vëllezër. Jeniçerët, njësitë elitë të perandorisë ishin gjaku ynë i përzier.
Por, shekujt ecën, perandoria u fik, e rrëzoi vetveten me përmasat dhe peshën e saj, dhe mbeti shumëçka e përbashkët në kokat e politikës serbe, shqiptare, turke. Pastaj çfarë të keqe ka nga vëllazëria, a nuk jemi vëllezër të gjithë, qysh nga Ademi dhe Hava, apo nga evolucioni ... sido që ta marrësh.
Në rregull, Edi me raste na bënte për të qeshur, kur e quante vëlla presidentin turk, pastaj atë serb, por ish presidentin Thaçi e quante ... mik. Dikush qeshte, dikush qante e dikush shante. Prandaj duhet kujdes me shakatë, edhe me deklaratat. Është problem kur ato përputhen me Vuçiçin, por jo edhe me Kurtin.
Pra skenari ishte gati, Ishin ndarë edhe rolet. Sipas Presidentit serb, Milan Radojçiç do të merrte rolin e Adem Jasharit, ndërsa Manastiri, ishte përzgjedhur për shesh xhirim.
Xhirimi do të bëhej me satelit ose me dron. Pamjet do të përshkonin planetin dhe ... .
Por, nuk funksionoi, plani. Planet perfekte në përgjithësi nuk funksionojnë, pasi njeriu nuk bën dot, një plan perfekt. Ky është biznes i zotit. E Zoti në përgjithësi nuk përzihet në politikë, së paku jo në Evropë. Edhe kur thonë se e kanë Zotin në krah, nuk nxjerrin dot prova se e kanë me vete.
Mbetet enigmë përse Presidenti serb e paralajmëroi se së shpejti do të vizitojë Kosovën? Po shpresonte që plani perfekt do të kishte sukses, ushtria dhe policia do të kthehej në Kosovë dhe vetë Presidenti serb do të vinte për ta uruar “Dodikun” kosovar?
Apo vetëm donte t’i ngrinte nervat “Zveçlës”?
Po Edi përse na e paralajmëroi të keqen? Dinte gjë Edi për planet serbe? Ishte zemëruar me dikë, Edi? Me gazetarin Gjerman? Mediat raportojnë se gazetari i njohur gjerman e paska lavdëruar fort Edin.
“Edi Rama është padyshim kryeministri më i mirë që ka pasur Serbia që nga Nikola Pashiç” – paska shkruar Michael Martens. Është në vete ky?
Do të thosha eh, “Gjermanët e trashë” duke ju referuar serialit të famshëm kosovar të pasluftës. Por nuk janë të trashë, gjermanët. Thonë se ata e dekoduan mesazhin e Vulin-it, që urdhëronte sulmin në veri.
Edi, kuptohet se s’ka asgjë të përbashkët me politikën serbe. Ai vetëm nuk e kupton atë. As gazetari gjerman nuk e kupton...Edin!/Pamfleti
Lini një Përgjigje