Plani për Gaza, Shqipëria dhe Kosova në një mision me rrezik të lartë...
Sipas burimeve tona, trupat shqiptare do të vendosen në Deir al-Balah, ndërsa ato të Kosovës pranë kufirit me Izraelin; mungon transparenca mbi planin operacional...
Zbulohet zona ku do të instalohen trupat shqiptare dhe ato të Kosovës në Gaza, sipas planit të miratuar nga Trump në Bordin e Paqes.
Burime të Pamfletit, bënë të ditur se trupat paqeruajtëse të Shqipërisë do të vendosen në qendër të Gazës, përkatësisht në Deir al-Balah, ndërsa trupat e Kosovës, do të vendosen në veri të Gazës, në kufi me Izraelin.

Sipas marrëveshjes së firmosur në Bordin e Paqes, pesë vende janë zotuar të dërgojnë trupa në Gaza si pjesë e një Force të re Ndërkombëtare të Stabilizimit (IFF). Plani u njoftua gjatë Samitit të Bordit të Paqes të Presidentit të SHBA-së Donald Trump në Uashington, DC.
Vendet që dërgojnë trupa janë Indonezia, Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria.
Egjipti dhe Jordania do të mbështesin misionin duke trajnuar oficerë policie palestinezë. Forca do të drejtohet nga Gjenerali i Ushtrisë Amerikane Jasper Jeffers, i emëruar komandant i Misionit të ardhshëm të Stabilizimit të Gazës nga Bordi i Trump.
Presidenti indonezian Prabowo Subianto deklaroi se vendi i tij është gati të vendosë deri në 8,000 trupa dhe tha se Indonezia dëshiron të ndihmojë "që kjo paqe të funksionojë" në Gaza. Indonezia ishte ndër vendet e para që dërgon trupa. Zyrtarët në Xhakarta kanë theksuar se roli i tyre do të përqendrohet në detyrat humanitare.
Strofulla e Hamasit
Deir al-Balah, zona që është caktuar për tu administruar nga trupat ushtarake të Shqipërisë, është një prej territoreve më problematike të hapësirës që është në duart Hamas-it prej vitit 2005.
Regjistrimi i fundit është kryer në vitin 2007 dhe janë shënuar 54 mijë banorë, por mendohet se popullsia është rritur shumë vitet e fundit, e besohet se i është afruar shifres 200 mijë.

Deir al-Balah, është e njohur për kampin e refugjatëve me të njëjtin emër, të vendosur në bregun e detit, i cili si edhe ai i Khan Younis, kanë shërbyer si fidanishte të ushtarëve të brigadave të armatosura të Hamas-it.
Ai ndodhet i vendosur në veri të qytetit Khan Younis, përkatësisht vendlindja e kreut famëkeq të organizatës terroriste, Yahya Sinwar, i cili u vra nga IDF-ja izraelite në gushtin e vitit 2024.
Khan Younis ka qenë qendra politike, logjistike e militare e Hamas, e cila bazat e para të veprimtarisë së saj, i ka pasur në Deir al-Balah, ku pritet të vendosen forcat shqiptare. Deri tani, kjo zonë ka qenë nën drejtimin e famëkeqit Ahmad Kurd, kryetar bashkie dhe sheik i xhamisë së qytetit. Kurd vdiq në 2020-n, por ende nuk dihet kush është shefi i ri i Hamas për zonën, i cili mbahet sekret nga Byroja Politike e organizatës terroriste.
Ndërkaq, trupat e Kosovës pritet të vendosen në veri të Gaza City, që ndodhet në kufi me Izraelin. Edhe pse duket si zonë më e qetë, gjithsesi ajo përbën një territor delikat, pasi do të jetë gjithmonë rrugë kalimi i njerëzve e mallrave, por edhe objektiv i trupave apo agjentëve të Hamas.
Në 7 tetorin famëkeq të 2023, ishte pikërisht kjo zonë që u përdor për të sulmuar Izraelin e për të kryer masakrat gjakatare të vrasjes së 1200 civilëve dhe marrjen peng të 250 të tjerëve.
Megjithatë Kosova ende nuk e ka ratikuar në Parlament marreveshjen e Bordit të Paqes, e deri tani nuk ka një akt të vulosur për pranimin e dërgimit të trupave.
Mungesë transparence
Angazhimi i trupave shqiptare në Gaza nuk është as një shëtitje, siç nuk është as një akt që mund të merret sipas humorit personal të Edi Ramës. Së paku është një angazhim shumë serioz, që ka edhe mjaft rreziqe e të papritura.
Operacioni mund të vendosë para sfidave të shumëllojshme forcat tona, të cilat do të jenë jo thjesht përballë një popullsie së paku jo miqësore, por përballë një armate terroriste të stërvitur e të motivuar që e ka treguar ndër vite që është e pamëshirshme.
Pikërisht për këtë, angazhimi ynë si në Bordin e Paqes, por edhe terren me trupa, së paku duhej të diskutohej me transparencë.
Me një dinakëri perfide, Edi Rama, i hodhi opozitës tymin e vizitës së Ivankës dhe mungesës në Davos, duke i detyruar të votonin në Parlament marrëveshjen e Bordit të Paqes. E cila mori votat e të dy partive kryesore. Juridikisht Edi Rama i lau duart si ‘Ponc Pilati’, por askush nuk di në detaje se cili është plani apo koncepti i angazhimit të trupave tona, por edhe skenaret e menaxhimit të situatave të rënda që mund të krijohen./Pamfleti
Pse ky shkrim , mos te ishte Amerika nuk do kishte Shqiperi dhe Kosove. Atehere nese Amerika na kerkon duhet te ndihmojme. Vetem te marrim pa dhene asgje nuk na e ka kush detyrim. Edi Rama e beri shume mire. Shkoni gjeni fijen e kallamit ju te diplomaticos.