Midis Shillës dhe Karibdës: Shënime rreth librit “Jam mysliman” të shkrimtarit Ben Blushi
Ngjizja e një vepre letrare si romani “Jam mysliman” i autorit Ben Blushi, përbën një inkursion tejet të guximshëm; një udhëtim në një zonë përvëluese ferri; një kuturisje si ajo e Odiseut në ngushticën e Mesinës – midis Shillës e Karibdës.
Po t’i zbresim mitet nga froni e t’i sjellim në realitetin e botës shqiptare, ato do të na tregojnë në përngjasim me përbindëshat e detit të Mesinës, tabutë tona, gjërat e paprekshme, etnocentrizmin, sakralitetet zyrtare, popullore dhe tribale, simpatitë dhe aversionet e natyrshme, të panegociueshme dhe të pafalshme, indoktrinimet integrale dhe tejet simetrike mes komuniteteve të ndryshme, që e kanë ndarë botën njerëzore në ngastra ndjenjash, besimesh, shpeshherë edhe në kulla të vogla si spore integralizmi.
E midis këtyre ngastrave ka ngushtica thuajse të papërshkueshme, që nuk ka Odise që i kalon pa u lagur. E nga këto ngushtica që shpesh izolojnë komunitete dhe grupe të tëra të çdo ngjyre, bindjeje e feje, që janë kongruente dhe kaq simetrike sa ngjajnë me njëra-tjetrën si pika uji, krijohen vraga të pashlyeshme e të trashëgueshme, nga të cilat rrjedhin rrëke moskuptimesh e helmesh, që mbase kanë nevojë të identifikohen, t’u vihet gishti dhe të nxirren për t’u shëruar në diellin e së vërtetës.
Mbi të gjitha, vragat dhe burimet e helmimeve shpirtërore e mendore nuk duhen stolisur ngado që të vijnë; ato nuk kanë nevojë për makeup, por kanë nevojë për bisturi. E kirurgu në raste të tilla mund të jetë intelektuali, mendimtari, shkrimtari, artisti, individi vizionar që paraprin me shikimin e vet të thellë, të ndershëm e të paanshëm, që i rrok me sy të gjitha anët e horizontit të shoqërisë së vet.
Bisturia e tij mund të jetë libri, maja e mprehtë e publicistikës, vepra artistike, artikullimi i ideve përparimtare, njohja e bazës dhe e superstrukturës së shoqërisë dhe mbi të gjitha, dashuria për popullin dhe historinë, respekti për traditën, nderimi për çdo institucion shpirtëror të kombit të vet.
Libri “Jam mysliman” erdhi si një vepër e guximshme, kundërthënëse e deri diku “e papritur” për lexuesit shqiptarë.
Autori Blushi, me intuitën e një romancieri virtuoz ka luajtur që në fillim një lojë të hollë dhe elegante, një trompe-l'œil, duke “rrezikuar” me titullin deklarativ, kallëzuesor dhe gati të çuditshëm: “Jam mysliman”.
Kjo lojë ka funksionuar e funksionon para leximit, madje para marrjes së vendimit për ta blerë librin. Një lexues me bindje myslimane joshet, sepse titulli i përkëdhel ndjenjat fetare dhe e merr ta lexojë, anipse gjysma e parë e librit, sado procedim i lartë artistik në të gjithë komponentët, është një sfilitje e pritshmërive të tij.
Lexuesit të krishterë ky titull i përplaset befas dhe mërzitet për apostazinë (felëshimin) e autorit Blushi. Por ka kureshtje ta mësojë se çfarë arsyesh pati ky shkrimtar klasi që hyri në këtë mëkat. Dhe e merr librin për të mësuar arsyet.
Pas këtij pragu dilematik, lexuesit futen në botën e leximit të këtij romani fort tërheqës dhe e kanë të vështirë të shkëputen qoftë edhe për pak çaste pa i shkuar deri në faqen e fundit.
Pra interesimit për librin nuk i shpëton pothuajse asnjë tipologji lexuesi dhe kësisoj është zgjidhur që në fillim një nga synimet më të natyrshme e madje kryesore (përveç aspektit estetik) të çdo autori që merr penën të shkruajë.
Sepse edhe komercializmi është i vjetër, të paktën sa Shekspiri. Shprehet Noli te introdukti i Jul Çezarit: "Tragjedia mund të kishte emrin Mark Bruti, sepse Bruti ishte personazhi qendror shumë i pranishëm dhe zembereku i gjithë veprimit, ndërsa Çezari shfaqet fare pak (dyherë e gjysmë), madje herën e tretë del vetëm fantazma e tij në Maqedoni. Por Shekspiri si një biznesmen i mirë anglo-sakson i vendos dramës emrin e personazhit që kishte hijen dhe peshën më të lartë në histori".
I sigurt se lexuesit e zgjuar mund ta kenë nuhatur ironinë e autorit pa e shfletuar dhe janë skeptikë ndaj kësaj dashurie të çuditshme apo depistazhi, autori Blushi ka bërë me mjeshtëri një hap tjetër të bukur, që rrezaton mirësi, empati, humanizëm dhe zhdukje dilemash.
Në fillim të librit ka vendosur këtë shënim kushtues: "Këtë libër ua kushtoj myslimanëve që më rritën. Xhamia e tyre ishte familja, Zoti i tyre ishte dashuria, feja e tyre ishte nderi. Unë jam po aq mysliman sa ata".
Pas kësaj formule magjike dhe përdëllyese, autori ndihet më i lirë të shkruajë ashtu siç ndjen dhe gjykon, shpesh pa pasur nevojë të kalojë nëpër filtrat diskretë të komunikimit, pa u tutur të shpallë pëlqimet, mospërputhjet, neveritë, simpatitë e personazhit të vet shkrimtar–alter ego, përgjatë rrëfimit të tij ironik, psikologjik e filozofik mbi bëmat, gëzimet, ndeshtrashat, dertet që i përgatit dinaku fat në Rrugën e Kavajës që bashkon Dajtin me Adriatikun.
Dhe qysh te ky përcaktim hapësinor i habitatit të tij lexuesi ndjen parashenjën e një letërsie të këndshme, të pangjashme, të zgjuar, të shkathët e me elementë magjikë.
Në këtë univers, protagonisti përballet me islamizmin dhe islamistët, botën e tyre të mistershme, doktrinat dhe dogmën e tyre, ritet, shijet, praktikat e tyre, sjelljet, veshjet, mënyrën e jetesës etj., duke u zhgënjyer dita-ditës nga ky komunitet i cili me sa duket ka qëllime të islamizojë ngadalë gjithë shoqërinë shqiptare.
Ky komunitet ka Sharian për kushtetutë, një ligj që lejon dhunën dhe dënon pafajësinë.
Faqe të tëra i kushtohen underground-eve të funksionimit të jetës së këtyre njerëzve, por edhe përshkrimit të individëve me mjaft kolorit e mjeshtëri.
Por sado e zymtë është Rruga e Kavajës, sado e madhe është vetmia e shkrimtarit, ai gjen në këtë shkreti shpirtërore edhe ishuj qetësie.
Nuk është i keq gjithë komuniteti. Aty është edhe miku i tij Ali Baba, plak babaxhan dhe filozof jete, sipas mënyrës së tij.
Ndërkaq ditët shoqërohen me ngjarje të ndryshme, me martesa poligamike, me ndëshkime makabre dhe ndodhi që implikojnë doradorës edhe jetën e vetë protagonistit, qetësinë e tij familjare dhe kulmojnë me simulimin e shembjes së monumentit, gjithçka konform parimit të arsyes së realizmit me hijezime magjike.
Kjo atmosferë që mbizotëron gjithë pjesën e parë, ndryshon me rastin e udhëtimit të protagonistit me gruan e tij të dytë në Arabi, ku shoqërohet me arabin fisnik Al Xhuvali.
Gjatë qëndrimit atje dhe vizitës në Mekën e shenjtë heroi shikon një realitet tjetër. Realitet që s’kishte të bënte me islamikët e Rrugës së Kavajës.
Aty edhe ndriçohet shpirtërisht dhe formulon dy koncepte: myslimani dhe islamiku.
I pari, fetari i ndershëm, i çiltër, i fisëm – qytetar i denjë i gjithë botës.
I dyti, më shumë se i indoktrinuar, i devijuar nga mësimet origjinare të fesë, i fshehtë, invadent dhe i manipuluar nga qarqe me qëllime kolonizuese, që urren simbolet shpirtërore të kombësisë tjetër.
Në një fjali koncize autori shprehet: "Myslimanen e dua – islamiken e kam frikë".
I kapluar në këtë lloj dikotomie, ai ka ndërtuar me shembuj konkretë, me përshkrime, digresione, gjykime alternative dhe vëzhgime e depërtime të mprehta pas përvojës në Mekën e Shenjtë, logosin e diskursit të vet artistik:
"Në Arabi dhe sidomos në Mekë, janë të gjithë myslimanë. Muhamedi ishte mysliman. Ata që mbulojnë bukurinë e grave me burka janë islamikë. Profeti ishte mysliman. Ata që vrasin në emrin e tij janë islamikë. Islami është mysliman. Sharia është islamike. Ali Baba po ashtu është mysliman. Al Xhuvali është mysliman. Imami i Rrugës së Kavajës është islamik. Në Arabi gruaja ime është myslimane, kurse në Shqipëri ajo është islamike dhe prandaj kam përshtypjen se jetoj me dy gra të ndryshme. Unë i dua të gjithë myslimanët. E dua Ali Babën, të cilit i kam blerë një palë tespihe… Ato kanë prekjen time të butë prej ateisti plastik dhe formën e gishtave të mi prej shkrimtari kokëfortë. Kur Ali Baba t’i marrë në duar, të ndjejë vërshimin e dashurisë sime të sinqertë t’i përshkojë venat. Ai është njeriu që më mësoi të dalloj një mysliman nga një islamik".
Duke lexuar këtë paragraf dhe shumë të tjerë, duke përshkuar pasazhe të shumta ku autori Ben Blushi pikturon me dashuri, mahnitje dhe një dehje poetike, ngjan sikur jemi në ato buisjet e ëmbla të vargjeve të poemës "Mahomets Gesang" (Kënga e Muhamedit) e shkruar nga J. W. von Goethe në vitin 1773, pjesë e epopesë së famshme lirike "Divani Perëndimor-Lindor" (West-östlicher Divan) (1819).
Dhe Gëte, autori i termit Weltliteratur (letërsi e përbotshme), olimpiku i Vajmarit, ndriçoi rrugën e vështirë, thuajse të pakapërcyeshme të "takimit me tjetrin".
Procedimi artistik brenda këtij libri është kompleks dhe mjeshtëror, që nga kompozicioni, arsenali stilematik, ritmi i prozës, i dendur me kadenca poetike dhe muzikalitet, leksiku i pasur për të dhënë ndijime shqisore mbi koloritin e jetës e të pamjeve, ngjyrave dhe tingujve ekzotikë të botës shqiptare dhe asaj të Lindjes.
Veç kësaj, aftësia e ngjizjes dhe e portretizimit të personazheve, shpesh me një tipar dominues, që jep esencën semiotike të një tipi të gatshëm të botës njerëzore, nën një stil të harlisur, që përbën edhe një nga veçoritë e këtij shkrimtari, shpalosur në këtë vepër e cila meriton të lexohet me vëmendjen e duhur për një roman të arrirë që duket sikur ka rezonancat e jeheve hispanike, për nyjëzat narrative që shoqërojnë impulset dhe dihatjen e nervit poetik të një shpirti të frymëzuar që përcjell jo vetëm ironi, humor, munxëvënie herë-herës deri në shpoti, por mbi të gjitha, bëhet kumt i fuqishëm i humanizmit, i dashurisë njerëzore, i altruizmit dhe empatisë, ngjizur e ngritur nga parimet e arsyes.
Lini një Përgjigje