TAGS-AT E JAVËS

Sport23 Korrik 2026, 17:45

“Mesi më i miri që kam parë ndonjëherë”, Adejemi prezantohet te Barcelona: Ky është njeriu që më bindi të vija këtu

Shkruar nga Pamfleti
“Mesi më i miri që kam parë ndonjëherë”,
Sulmuesi gjerman, Karim Adejemi

Karim Adejemi ka nisur zyrtarisht aventurën e tij te Barcelona, duke lënë një përshtypje shumë pozitive që në prezantimin e parë si futbollist i klubit katalanas. Sulmuesi 24-vjeçar u shfaq i qetë, i motivuar dhe plot entuziazëm për sfidën e re në "Camp Nou", ndërsa nuk i kurseu fjalët e mira për trajnerin Hansi Flik, Lionel Mesin dhe talentin Lamin Jamal.

I pyetur për përshtatjen në Spanjë, Adejemi pranoi se një nga objektivat e tij të parë është të mësojë gjuhën.

"Do të më duhet të mësoj spanjishten, por nuk besoj se do ta kem të vështirë, sepse gjuhët më shkojnë mirë."

Sulmuesi gjerman foli edhe për figurat që e kanë frymëzuar te Barcelona, duke vendosur Lionel Mesin mbi të gjithë.

"Lojtari më i mirë që kam parë ndonjëherë është Mesi. Për mua ka qenë gjithmonë Mesi. Ishte gjithashtu kënaqësi të shihje Ronaldinjon në fushë, si edhe shumë futbollistë të tjerë të mëdhenj që kanë veshur fanellën e Barcelonës."

Një tjetër temë ishte bashkëpunimi që pritet të krijojë me Lamin Jamal, një nga yjet e rinj të skuadrës.

"Nuk e njoh ende personalisht, por në fushë ai flet me paraqitjet e tij. Është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe ka të gjitha cilësitë për të luajtur në nivelin më të lartë. Besoj se mund të krijojmë një lidhje shumë të mirë në fushë. Ai shënon gola, driblon dhe krijon shumë raste për shokët e skuadrës. Unë jam një lojtar që sulmoj hapësirat dhe përfitoj nga pasimet e bashkëlojtarëve, ndaj mendoj se mund të funksionojmë shumë mirë së bashku. Dua të ndërtoj një lidhje të fortë me të dhe me gjithë ekipin."

Adejemi zbuloi edhe momentin kur mësoi për interesimin e Barcelonës, duke pranuar se fillimisht nuk e besoi.

"Nuk mund ta besoja, sepse e di që sezoni im i fundit nuk ishte më i miri. Jam shumë mirënjohës për këtë mundësi. Hansi Flik ishte një nga arsyet kryesore pse vendosa të vij këtu. Ai më tha se më donte në ekip, por se duhej të jepja maksimumin. Kjo më bëri shumë përshtypje dhe është një nder i madh të jem pjesë e Barcelonës."

24-vjeçari ka firmosur një kontratë deri në verën e vitit 2031. Barcelona do t'i paguajë Borusias së Dortmundit 22 milionë euro si shumë fikse, ndërsa marrëveshja parashikon edhe 7 milionë euro bonuse të lidhura me paraqitjet dhe objektivat sportive. Klubi gjerman ka ruajtur gjithashtu një përqindje nga fitimi i një transferimi të ardhshëm të sulmuesit.

I njohur për shpejtësinë, depërtimet dhe aftësinë në duelet një kundër një, Adejemi ribashkohet me Hansi Flik, trajnerin që i dha debutimin me Kombëtaren e Gjermanisë në vitin 2021. Tekniku gjerman e konsideron atë një profil ideal për krahët e sulmit, falë eksplozivitetit dhe aftësisë për të sulmuar hapësirat.

Pas formimit tek akademia e Red Bull Salcburgut dhe transferimit te Borusia e Dortmundit në vitin 2022, Adejemi regjistroi 146 ndeshje dhe 36 gola me verdhezinjtë. Megjithatë, periudha e tij në Gjermani u shoqërua edhe me dëmtime dhe luhatje në formë.

Tashmë, sulmuesi gjerman synon të rilindë me fanellën blaugrana, ndërsa Barcelona fiton një armë të re në repartin ofensiv, duke shtuar më shumë shpejtësi, vertikalitet dhe rrezikshmëri në krahë për projektin e Hansi Flik.

karim adejemi sulmuesi gjerman barcelona

Lini një Përgjigje