Zyrtari i IKMT dhunohet brenda institucionit nga kunati i Agasit dhe 3 persona të tjerë...
Edhe pse është në arrati, Ergys Agasi dhe bandat e tij vijojnë terrorin në institucione. Policia dhe SPAK nuk arritët ta kapin pas aksionit mbi aferat te AKSHI, por duket se ai vijon zanatin.
Ditën e sotme është publikuar në media një tjetër skandal i madh, pasi një zyrtar i IKMT është dhunuar dhe kërcënuar brenda zyrës së tij nga njerëzit e Agasit. Drejtori i Ekzekutimit të Vendimeve, Fatmir Meta, është dhunuar me tytën e pistoletës nga Klesti Çela, kunati i Ergys Agasit dhe 3 persona të tjerë. Klesti Çela është drejtori i Mjedisit në të njëjtin institucion.
Ngjarja dyshohet se ka ardhur pas një përplasjeje verbale të ndodhur një ditë më parë mes palëve. Konflikti lidhet me një grup inspektimi për çështjen e dherave. Sipas tyre, Fatmir Meta ka bllokuar mjetet e subjekteve që derdhnin dhera nëpër rrethinat e Tiranës.
Pas debatit fillestar, një ditë më pas, situata ka degraduar në dhunë fizike brenda ambienteve të institucionit.
Raportohet se Meta është goditur nga Çela dhe persona të tjerë që e shoqëronin, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende për t’u sqaruar.
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nuk mundën ta arrestonin Ergys Agasin, ngaqë ai ishte larguar jashtë Shqipërisë, para se të prangosej; dyshuar se u njoftua nga zyrtarë të policisë, BKH-s, SPAK-ut apo Gjykatës së Posaçme, që kishin dijeni për urdhër-arrestin.
Gjatë kërkimit për Ergys Agasin në vilën e tij, agjentët e BKH, zbuluan një qilar me shishe verërash të shtrenjta prodhime shumë-vjeçare e pa pullë fiskale, që sipas akt-vleresimit e kalonin vlerën totale 1 milionë Euro.
Në zbatim të ligjit për anti-kontrabandën, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe SPAK, bllokuan shishet e verërave, dhe në bashkëpunim me Hetimin Doganor e Policinë, i vunë në ruajtje 24 orëshe, deri në sekuestrim dhe transferim të tyre në mjediset doganore.
Por të nesërmen kur shkuan t’i sekuestronin, shishet e vërerave ishin hequr nga Eno Agasi, ngaqë drejtuesit e policisë dhe të doganave i lanë terren të lirë, duke urdhëruar largimin e rojeve policore dhe hetuesit doganorë nga vila. Por edhe pse në arrati, Gys Agasi vijon terrorin përmes njerëzve të tij. /Pamfleti
Lini një Përgjigje