Nuk paska qenë e shkruar të bëhej hero antiamerikan, të luftonte me tanke, të gdhendej si monument i monologëve nëpër burgje e studio televizionesh e pasuritë t’i gëzonte Monika...
Ilir Metën e ka tradhtuar trimëria.
Nuk është kurrë më, ai që nuk kishte Perëndi ta pyesë, ku e more zotrote gjithë këtë pasuri?!
As SPAK-u nuk është në rininë, kur Fatmir Mediu e Ilir Beqja përcaktonin koefiçentin e konflikteve të mafies me drejtësinë, vetëm se ishte gjithmonë e hapur qesja për adoleshentët e drejtësisë.
Qeses së mafies dhe qasjes së Likes u është ngushtuar qafa sot.
Ilir Meten nuk e deshi fati.
Kaq e pati me ‘nder me thënë’ psikopati.
Nuk paska qenë e shkruar të bëhej hero antiamerikan, të luftonte me tanke e të gdhendej si monument i monologëve nëpër burgje e studio televizionesh e pasuritë t’i gëzonte Monika.
Meta nuk gaboi as se nuk vrau veten si trimat kur u vjen fundi, as se vodhi sa mundi, se edhe Babloku e Lali Eri, atë punë e bëjnë përditë, sa era e rëndë e korrupsionit kutërbon nga koshat e plehrave të Tiranës e deri tek kosheret e bletëve të FBI-së, që korrupsionin tonë, për fatin tonë, e bëjnë mjaltë në hojet e veta për interesat tona dhe të tyre.
As Babloku e Lali Eri nuk do të varen në ndonjë pemë të pyllit orbital, por ata nuk kanë gabuar si ish Presidenti. Nuk e ngritën asnjëherë gishtin, por çdo herë bishtin, përballë Amerikës.
Ilir Metën e tradhtoi edhe truri i vet.
Në kohën që duhej heshtur para ambasadores Yuri Kim, u bë edhe më trim.
Yuri, ose juria e përvojës së diplomacisë, dhe Saliu i Tropojës së përgjegjësisë, nuk zgjodhën rastësisht fushë beteje foltoren, aty ku tanket janë kot.
Flasim sot për ata që e dinë se fjalën nuk e vret tanku.
Me fjalë janë zgjidhur nyjet e njerëzimit që para se fjala ta mësojë Biblën të flasë me njeriun që e beson dhe atë që nuk e beson.
Kudo hyn fjala, dueli dyzohet, kudo shkon tanku, nyjet lidhen.
Se i shtrëngoi nyjet e duelit të marrëveshjeve, Hamasi po e ha qafen e patës.
Edhe Hamasi palestinez, edhe hamësi albanez, i kanë mbushur brekët e fshihen pas turmave.
Misioni i Like Floririt, ka humbur aftësitë e kërcënimit nga “Foltorja” e Sali Berishës, sa ka filluar të bluajë në stomakun e artë nënshtrim prej burracaku, duke i nxjerrë dhëmbët SPAK-ut, duke i veshur akuzat ndaj tij me rrobat e dëshmive, që ai jep për miqtë e vet hajdutë.
Lajmi i madh fshihet tek vogëlsirat.
Sjellja e re e Likes dhe sjelljet e sfidave nga Amerika të prokurorëve të SPAK-ut, në kulturën e kultivimit, po japin efektet e ndryshimit.
Ka ngelur në rrjetën e ‘Peshqve të Mëdhenj’, dhe jo vetëm që nuk ikën dot, por jashtë optikës së SPAK-ut, nuk vete dot as në nevojtore.
Prandaj na pëlqen të lajmërojmë njerëzinë se Altin Dumani po mbushë alltinë në Amerikë, Ilir Meta po mbush brekët në Foltore./Pamfleti
Lini një Përgjigje