TAGS-AT E JAVËS

Editorial 9 Qershor 2025, 15:53

A e do vërtet Netanjahu fundin e Hamasit?

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net

Çfarë po synon Netanjahu? Kjo është luftë për të patur armikun gjithmonë aty, një “armik i përhershëm” që justifikon pushtetin, represionin dhe mungesën e paqes...

A e do vërtet Netanjahu fundin e Hamasit?

Përtej fjalëve të mëdha dhe parullave të luftës, veprimet e Benjamin Netanjahut në Gaza nuk po dëshmojnë një strategji për “zhdukjen e Hamasit”, por një përpjekje të dëshpëruar për të ruajtur pushtetin e tij politik në një klimë të brishtë brenda dhe jashtë Izraelit. Lufta që zgjat, është gjithashtu luftë që ndihmon qeverinë e tij të mbijetojë politikisht.

Në një analizë të fundit të Al Jazeera, e vërteta shpaloset pa shumë kamuflime: Netanjahu nuk është më lideri që udhëheq një betejë për sigurinë kombëtare, por një politikan që përdor luftën si mburojë për të shpëtuar karrierën. “Pyetja nuk është nëse ai mund ta zhdukë Hamasin, por nëse me të vërtetë do”, thuhet në mënyrë therëse në artikull.

Në terren, Izraeli ka kryer ofensiva të përgjakshme që kanë shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës, por pa asnjë strukturë alternative për qeverisje pas-Hamasit. Pra, çfarë po synon Netanjahu? Kjo është luftë për të patur armikun gjithmonë aty, një “armik i përhershëm” që justifikon pushtetin, represionin dhe mungesën e paqes.

Edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe aleatë të tjerë i kanë kërkuar Izraelit të ndërpresë ofensivën dhe të pranojë një plan armëpushimi, Tel Avivi i Netanjahut ka vendosur të ecë sipas agjendës së vet. Çdo armëpushim i kushtëzuar me “shkatërrimin total të Hamasit” është një formë e rafinuar e mohimit të paqes.

Kjo nuk është vetëm krizë ushtarake, është një krizë strategjie, morali dhe legjitimiteti. Shkalla e shkatërrimit dhe viktimat civile në Gaza kanë tejkaluar çdo imagjinatë. Por në vend që të ndërtohet një rend i ri rajonal, Netanjahu po bën pikërisht të kundërtën: po shemb çdo urë drejt stabilitetit, me vetëdije.

E vërteta e hidhur është kjo: lufta i shërben politikisht Netanjahut më shumë sesa paqja. Dhe derisa bota të ndalë së trajtuari këtë konflikt si një çështje “sigurie izraelite”, dhe të fillojë ta shohë si një krizë humanitare me pasoja gjeopolitike të gjera, Netanjahu do të vazhdojë të fitojë kohë me gjak e rrënoja.


Nëse Netanjahu nuk e do realisht fundin e Hamasit, atëherë po e mban atë gjallë si alibi për luftë të përjetshme. Dhe një luftë e përjetshme, do të thotë një Netanjahu që nuk largohet kurrë nga pushteti./Pamfleti

netanjahu hamasi

Lini një Përgjigje

Editorial