TAGS-AT E JAVËS

Editorial10 Maj 2024, 11:31

Efektet shkatërruese të spiunazhit të huaj në shoqëri

Shkruar nga Simon Kuper

 

Efektet shkatërruese të spiunazhit të huaj në shoqëri
Foto ilustruese /

Spiunimi duket si një luftë ndërkombëtare. Por dëmi më i madh që shkakton është i brendshëm. Frika nga spiunazhi, real dhe i imagjinuar, e përshkon gjithë shoqërinë e një vendi. Disa parti politike mund të kthehen në baza të interesave të huaja...

Dikur kam shkruar një libër mbi një agjent të dyfishtë britanik të KGB-së të viteve 1950, dhe sot lajmet e fundit mbi spiunazhin po më rikthejnë në atë kohë. Sot dallimi kryesor, qëndron tek rritja e sasisë dhe shumëllojshmërisë së spiunazhit të huaj.

Gjatë Luftës së Ftohtë, shërbimet ruse të sigurisë ishin lojtarja kryesore armiqësore ndaj Perëndimit. Por spiunimi, ashtu si shumica e industrive ndërkombëtare, lulëzoi me globalizimin. Tani Rusia po planifikon një fushatë sabotazhi, Kina mund të jetë një aktore edhe më e madhe në skenën globale, dhe asaj po i bashkohen disa fuqi më të vogla.

Vetë Pekini i mohon akuzat. Zbulime të tjera të kohëve të fundit, i ngjajnë filmave të Hollivudit:Jan Marsalek, kreu austriak i kompanisë mashtruese të financave teknologjike Ëirecard, dyshohet se ka ndihmuar në komplotimin e vjedhjeve dhe vrasjeve nga ekipet ruse të atentateve në Evropë.

Spiunimi duket si një luftë ndërkombëtare. Por dëmi më i madh që shkakton është i brendshëm. Frika nga spiunazhi, real dhe i imagjinuar, e përshkon gjithë shoqërinë e një vendi. Disa parti politike mund të kthehen në baza të interesave të huaja. Ç’është më tragjike, kombësi të tëra rrezikojnë të stigmatizohen si “kolonë e pestë”.

Gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, agjencitë perëndimore të inteligjencës i dëmtuan partitë komuniste të vendeve të tyre. Deri në vitet 1950, MI5 e Britanisë mbante 250.000 dosje për komunistë dhe simpatizantë të supozuar, në një vend me shumë pak të tillë.

Por përpjekjet më të mëdha iu kushtuan Partisë Komuniste të Italisë. CIA financoi partitë italiane antikomuniste, ndërsa agjentët britanikë ndërhynë në zgjedhjet italiane deri në vitin 1976.

Organizatat e sotme që dyshohen se janë vënë në shërbim të Moskës, janë parti të caktuara të ekstremit të djathtë.

Fjalimet e fundit për fitoren e së djathtës ekstreme në zgjedhjet evropiane të qershorit, harrojnë faktin se Evropa ka sot dy të djathta ekstreme e të kundërta me njëra-tjetrën. Disa parti, si Fratelli d’Italia e Giorgia Melonit, janë dukshëm pro-perëndimore, ndërsa të tjerat duket se preferojnë Kremlinin.

Pra kaq shumë ka ndryshuar politika evropiane brenda një dekade:nga e majta deri në të djathtë, në rrjedhën kryesore kundrejt populizmit, dhe në dobi të interesit kombëtar kundër interesit rus. E dyshuara kryesore pro-ruse është forca politike, e cila vetëm disa muaj më parë pati një mundësi të artë për t’u bërë partia më e madhe e vetme e Parlamentit Evropian:Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë të Gjermanisë.

Gjithmonë miqësore me Kremlinin, kjo e fundit mund të jetë shndërruar në diçka akoma më të errët. Dy kandidatët kryesorë të saj në zgjedhjet e qershorit janë përfshirë në çështjet e spiunazhit. Një ndihmës i Maximilian Krah, u arrestua si një spiun i dyshuar i kinezëve.

Ndërkohë Petr Bystron, u mor në pyetje mbi akuzat për marrjen e parave nga oligarku mik me Vladimir Putin, Viktor Medvedchuk, i cili drejtoi një fushatë për përhapjen e informatave të rreme në Evropë. Si Krah dhe Bystron mohojnë të kenë shkelur ligjin.

Madje administrata presidenciale e Rusisë, hartoi një strategji të fshehtë zgjedhore për AfD-në, raportoi së fundmi Der Spiegel. Dokumenti me tone apokaliptike, i titulluar “Manifesti i Partisë së Unitetit Gjerman” - emri i ri i sugjeruar nga Kremlini për AfD - sulmon “politikanë analfabetë” që e tërhoqën Gjermaninë “në konflikt me Rusinë, një aleat natyror i vendit tonë”.

Por infiltrimi i të huajve shtrihet përtej politikës elektorale. Muajin e kaluar, një oficer i ushtrisë gjermane e pranoi se u ofronte autoriteteve ruse informacione të klasifikuara ushtarake. Ai shpjegoi se pasi pa një influencues miqësor ndaj AfD-së, “ndoshta në TikTok”, vendosi t’i jepte “përparësi” ushtarake të Rusisë, duke shpresuar se kjo do të parandalonte sulmet bërthamore.

Dhe sapo një vend nis të shqetësohet për spiunët e huaj, ai i sheh ata kudo. Gjatë të dyja luftërave botërore, paranoja nxiti në Britani internimin e emigrantëve të pafajshëm gjermanë, përfshirë refugjatët. Unë u rrita në vitet 1970, duke lexuar ende tregime për fëmijë rreth adoleshentëve britanikë heroikë që kapnin spiunët gjermanë.

Megjithatë, tani e dimë se Hitleri nuk kishte thuajse asnjë spiun funksional në Britani pas shpërthimit të luftës. Frika ishte e pabazë. Që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, paranoja mbi ndikimin e huaj i ka stigmatizuar myslimanët.

Tani, dyshimi po kthehet kundër kinezëve dhe rusëve në Nju Jork dhe Berlin. Pekini e ushqen paranojën perëndimore duke i trajtuar ndonjëherë “komunitetet e diasporës kineze...si një mjet për të çuar përpara interesat e saj politike dhe të sigurisë”, shkruan Audrye Wong nga Universiteti i Kalifornisë Jugore.

Gjatë Luftës së Ftohtë, sa herë që një zyrtar britanik demaskohej si një spiun sovjetik, një ngjarje periodike midis viteve 1946-1963, u dëmtua akoma më tej besimi i britanikëve tek shoqëria e tyre. Njerëzit që punonin tek MI6 shihnin njëri-tjetrin dhe pyesnin vazhdimisht veten:”A mos vallë është një agjent i KGB-së?”.

Sot, çdo demaskim në vendet perëndimore ka një ndikim të ngjashëm. Edhe nëse spiunazhi rus dhe kinez synon të sigurojë informacione, efekti i tij më i keq mund të jetë copëtimi i shoqërisë civile./Përshtati Pamfleti nga “Financial Times”

efektet shkatërruese spiunazhi i huaj

Lini një Përgjigje