Vigjilja e finales së shumëpritur të Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës është shoqëruar me një situatë të pazakontë për dy skuadrat që të dielën do të përballen për trofeun më prestigjioz të futbollit botëror.
Kombëtarja spanjolle është detyruar të anulojë seancën e fundit stërvitore para finales, pasi një stuhi e fortë me rrufe goditi zonën ku ekipi po zhvillonte përgatitjet e fundit. Lojtarët sapo kishin zbritur në fushë kur, për shkak të protokollit të sigurisë, u urdhërua menjëherë boshatisja e impiantit.
Fillimisht stërvitja u shty me shpresën se kushtet atmosferike do të përmirësoheshin, por më pas u vendos anulimi i saj përfundimtar, pasi parashikohet që stuhia të vijojë edhe gjatë orëve në vijim në zonën e Nju Xhersit.
Ndërkohë, mbetet ende e paqartë situata për Argjentinën, e cila kishte planifikuar gjithashtu një seancë stërvitore pak më shumë se 24 orë para finales. Kampionët e Amerikës së Jugut janë përballur me të njëjtat kushte atmosferike dhe për momentin aktiviteti i tyre stërvitor është shtyrë.
Të dyja skuadrat tashmë po presin përmirësimin e motit, ndërsa përgatiten për përballjen e madhe që do të vendosë fituesin e Kupës së Botës.
Lini një Përgjigje