Masimo Morati ka zbuluar detaje të panjohura nga tentativa e bujshme e Interit për të transferuar Lionel Mesin nga Barcelona, në një periudhë kur argjentinasi sapo kishte nisur të shpërthente në futbollin europian.
Ish-presidenti zikaltër kuptoi se marrëdhënia mes Mesit dhe Barcelonës nuk ishte në momentin më të mirë, pasi në atë kohë ekzistonin mosmarrëveshje për rinovimin e kontratës. Sulmuesi argjentinas përfitonte rreth 3 milionë euro në sezon, dukshëm më pak se Ronaldinjo, ndërsa babai i tij, Horge Mesi, kërkonte një kontratë më të mirë.
Duke parë këtë situatë, Morati vendosi të vepronte. Në fund të vitit 2006 ai zhvilloi një takim në Milano me Horge Mesin, me synimin për ta bindur që ylli argjentinas të transferohej në "San Siro". Madje, Interi ishte gati të bënte një ofertë rekord prej 250 milionë eurosh, një shifër e paprecedentë për kohën.
Edhe presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, e ka konfirmuar më vonë këtë episod.
"Interi ofroi 250 milionë euro, por i thashë 'jo'", ka rrëfyer Laporta, duke bërë të qartë se Barcelona nuk kishte ndërmend të hiqte dorë nga lojtari që më pas do të bëhej simboli i klubit.
Sipas mediave italiane të asaj kohe, Morati u nxit edhe nga fakti se Mesi nuk ndihej plotësisht i vlerësuar në Barcelonë. Takimi me babanë e futbollistit u zhvillua gjatë një eventi publicitar, ndërsa edhe Diego Armando Maradona kishte këshilluar Interin të provonte ta transferonte argjentinasin.
Morati e cilësoi këtë përpjekje si një "çmenduri të kthjellët", duke pranuar se ishte i gatshëm të ndërmerrte një operacion historik për ta sjellë Mesin në Milano.
Në një intervistë të vitit 2020, ish-numri një i Interit kujtoi fillimet e interesimit për kampionin argjentinas.
"Nisëm ta ndiqnim që nga Botërori U-18. Dërguam njerëzit tanë në Spanjë, por ata u kthyen dhe më shpjeguan vështirësitë që kishte kaluar Mesi me shëndetin, si edhe përkushtimin e Barcelonës për ta ndihmuar dhe mbajtur në klub. Atëherë u thashë: 'Lëreni fare'. Betohem", kujtoi Morati.
Pesë vite më vonë, ai zbuloi edhe një detaj interesant mbi marrëdhënien me yllin argjentinas.
"Gazetarët më pyesnin gjithmonë për Ronaldinjon, ndërsa unë u përgjigjesha se më pëlqente më shumë Mesi. Ai e mori vesh këtë dhe u vu në kontakt me ne, por ishte rritur dhe formuar te Barcelona. Për disa vite më dërgoi fanellën e tij me autograf."
Edhe vetë Lionel Mesi, në vitin 2007, kishte folur me simpati për Interin, duke vlerësuar skuadrën zikaltër dhe praninë e shumë futbollistëve argjentinas në organikë.
"Interi më ka pëlqyer gjithmonë. Luajnë shumë argjentinas. Mbrojnë mirë dhe kanë një sulm shumë të fortë me Ibrahimoviç, Adrianon, Krespon, Kruz dhe Rekoba", kishte deklaruar Mesi.
Lini një Përgjigje