Si asnjëherë më parë, 6 deputetë shqiptarë do të jenë në parlamentin e ri të Malit të Zi, nga 81 në total.
Tre prej tyre duke përfaqësuar direkt shqiptarët dhe interesat e tyre përmes partive nacionale.
Pas përfundimit të procesit të numërimit, 2 mandate deputetesh siguroi koalicioni “Forumi Shqiptar” i Nik Gjeloshajt dhe një ulëse në Kuvend e mori Genc Nimanbegu me koalicionin “Aleanca Shqiptare”. Rritje të rëndësishme në këto zgjedhje shënoi “Forumi Shqiptar” që pervec Gjeloshajt, në Kuvend do të çojë edhe Nikollë Camajn.
Shqiptarët thonë se do të mbështesin çdo qeveri me synime europiane dhe do të jenë opozitë e fortë për ata që mendojnë Malin e Zi pro Rus.
Në parlament do të shkojnë edhe 3 shqiptarë të tjerë Mehmet Zenka dhe Drita Llolla por që përfaqësojnë partinë e ish kryeministrit dhe presidentit Gjukanoviç ndërsa përkrah tyre do të jetë edhe shqiptari tjetër Dritan Abazovic, koalicioni i të cilit siguroi 11 deputetë.
Të drejtën për të krijuar qeverinë e ka fituar koalicioni i presidentit Milatovic, i cili mori 23 mandate por jo mjaftueshëm për të qeverisur të vetëm prandaj i duhet ndihma e partive të tjera, dhe padyshim e shqiptarëve.
Këto zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare mund t’i japin fund një krize politike gati trivjeçare në Mal të Zi, ku dy qeveri u rrëzuan përmes mocioneve të mosbesimit.
Rezultati i zgjedhjeve mund të prodhojë një qeveri funksionale, të cilën Mali i Zi nuk e ka thuajse që nga prilli i vitit 2020, kur Partia Demokratike e Socialistëve, asokohe e udhëhequr nga Millo Gjukanoviq, humbi në zgjedhje.
Media të ndryshme ndërkombëtare dhe analistët politikë, ditëve të fundit, thanë se këto zgjedhje do të jenë vendimtare edhe për të ardhmen e Malit të Zi, pasi votuesit do të kenë mundësi të vendosin për të përkrahur partitë dhe koalicionet - disa përkrahëse të Perëndimit, të tjerat përkrahëse të Serbisë, apo Rusisë.
Këto janë zgjedhjet e para parlamentare në 30 vjetët e fundit, në të cilat nuk merr pjesë ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, i cili humbi në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në muajin prill të këtij viti.
Paraprakisht, më 16 mars, tre ditë para se të zhvillohej rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale, Gjukanoviq shpërndau Parlamentin dhe caktoi zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke përmendur trazirat e vazhdueshme brenda Qeverisë dhe mungesën e përparimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Zgjedhjet e 11 qershorit ishin zgjedhjet e 12-ta parlamentare që nga futja e sistemit shumëpartiak dhe të gjashtat që nga pavarësimi i Malit të Zi në vitin 2006.
Mali i Zi është anëtar i NATO-s që nga viti 2017 dhe kandidat për anëtarësim në BE që nga fundi i vitit 2012.
Mali i Zi hapi të 33 kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE - të fundit në qershor 2020 - dhe mbylli tre.
Lini një Përgjigje