Kështu vijnë akshamet e zbardhin sabahet, me Ezane nga Saliu e Namaze nga Altini...
Ndoshta sepse mafia ka kapur çdo pasuri e pushtet e të gjithë janë bashkë.
Sido të jetë, në sondazhe të dy janë keq, nuk ju beson publiku.
Po le ta ngulim plugun pak më thellë në tokën e zhuritur të fshatit tonë pjellor.
Është i qetë njëri, edhe tjetri; acarohet Altini, tërbohet Saliu, ka dosje i pari, ka edhe i dyti,
Altini dihet nga të gjithë, nuk lejon askënd ti prekë një fije floku dy Klaneve Mafioze.
Lali Erin dhe Bablokun, SPAK-u i mban në prehër të vet, si foshnje që ende kanë nevojë të pinë qumësht nga gjiri i fondeve publike.
Se kanë shpikur gjëndrat e gjirit të ekonomisë, politikës, lirive dhe padrejtësive për 33 vjet, sot edhe Sali Berisha ka mbështjellë me bohçe dy klanet e tjera.
Po ju ofrua dikush atje, Saliu thërret besimtarët në Ezanin e Akshamit e mallkon horrat që e prekin në vende intime.
Flet Saliu, i ndan fetë-fetë mëkatet.
Fetat e holla i mban për vete, pastaj i fetishizon, i bën hyjnore. Të trashat, pasi ua faturon Lali Erit dhe Bablokut, i veshë me krupë, neveri, deri sa edhe besimtarët e dogmave të tij lodhen edhe nga gjynahet e veta.
Pasi u jep zgjumthin gjithë shqiptarëve, sabahi i zgjon me thirrjen e Namazit të Altin Dumanit.
Altini ka mbajtur shënime për gjithë ata që Saliu i ka zhveshur në Ezan. Fillon në Namaz të sabahit i kapistall, u pastron shpirtrat dhe dosjet.
Nëse pyesim fshatarët, ç’mendim kanë për Saliun dhe Altinin, ata ta ndajnë edhe presjen përgjysëm, duan vetëm fjalët e tyre, se kanë humbur besimin edhe tek mediat.
Saliu, shprehen shumica e shqiptarëve, akuzon si prokuror Ramën dhe miqtë e tij hajdutë, Altini, si politikan, i mbron, Saliu përkëdhel me ndjeshmëri hajdutët e vegjël anti-qeveri, Altini ju shkul flokët.
Ca hajmali i shpërndan nëpër dosjet e trasha që u këndon në Ezan Saliu.
Prokurorët e tjerë, kanë tre namazet e dritës, që në Kur’anin e fshatit tonë, quhen namazet kaza.
Cilido hajdut që nuk falet në kohën e vet, pra në eda, ose tek Altini ose tek Saliu, do të duhet të lutet në kaza, në Namaz të prapambetur, ose të prishur.
Që lëneshat e pa martuara me drejtësinë, tërheqin sy e shpirtra, nuk është fare mëkat as për prokurorët, as për fshatarët, as për ne që bëjmë be, se nuk kemi mend të ndërrojmë fe.
Pse të mos luajmë dokthi nëpër dogma, pasi fshatar jemi, e veglat i kemi?
Haptas, pa fshehur asgjë, mund të betohemi se sipas kalendarit të SPAK-ut, prej shtatë vitesh jemi në vitin 1445, kur këmbanat e kishave nuk tingëllonin mirë, pasi kishim ca zënka mes Papëve.
Pra, edhe 2024 vazhdon të jetë fillim i vitit Hixhri.
Hazreti Sali, lëvizi nga Meka e Foltores në Medinën e Altin Dumanit.
Asgjë më shumë se kaq.
5 herë në ditë falje nga mileti e 50 herë në ditë sure dhe ajete nga Sulltani i Surrelit.
Papë ende nuk kemi, ose më qartë na ka qëlluar Babtist.
E pra, ç’ti bëjmë kohës, ende andej nga rruga e Elbasanit nuk kanë përcaktuar soteriologjinë e shtryllur nga 5 solat e reformimit.
Kështu duhet të ngushëllohemi.
Edhe në 2024 mund të kemi vit Hixhri, me një përjashtim të vockël.
Meta, pasardhësi i profetit Sali, që vodhi e vrau vëllezërit e vet, do të zvarritet drejt qytetit të madh Nejneva, që në kohët moderne të Irakut tonë, është vend i shenjtë.
Aty, melekët Munkeri dhe Nekiri, janë prokuror të SPAK-ut e dënojnë mëkatarët duke u lutur për shpirtin e tyre të zi, që ndoshta një ditë të dalin nga Xhehnemi.
Kështu vijnë akshamet e zbardhin sabahet, me Ezane nga Saliu e Namaze nga Altini.
Sa të zgjasë viti Hixhri, fshatarët do të shfletojnë nga biblioteka e mendjes vetëm suren; Allah Allah, a durohen Sali Berisha prokuror e Altin Dumani politikan?!/Pamfleti
Lini një Përgjigje