Fatmir Xhafaj, të paktën engjëll nuk ka qenë e s’ka si të jetë kurrë, sepse ka aq “episode” që tregojnë mëkatet e tij të mëdha. Po ajo që s’e ka pasur kurrë, është burrëria, të cilën e ka fshehur me intrigat e pushtetit...
Dalja e Fatmir Xhafajt në studion e Blendi Fevziut, pas një kohe të gjatë, ishte një model së paku problematik, i një revanshizmi politik.
I gjendur “i shpaguar” nga vendimi i Gjykatës së Apelit që dënoi me një vit burg Ervin Saljanjin, ish-ministri i trefishtë e me një karrierë politike që pa vdekur Enver Hoxha, nuk e fshehu fare sentimentin e një personazhi mesjetar që tregonte adrenalinën e “larjes së gjakut” para odës së burrave të fisit të tij, në këtë rast, familjes.
Në një shtet normal, ku vendimi i drejtësisë është i pakomentueshëm, çdo sqarim i njeriut që është përfshirë në çështjen “Babale”, vetëm se e infekton situatën.
Por Fatmir Xhafaj kishte shkuar për të shfryrë mllefin e tij hakmarrës, që në realitet është një akt toksik ndaj një viktime të vërtetë që është Ervin Saljanji, por edhe mbështetësit e tij të opozitës.
Megjithatë, le ta quajmë si të justifikuar ndjenjën e shpagimit për një rast ku u tha se vëllai i Fatmirit-Geroni (Agroni), po bënte ‘deal’ për drogë me Babalen.
Këtu nuk ka ndonjë të re, sepse u mor vesh që në fillim se kemi të bëjmë me një sforcim, por Fatmir Xhafaj bëri prokurorin e çështjes, duke hyrë në të gjitha analet e dosjes që dënoi deputetin e PD-së, dosje që është hartuar kur Xhafaj ishte ministër.
Por le ta lëmë këtë pjesë, ku edhe mund të jetë i justifikuar. Në dritën e së vërtetës, ajo që theu vazon mbrëmë, ishte pozicioni i viktimës mbajtur nga Fatmir Xhafaj dhe lotët e tij të krokodilit për rikthimin e dinjitetit të familjes.
Kur në realitet Fatmir Xhafaj nuk është aspak një viktimë. Këtë e tregon më së miri karriera e tij, gjithmonë kolorite, e që nuk ka pësuar as pak ulje që kur djaloshi bukurosh i fakultetit juridik u përqafua me Enver Hoxhën në tribunën e 1 Majit.
Ka shumë mundësi që ai takim me diktatorin komunist nuk ka qenë një faj i Fatmir Xhafajt, por në fakt u kthye në fatin e jetës së tij. E për këtë nuk ka përse viktimizohet.
Megjithatë, në një vend normal demokratik, një foto “oça- poça” me diktatorin që ka çuar në satër të paktën një të tretën e popullit të tij, do të ishte padyshim një njollë. Ku së paku, Xhafaj, sidomos kur hyri në politikë mund të shprehte një sentiment ndjese për të gjithë ata viktima të diktaturës që e shikonin si një nga ‘pupilët’ e Enver Hoxhës.
Nga goja e djaloshit bukurosh të tribunës së 1 Majit, në karrierën e gjatë, shumë të gjatë politike, nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë dënuese për diktaturën, diktatorin, por edhe për krimet e komunizmit.
Fatmir Xhafaj është i vetmi politikan shqiptar që ka foto me Enver Hoxhën, në një event publik. Në evente private ka edhe Sali Berisha, apo të tjerë që kanë pozuar me diktatorin, por Xhafaj ka qenë një ikonë e propagandës komuniste.
Një kopertinë që qarkullonte në revistat me ngjyra për të treguar “lumturinë” dhe “bukurinë” e rinisë shqiptare nën udhëheqjen e shokut Enver.
Pra Fatmiri i juridikut nuk ishte thjesht një student me 10-a që bëri foto me “udhëheqësin e partisë dhe të popullit”, por një spot propagandistik i rremë i diktaturës komuniste.
E falë atij spoti propagandistik, Fatmir Xhafaj bëri karrierë. Karrerë në shtet, karrierë në parti e privilegje familjare.
Xhafaj u bë gjyqtar e më pas hetues i regjimit, gjithashtu drejtues i një organizate si BRPSH-ja, ku falë kësaj jetoi shumë më mirë se shumë kolegë të tij që ishin emëruar në rrethe e ndërmarrje periferike.
Kur komunizmi u rrëzua, Fatmiri mori shtëpi në zemër të Tiranës sepse ishte djali që kishte qeshur e përqafuar me shokun Enver. Kur shumë të tjerë të rinj, ose rrinin me familjen, ose përfundonin me pallate të kontributit vullnetar në Shkozë të “Autotraktorët”.
Në këtë pozitë ju fut rrëzimit të sistemit, ku në vitet e para u kthye në një tregtar e biznesmen të suksesshëm.
Fotoja me xhaxhin dhe pozita si hetues e turpëroi në fillim që të përfshihej në politikë, por në 1997, fluturoi aq lart sa u bë Sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Nga aty vijoi deputet, ministër i Ndërtimit e Turizmit, e ministër i Drejtësisë nën qeverisjen e Fatos Nanos.
Në komisionin ’Olldashi’, shërbeu si rrufepritëse e Edi Ramës në vitin 2003, dhe kur Babloku mori kreun e PS, Xhafaj u ngjit edhe më lart. Deputet, kryetar i komisionit të ligjeve, kryetar i Komisionit të posaçëm të reformës në Drejtësi, e më pas ministër i Brendshëm. Sërish deputet, e sot kryetar i Komisionit të Posaçëm për Antikorrupsionin.
Pak, shumë pak politikanë në Shqipëri, kanë pasur kaq pushtet dhe fuqi apo influencë politike. Megjithatë, Xhafaj, siç dihet ka një njollë të madhe. I vëllai i tij është kapur dhe dënuar për trafikim lëndësh narkotike. E siç e tha vetë Xhafaj mbrëmë, vendimi i formës së prerë të gjykatës italiane, pra Apelit ishte mbi 7 vjet burg. Enver Hoxha do ta digjte të gjallë Geronin dhe të gjithë Xhafajt...
Pavarësisht se Fatmir Xhafaj tentoi të fyente inteligjencen e shqiptarëve, gjithkush e di se në Europë, kur dënohesh me 7 vjet, nuk je një shpërndarës i thjeshtë. Por pjestar i një organizate kriminale mafioze. Asaj që italianët i thonë “associazione a delinquere”, një term i hartuar nga Giovani Falcone, për të akuzuar pjesëtarët e organizatave mafioze si Cosa Nostra, N’dragheta, Camorra, etj., etj.
Tentativa e Xhafajt për ta quajtur “episod” një dënim me 7 vjet është ashiqare një fyerje, një tallje e rëndë me votuesit e tij. Dhe më pas e ngriti në qiell vëllanë e vet se na qenkërkësh një baba shembullor e familjar i rregullt. Meqë e hapi vetë, për Xhafajn kanë thënë se nuk është ndonjë familjar apo bashkëshort besnik, por Pablo Escobar apo Toto Riina, kanë qenë dy nga baballarët e familjarët më të rregullt në glob. E megjithatë kanë trafikuar aq drogë e kanë vrarë aq njerëz, sa pasja e “dy fëmijëve si drita” nuk i amniston asnjëherë në jetë të jetëve.
Escobar apo Riina, e thonin hapur se janë kasapë e kriminelë, duke e mbrojtur tezën e tyre. Nuk bënë asnjëherë si viktima duke qarë në televizor, madje priten dënimin e vdekjen me burrëri.
Xhafaj, të paktën engjëll nuk ka qenë e s’ka si të jetë kurrë, sepse ka aq “episode” që tregojnë mëkatet e tij të mëdha. Po ajo që s’e ka pasur kurrë, është burrëria, të cilën e ka fshehur me intrigat e pushtetit./Pamfleti
Lini një Përgjigje