
Policia e Sarandës ka arrestuar një 30-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim që në fillim të muajit korrik, pasi dyshohet se tentoi të rrëmbente një të re nga Nepali pranë pikës kufitare të Qafë Botës.
Në pranga ra Mariglen Kondi, 30 vjeç, banues në fshatin Salari të Tepelenës, një person i njohur për autoritetet për shkak të precedentëve të mëparshëm penalë. Arrestimi i tij u krye mesditën e sotme në lagjen nr. 4 të Sarandës, pranë stadiumit të qytetit.
Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur më 2 korrik, rreth orës 18:53, në aksin Konispol–Qafë Botë, në zonën e njohur si "Postbllok". Dyshohet se Kondi tentoi në disa raste ta fuste me forcë në automjetin e tij të renë nga Nepali.
Vajza arriti t'i shpëtonte autorit duke u larguar me vrap dhe më pas denoncoi rastin në polici. Pas kallëzimit, hetuesit analizuan pamjet e kamerave të sigurisë dhe arritën të identifikonin të dyshuarin.
Mariglen Kondi rezulton me një të kaluar të pasur kriminale. Në vitin 2020 ai u arrestua për kultivim të bimëve narkotike në bashkëpunim, por më pas përfitoi masën e sigurisë "arrest në shtëpi".
Megjithatë, sipas të dhënave të policisë, ai e theu këtë masë dhe në vitin 2021 u arrestua sërish, kësaj radhe i dyshuar për vjedhjen e disa kamionçinave në Lushnjë.
Lini një Përgjigje