Bjellorusia, një realitet i përafërt me Shqipërinë...
Për qytetarin e zakonshëm të një vendi të Bashkimit Evropian, fjala “zgjedhje” shoqërohet me diskutime politike shumë të forta, tubime dhe slogane elektorale rrugë, debate të nxehta në televizione, vëzhgues dhe në fund nga një numërim i ndershëm i votave.
Në Bjellorusi, zgjedhjet janë mbajtur gjithmonë sipas rregullave të ndryshme. Në vitet 2016 dhe 2019, media e pavarur bjelloruse i parashikoi me një saktësi 96 për qind se cilët do të ishin deputetët e ardhshëm të parlamentit, shumë kohë përpara se të votohej.
Por edhe përkundër këtij rekordi të frikshëm, fushata zgjedhore e këtij viti do të hyjë në histori si më formale dhe më shtypëse se kurrë më parë. Në vitin 2011, kur kritikoi “lirinë e shfrenuar” që sipas tij ekzistonte në vend, Aliaksandr Lukashenka tha se Bjellorusia “ka pasur aq shumë nga e ashtuquajtura demokraci, saqë ajo na ka bërë për të vjellë”.
Në një përpjekje për t'i dhënë fund këtij shqetësimi të pakëndshëm, autoritetet bjelloruse kanë eliminuar të gjithë boshllëqet në legjislacionin e tyre, të cilat u shfrytëzuan nga politikanët demokratë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe kanë goditur paraprakisht të gjithë sfidantët e mundshëm.
Pavarësisht ndalimeve, shkeljeve dhe arrestimeve në shkallë të gjerë, para 4 vitesh shoqëria bjelloruse arriti të mbledhë një sërë informacionesh në lidhje me falsifikimin e rezultateve përfundimtare dhe fitoren e lideres së opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya, përfshirë foto të fletëvotimeve.
Që nga ajo kohë, zyrtarët bjellorusë i kanë ndaluar votuesit që të fotografojnë fletët e votimit, i kanë hapur kabinat e votimit dhe kanë hequr pragun e pjesëmarrjes. Tashmë, zgjedhjet do të zhvillohen pavarësisht nga numri i qytetarëve që çohen me dhunë dhe kërcënime në qendrat e votimit.
Në vitin 2020, në qendrat e votimit në ambasadat bjelloruse jashtë vendit, Tsikhanouskaya doli e para gati kudo, nga Kazakistani në Shtetet e Bashkuara, duke fituar nga 52-95 për qind të votave edhe sipas të dhënave zyrtare. Që nga ajo kohë, autoritetet e kanë ndaluar me ligj mbajtjen e zgjedhjeve jashtë vendit, duke mos u zënë besë as diplomatëve të tyre besnikë për të siguruar një fitore të madhe për kandidatët e 'djathtë'.
Siç mund të pritej, autoritetet bjelloruse kanë refuzuar të ftojnë vëzhgues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Zyra e saj për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Formalisht, partitë bjelloruse kanë të drejtë të propozojnë kandidatët e tyre.
Por vitin e kaluar, regjimi i dha fund procesit të likuidimit ligjor të partive që nuk i pëlqenin. Shumë nga liderët e këtyre partive tani ose janë në burg ose kanë ikur jashtë vendit. Nga 16 partitë që u regjistruan zyrtarisht në Bjellorusi para zgjedhjeve të 2020-ës, sot kanë mbetur vetëm 4, dhe ato garojnë vetëm në besnikërinë e tyre ndaj qeverisë dhe se kush do ta lavdërojë më shumë Lukashenkon.
Sot ekziston ende mundësia e kandidimit përmes mbledhjes së firmave. Por edhe ky mekanizëm ligjor është një iluzion duke pasur parasysh realitetin e ashpër. Që të garojnë për deputetë, kandidatëve të mundshëm u nevojiten nga një grup nismëtar prej të paktën 10 personash që duhet të mbledhin të paktën 1000 firma.
Dhe ata që iu bashkuan grupeve nismëtare të kandidatëve për president 4 vjet më parë u përballën me persekutim, dhe shumë prej tyre janë të dënuar me burgime të gjata. Për shembull anëtarët e grupit nismëtar të kandidates Tsikhanouskaya, u dënuan me 5-6 vjet burg në vitin 2021. Ndërkohë mijëra njerëz që nënshkruan për kandidaturën e saj apo të kandidatëve të tjerë të opozitës u pushuan nga puna ose përfunduan në burg.
Kur bjellorusët ushtrojnë të drejtat e tyre politike ose civile, ata rrezikojnë që të presin në shtëpitë e tyre “miq” të paftuar me automatikë në duar. Policia sekrete bjelloruse, GUBOPIK, oficerët e së cilës e kanë krahasuar veten me Gestapon e Hitlerit, kryejnë rregullisht bastisje në shtëpitë dhe vendet e punës të njerëzve që ata i dyshojnë për mungesë besnikërie ndaj regjimit.
Ata kanë arrestuar njerëz që më parë kanë qenë vëzhgues të zgjedhjeve, dhe kanë bastisur banesat e politikanëve bjellorusë që janë larguar nga vendi.
Në fund të janarit, KGB bjelloruse bastisi shtëpitë e 200 të afërmve të të burgosurve politikë që kishin pranuar ushqime të blera për ta nga diaspora bjelloruse, duke akuzuar disa prej tyre për “përdorim të ndihmës së huaj falas për të kryer aktivitete terroriste dhe akte të tjera ekstremiste”.
Por jashtë ligjit nuk janë nxjerrë vetëm partitë politike. Organizatat për të drejtat e njeriut, shoqatat e avokatëve, madje edhe teatrot amatore janë përballur me të njëjtin fat. Gjithsej 971 organizata janë ndaluar me ligj ose janë në proces likuidimi. Nga frika e aktivitetit të paautorizuar të qytetarëve, qeveria nënshtron ose shkatërron strukturat në të cilat mund të grumbullohej energjia publike.
Të paktën 169 organizata janë sot në listën e grupimeve “ekstremiste”, përfshirë mediat e pavarura. Lista e individëve që autoritetet i konsiderojnë ekstremistë përfshin gati 4000 persona, ku treçereku i tyre janë shtuar 3 vitet e fundit për aktivitetet e tyre politike.
Pas zgjedhjeve të 25 shkurtit, vendet e BE-së nuk duhet të presin ndryshime të mëdha politike në Bjellorusi. Po ashtu nuk duhet të presin ndonjë mobilizim politik të shoqërisë, protesta apo trazira të tjera të brendshme në vend. Pas 4 vitesh shtypje brutale në historinë e Bjellorusisë së pavarur, këto janë thjesht të pamundura.
Edhe fushata e forcave demokratike me zgjedhje parlamentare online në mërgim, nuk premton ndonjë sukses në shkallë të gjerë. Por me të gjitha kufizimet dhe mungesat e saj, kjo fushatë ngjan më shumë me një palë zgjedhjeje demokratike se sa ato që po zhvillohen në Bjellorusi.
Zgjedhjet për Këshillin Koordinues do të krijojnë kushte që përfaqësuesit të zgjidhen në mënyrë demokratike në strukturat opozitare në të ardhmen, duke ofruar një platformë formale për diskutime politike midis kundërshtarëve të regjimit autoritar bjellorus. Kjo është një sprovë e vogël por e rëndësishme e demokracisë, për një komb të cilit kjo atmosferë zgjedhore i ka munguar prej dekadash./Përshtati Pamfleti nga “European Council on Foreign Relations”
Lini një Përgjigje