Një moment tensioni u shënua në Shtëpinë e Bardhë gjatë konferencës për shtyp, pasi zëdhënësja e presidentit amerikan, Karoline Leavitt, u përplas verbalisht me gazetarin Niall Stanage lidhur me vrasjen e Renee Nicole Good, një 37-vjeçare që u qëllua për vdekje nga një agjent i ICE më 7 janar 2026.
Stanage e cilësoi ngjarjen si “të pamenduar dhe të pabazë”, gjë që shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Leavitt:
“Pse mendoni se ishte e pamenduar dhe e pabazë?”, e pyeti ajo gazetarin. Ky i fundit u përgjigj se, sipas tij, agjenti kishte vepruar pa menduar dhe kishte vrarë menjëherë gruan.
Pas kësaj përgjigjeje, Leavitt reagoi ashpër duke e quajtur Stanage “një sharlatan të majtë” dhe duke vënë në dyshim profesionalizmin e tij.
“Ju nuk jeni gazetar. Thjesht prezantoheni si i tillë në këtë dhomë dhe kjo dallohet qartë nga mënyra se si bëni pyetje. Ju dhe media të tjera me këtë lloj njëanshmërie nuk duhet të ishit fare këtu”, u shpreh Leavitt.
Ajo shtoi se një pjesë e mediave, sipas saj, kanë një qasje të shtrembëruar dhe të njëanshme, veçanërisht ndaj veprimeve të agjencive federale, duke minuar besimin ndaj institucioneve dhe duke e kthyer gazetarinë në aktivizëm.
Ngjarja që përfshin vrasjen e Renee Good ka shkaktuar protesta dhe debate të forta në SHBA mbi përdorimin e forcës nga agjentët federalë, ndërsa familja e viktimës ka kërkuar një hetim të plotë dhe vendosjen e drejtësisë.
Lini një Përgjigje