
Në publik mban një 'qyrk' gjysmë perëndimor, edhe pse çitjanet nuk i heq nga trupi, për të treguar se i ka simbolikë e shallwareve të vjetra.
Arjan Çani, i cili tashmë është i ekspozuar si përkrahës i politikës greke, tha një fakt interesant që ja vlen që të diskutohet.
Ai tha se "Athina e konsideron Tiranën e Edi Ramës si një Turqi të dytë në Ballkan". Një provokacion në dukje, por që i parë në detaje, ka mjaft arsye për të analizuar.
Edi Rama, kur humbi zgjedhjet e vitit 2009, që ishte një goditje e rëndë për të, bëri një zhvendosje shumë të fortë.
U lidh direkt me Rexhep Taip Erdogan, pikërisht kur pa se impakti i tij në inagurimin e tunelit të Kalimashit, ishte një nga faktorët që solli fitoren e Sali Berishës.
Pikërisht, në qershorin e vitit 2009, tre ditë pas zgjedhjeve, Edi Rama ka shkuar me një mision sekret ne Stamboll ku ka takuar një njeri të afërt i Erdoganit, i cili i ka bërë të ditur se marrëveshja e Sali Berishës me Kostas Karamanlis për detin ishte një dëm i madh jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Turqinë.
Në atë diskutim, ku thuhet se ka qenë prezent edhe krahu i djathtë i Erdoganit, Ibrahim Kallen, Ramës i është kërkuar arkadashllëku afat gjatë. Dhe ai ka pranuar.
Prova e parë, ka qenë kërkesa kundrejt Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar Marrëveshjen e Detit Tiranë-Athinë. Ku PS ka lobuar në masën 30% e pjesën tjetër Ankaraja.
Ishte koha kur Athina po përjetonte situatën më të rëndë të historisë së saj ekonomike e politike, e këtë Rama e shfrytëzoi fort, ndërkohë që Ankaraja ishte në një ofensivë të zhvillimit ekonomik.
Pas kësaj gjithçka është kronikë.
Në 2013, Edi Rama firmosi me Edoganin marrëveshjen strategjike, e cila që prej asaj kohe e ka kthyer Tiranën, një shtojcë politike të Ankarasë.
Realisht sot Shqipëria është politikisht një Turqi e dytë në Ballkan, pasi voton njësoj, vepron njësoj, e natyrisht merr edhe benefitet e qenies nën sqetullën e një fuqie rajonale.
Por problemi këtu nuk është se Shqipëria është një aleate e afërt e Turqisë. Pasi aleanca në fund të fundit është një marrëdhënie reciproke, pra jap dhe marr.
Shqipëria nuk është thjesht një vend aleat i Turqisë, por një mjedis ku Turqia ka një influencë kulturore dominante, madje edhe më shumë se kaq.
Edi Rama ka pranuar që të ketë aleancë me të ashtuquajturin xhemat të Erdoganit, i cili nuk është një grup që ka lobim pro Turqisë, por në kuptimin e plotë të fjalës, një Turqi tjetër në Ballkan.
Strategjia e Erdogan ka dashur që përveç Sarajevës, Mostarit, Prizrenit, Gjakovës Shkupit etj, të ketë edhe në Shqipëri, një Turqi të vogël.
Mitingu famëkeq i Prezës në vitin 2017, që ishte edhe një nga kalatë e Skënderbeut, është shembulli më i frikshëm i kësaj strategjie. TIKA turke e Hakan Fidanit që sot është krahu i djathtë i Erdogan, ndërtoi një xhami në Prezë, që u kthye në bazën e asaj zone, ku si qendër ka pasur kështjellën. Kanë tentuar e po tentojnë ta bëjnë edhe në Kalanë Rozafa apo në atë të Gjirokastrës, ku kërkojnë që epiqendra të mos jetë kalaja po xhamia.
E këtu Arjan Çani dhe Athina kanë të drejtë.
Edi Rama, e ka kthyer Shqipërinë në Turqinë e dytë në Ballkan, çfarë bën që pasojat do të jenë më të frikshme. Ku në të vërtetë kemi të bëjmë me një influencë proxy, ashtu si Rusia në zonat pro saj apo Irani me Hamasin dhe Hezbullahun.
Dhe këtu ka jo vetëm një problem politik por edhe identitar.
A i ka kërkuar Edi Rama shqiptarëve që ta kthejë Shqipërinë në një influencë postosmane? JO! Madje në publik mban një 'qyrk' gjysmë perëndimor, edhe pse çitjanet nuk i heq nga trupi, për të treguar se i ka simbolikë e shallvareve të vjetra.
Po të votohet në Shqipëri, sipas të gjitha gjasave nuk do të marrë konsensus politik, por luan me shtesën që xhemati i Erdogan prej rreth 70-80 mijë votave i bën 700 mijëshes socialiste.
Ndërkaq në aspektin kulturor, ndikimi është edhe më i rëndë, pasi e ekspozon vendin më properëndimor të Ballkanit në një influencë qartasi orientale. Dhe dëmi është bërë, pavarësisht se shumica nuk e përprah.
Fakt është se njerëzit e detashmentit Erdogan kanë qasje më të fortë politike, administrative dhe mediatike më shumë se properëndimorët në këtë vend.
Sot në 11 qeverisje, Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë një Turqi e vogël, e kjo pa dëshirën e shqiptarëve. Nëse do të ketë një opozitë të qartë e me mend, këtu duhet ta nisë përleshjen me regjimin e Edi Ramës. Nga identiteti! Dhe mbështetje kanë si Rilindësit ashtu edhe brezin e ri apo edhe Ismail Kadarenë!/Pamfleti
Lini një Përgjigje