
A do të ketë arrestime të bujshme këtë vjeshtë? Dosjet që ka në dorë SPAK dhe ato që janë mbuluar nga pluhuri...
Politika do t’i rikthehet normalitetit nga e hëna e javës që vjen. Kryeministri ka thirrur në një mbledhje ministrat, teksa pritet që dhe Parlamenti të rinisë punën. Por duket se vëmendja më shumë është te SPAK. Edhe pse u fol gjatë për arrestime të bujshme, i vetmi që shkoi këtë vit pas hekurave ishte Ilir Beqaj. Padyshim arrestimi tij ishte i vonuar, por shqiptarët duan më shumë.
Megjithatë pritet që SPAK ta nisë aty ku e la para pushimeve: me dosjen e “21 Janarit”. Me vendim të Gjykatës së Lartë u urdhërua që të hetohen rolet e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Për këtë arsye me shumë gjasë brenda pak ditësh ata do t’i shohim të ngjisin shkallët e SPAK, për tu marr në pyetje mbi atë që ndodhi më 21 janar 2011. Pyetja që shtrojnë të gjithë është: A do ta shesë Lulzim Basha, Sali Berishën?
Nga ana tjetër pritet që këtë vjeshtë SPAK të dërgojë për gjykim Sali Berishën, për eferën me Kompleksin “Partizani”.
Sigurisht që priten dhe arrestime. Janë të shumtë ata që rrinë me frikën e arrestimit, ndërsa i vetmi që e shfaq është Ilir Meta. Ai është në skaner për disa dosje, më të rëndësishmet janë CEZ-DIA, lobimet në SHBA dhe fshehja e pasurisë. SPAK po i zvarrit prej 3 vitesh dosjet e tij dhe nëse nuk vepron para zgjedhjeve, atëherë ky organ me shumë mundësi është blerë nga Meta.
SPAK pritet të trazojë edhe mazhorancën këtë vjeshtë. Sipas zërave, Frida Krifca dhe Olta Xhaçka mund të merren të pandehura, pse jo dhe me masë sigurie. Xhaçka akuzohet për afera me pronat e ushtrisë, ndërsa Krifca për vjedhjen e fondeve të BE. Në listë janë dhe disa ish-kryebashkiakë, që po ashtu janë në pjatën e SPAK.
Mos harrojmë se SPAK mban në sirtar dosjen “McGonigal”. Deri më tani Dumani nuk ka guxuar t’i afrohet Edi Ramës. Po ashtu kemi dosjen e Xibrakës ku del Olsi Rama, e cila po ashtu do të vërë në test prokurorët e SPAK.
Një aksion i madh pritet sa i takon përgjimeve të “SKY ECC”. Janë me qindra gjyqtarë, prokurorë, ish-gjyqtarë e ish-prokurorë, zyrtarë policie dhe avokatë që pritet të shkojnë në qeli. Ky aksion pritet të shkundë nga themelet drejtësinë në vend.
Por ka dhe dosje që flenë prej vitesh në SPAK.
Para se të shkriheshin Krimet e Rënda, Izet Haxhia bëri një padi ndaj Sali Berishës për 23 krime. Bëhet fjalë për të gjithë krimet që tronditën vendin, nga firmat piramidale, deri te trafiqet dhe vrasjet. Haxhia dha dy ditë rresht dëshmi te Krimet e Rënda dhe pasi kjo prokurori u shkri, dosja u transferua te SPAK, por që ka mbetur prej më shumë se 3 vitesh në harresë.
Një dosje tjetër e ngjashme është ajo e familjes Haklaj. Ata kanë paditur Berishën dhe shumë të tjerë për vrasjen e djemve të tyre. Madje 1 vit më parë dëshmoi edhe Aishe Haklaj për gati 12 orë. Edhe kjo dosje është mbuluar nga pluhuri, pasi duket se u harrua.
Një dosje shumë e bujshme që pritej të sillte tërmet është ajo e vrasjes së ish-bankierit Artan Santo. Në vitin 2021, SPAK rinisi hetimet dhe pritej të zbardhej. Kanë kaluar më shumë se dy vite dhe askush nuk e di se kush e vrau Santon. Është folur dhe për emra politikanësh të përfshirë, por hetimet kanë ngecur.
Kemi dosjen e Gërdecit. Kur u dërgua për gjykim Fatmir Mediu u hap një fraksion i saj, ku në skaner është djali i Berishës, por duket se dosja ka përfunduar në kalendat greke.
Ndërkohë, ka dhe disa dosje të tjera që SPAK po i heton prej vitesh. Dosjet janë nën hetim, por nuk po kopsiten dot. /Pamfleti
Lini një Përgjigje