Mjeti u gjet në zonën e "Kasolles", ndërsa hetuesit besojnë se atentatorët shfrytëzuan mungesën e kamerave për të goditur 50-vjeçarin Thimjo Rubati. Një nga pistat lidhet edhe me konfliktin e një dite më parë mes djalit të tij dhe një efektivi policie...
Policia e Sarandës ka gjetur motorin që dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatit ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati, i njohur edhe si Sandër Rubati, i cili mbeti i plagosur mbrëmjen e së premtes pas një sulmi me armë zjarri.
Mjeti është gjetur i braktisur në lagjen "Baba Rexhepi", në një prej gjireve të zonës së njohur si "Kasollja", buzë detit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, motori nuk ka shenja djegieje apo dëmtimi, çka pritet të ndihmojë ekspertët kriminalistikë në mbledhjen e provave biologjike dhe materialeve gjenetike që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Fakti që motori u gjet pranë bregdetit ka forcuar dyshimet e hetuesve se autorët, pasi u larguan nga vendi i ngjarjes me motor, mund të kenë vijuar arratisjen me një mjet lundrues ose të jenë strehuar në banesat e zonës periferike.
Sipas hetimeve paraprake, atentati ka qenë i mirëorganizuar. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se organizatorët dyshohet se kanë shfrytëzuar qëllimisht ngjarjen e një dite më parë, kur djali i viktimës, Andrea Rubati, u konfliktua me oficerin e Policisë Mihal Velço, për të krijuar një pistë të rreme hetimi.
Madje, sipas të njëjtave burime, autorët kanë qenë në dijeni se një natë më parë policia kishte sekuestruar DVR-të e kamerave të sigurisë në zonë, duke përfituar nga ky fakt për të goditur në një segment që nuk mbulohej nga kamerat e vëzhgimit.
Një nga pistat që po verifikohet lidhet pikërisht me dhunimin e oficerit të Policisë Mihal Velço. Për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim Andrea Rubati, 27 vjeç, si dhe Antonio Lefteri dhe Engjëll Dalanaj, të tre persona me precedentë penalë.
Sipas hetimeve, autorët e atentatit ishin të maskuar dhe mbanin skafandra për të fshehur identitetin. Ata u afruan me motor, qëlluan ndaj 50-vjeçarit dhe më pas u larguan me shpejtësi. Një tjetër pistë që po hetohet është se, pasi braktisën motorin në fund të rrugës "Mithat Hoxha", autorët vijuan arratisjen me një skaf.
Kontrollet e Policisë kanë vijuar gjatë gjithë natës dhe edhe gjatë ditës së sotme, por deri tani nuk është bërë i mundur identifikimi apo arrestimi i autorëve.
Burime nga Spitali i Sarandës bëjnë me dije se Thimjo Rubati është goditur me tre plumba, dy pranë mëlçisë dhe një në pjesën e legenit. Sipas mjekëve, predhat nuk kanë prekur organet jetësore.
Pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Sarandës, ku iu administruan dy njësi gjaku, 50-vjeçari u transportua drejt Spitalit të Janinës për trajtim të specializuar. Gjendja e tij është stabilizuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve, Rubati ka deklaruar se nuk ka mundur të identifikojë autorët e sulmit.
I plagosuri është një emër i njohur për autoritetet shqiptare dhe greke. Ai rezulton me precedentë penalë për trafik klandestinësh, kontrabandë, armëmbajtje pa leje dhe trafik automjetesh. Në të kaluarën ka vuajtur dënim në Greqi, ndërsa rezultonte i kërkuar edhe nga autoritetet shqiptare në kuadër të një dosjeje për trafik dhe kontrabandë automjetesh, ku ishin të përfshirë edhe ish-zyrtarë doganorë.
Për këtë arsye, hetuesit nuk përjashtojnë që atentati të lidhet edhe me konflikte të mbartura nga e kaluara e 50-vjeçarit, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe përcaktimin e motivit të sulmit.
Lini një Përgjigje