
Sali Berisha është akuzuar nga shumë individë se ka gisht te vrasja e Hajdarit. Sipas shumë prej tyre, ai e ka përdorur vrasjen për grushtin e shtetit të 1998...
26 vite më parë, Shqipëria u trondit nga një prej vrasjeve që edhe sot vijon të mbajë shumë mister brenda. Pak metra larg selisë së PD u qëllua pabesisht Azem Hajdari.
Teksa ishte në zyrë, deputeti i PD u njoftua se dikush e priste poshtë, ku ishin Fatmir Haklaj dhe Jaho (Salihi) Mulosmani.
Kjo është dhe pjesa më e debatueshme, pasi ka shumë nga ata që thonë se këtu ka gisht ish-kryeministri Berisha, i cili dyshohet se e nxori në pritë përmes ish-truprojës së tij Izet Haxhisë, i cili është dënuar me 21-vite burg si pjesëmarrës në krim. Thuhet se dikush e telefonoi Hajdarin.
Pasi u informua, Azem Hajdari me dy truprojat e tij, Zenel Nezën dhe Besim Çerjan zbresin dhe i drejtohen makinës që ishte poshtë, duke trokitur në xham. Në këtë moment del nga mjeti Fatmir Haklaj dhe i afrohet me një kallashnikov në duar duke e qëlluar. Më pas, në të djathtë të tij supozohet të jetë afruar Jaho Mulosmani dhe në të majtë Naim Çangu, që të dy të armatosur. Në këto momente Besim Çerja, truproja i vendosur në anën e majtë të Azem Hajdarit bllokon armën e Fatmir Haklajt duke ia kapur fort me të dyja duart. Drejtimi i tytës së kësaj arme shihte në krahun ku gjendej Zenel Neza dhe Naim Çangu dhe nga e djathta në të majtë të Fatmir Haklajt, kur sheh se Fatmirit i bllokohet arma, Jaho Salihi afrohet dhe pretendohet se ka qëlluar me një pistoletë 9 mm në kokë shokun e tij Besim Çerjan.
Berisha dhe Hajdari
Kjo ngjarje normalisht u kujtua dhe sot. Për herë të parë te lapidari i Hajdarit nuk e pamë Sali Berishën, i cili e kujtoi deputetin me një postim në rrjetet sociale, duke kërkuar që të bëhet e njëjta gjë që ndodhi më 14 tetor 1998, ku vrasja e Hajdarit u shfrytëzua për grusht shteti. Berisha u kujdes të thotë fjalët më të bukura për të, por a është vërtet kështu?
Në fakt mes Berishës dhe Hajdarit ka pasur një rivalitet shumë të madh. Përveç zërave që thonë se Berisha ka gisht në vrasjen e tij, janë faktet që tregojnë se si Berisha e ka sulmuar vazhdimisht Hajdarin.
Një foto e para shumë vitesh tregon një artikull të gazetës “Rilindja Demokratike”, ku shkruhej për kohën kur ish-kryeministri Sali Berisha kërkonte përjashtimin e Azem Hajdarit nga grupi parlamentar i PD.

Në 9 janar të vitit 1997, me urdhër të tij, kryesia e grupit parlamentar të PD, vendosi t’i propozonte Kryesisë së PD-së përjashtimin e Azem Hajdarit nga grupi i PD-së. Ky vendim erdhi pasi Azem Hajdari kishte nisur një valë kritikash ndaj qeverisë së Aleksandër Meksit, por pa atakuar Berishën si president.
Shumë shpejt Azem Hajdari u “ngri” si anëtar i Këshillit të Kombëtar të PD-së. Disa ditë më pas, Kryesia e PD-së përjashtoi Azemin nga grupi parlamentar. Dy vjet para eliminimit, Sali Berisha akuzoi Azem Hajdarin për lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit dhe si shërbëtor të Ramiz Alisë.
“Cili është dhe kujt i shërben në të vërtetë, Z. Azem Hajdari? Duke gjykuar mbi faktet e jo mbi fjalët kemi të drejtë të themi se kishim dy Azem. Ai i mitingjeve që bënte gjëmën, kurse ai në jetë që bëhej mik me Irakli Koçollarin, e sigurimsa të tjerë, dehej sa nuk e kontrollonte se ç’nxirrte nga xhepat. Deputeti Azem Hajdari hyri në grevën e urisë. Kureshtarët e shumtë, tifozët e politikës u gjendën të befasuar nga veprimet e zotit Hajdari dhe sollën versionet të ndryshme në shpjegimet e tyre, duke akuzuar më pas Azem Hajdarin për lidhje të shumta kriminale, lidhje me sigurimsat e shtetit, në shërbim të Ramiz Alisë e të tjera me radhë”, shprehej Berisha në vitin 1996.
Akuzat ndaj Berishës për vrasjen e Hajdarit
Sali Berisha është akuzuar nga shumë individë se ka gisht te vrasja e Hajdarit. Sipas shumë prej tyre, ai e ka përdorur vrasjen për grushtin e shtetit të 1998.
Një ndër emrat me rëndësi që e akuzon është Fatos Klosi, ish-kreu i Shërbimit Informativ në atë kohë. “Ai e qau me lot krokodili pas vdekjes dhe e shfrytëzoi vrasjen e tij sepse ai ishte kundërshtari kryesor i Berishës. Për këtë ngjarje janë dhënë dënime, por shumica e të dënuarve nuk janë më. Vendimet janë dhënë, por ato u bënë më shumë për të treguar që shiko drejtësia në Shqipëri funksionon, dhamë dënime shumë të forta. Procesi mbeti pa i shkuar problemit deri në fund. Berisha që ishte i pari që akuzohej. Vetëm 10 minuta pas ngjarjes ai deklaroi se kush janë autorët, kush janë vrasësit. Pra, ishin disa gjëra që Berisha i dinte para. Është një histori vërtetë e ngatërruar nga ku nuk u vra vetëm Azem Hajdari. Për mua, Berisha ka kontribut. Ai nuk pranoi të deponohej, megjithëse pretendonte të jepte kontributin e tij për zbardhjen e ngjarjes, ai kurrë nuk shkoi. Ai nuk ishte dëshmitar në gjyq, e shmangu, e largoi nga vetja këtë ngjarje. Vetëm e shfrytëzoi atë politikisht”, ka thënë Fatos Klosi.
Më i drejtpërdrejtë ka qenë Marjan Gryka, ish-truproja i Azem Hajdarit. Ai e ka deklaruar disa herë hapur se Berisha ka qenë i implikuar në vrasjen e Hajdarit. “Saliu u soll si Jago me Azemin. Nuk e ka dashur kurrë Azemin, ka bërë gjithçka të ndyrë, për ta spostuar e larguar prej kësaj partie. E kam thënë dhe e përsëris me bindje që ai inskenoi skenarin e eliminimit fizik të Azemit, pas 7 vitesh lufte morale, politike e fizike kundër tij”, ka thënë ai.
Në një linjë ka qenë edhe Izet Haxhia, ish-truprojë i Berishës i dënuar tashmë si i përfshirë në vrasjen e Hajdarit. “Nuk e nxora unë Azem Hajdarin në pritë. Para se të vritej, Hajdari ishte në takim me Sali Berishën. Azemi u njoftua se jashtë PD ishte një mjet me tritol. Kur e informoi këshilltari, ishte në zyrën e Berishës. Kur doli te makina, Azemi trokiti te xhami. Jaho Mulosmani ishte shofer i makinës, nuk qëlloi. Ai që qëlloi ishte Fatmir Haklaj. Kur ndodhi ngjarja, unë isha me Halil Haklajn. Unë e Azemi kemi qenë bashkëthemelues të PD. Jam ndjerë shumë i përdorur. Vrasja u bë për të rrëzuar Fatos Nanon. Fatmir Haklaj më tha se nuk kishte shkuar për të vrarë Azemin”, ka thënë Haxhia.
Edhe Zylfie Haklaj pretendon se Hajdarin e nxori në pritë Sali Berisha. "Sali Berisha mund ta ketë nxjerrë në pritë Azemin, duke pasur parasysh takimin e Azemit me babain, mund ta ketë kërcënuar i ka thënë ke bërë marrëveshje me Haklajt, e mund ta ketë detyruar të dalë”, ka thënë ajo.
Faktet që implikojnë Sali Berishën
-Sali Berisha nuk pranoi të dëshmonte për Azem Hajdarin;
-Përdori vrasjen e tij për të ardhur në pushtet me dhunë në ’98;
-Truprojat e tij janë implikuar në vrasjen e Azem Hajdarit;
-Pak para vrasjes, Azem Hajdari ka qenë në zyrë më Berishën;
-Sali Berisha nuk tentoi të hapte dosjen e vrasjes së Hajdarit gjatë 8 viteve në pushtet;
-Sali Berisha mori në gjirin e tij armiqtë e Azem Hajdarit;
-Azem Hajdari ishte rivali më i fortë i Berishës në PD;
-Berisha përdori pas 16 vitesh eshtrat e Azem Hajdarit për presion ndaj Ramës. /Pamfleti
Lini një Përgjigje