
Zbardhen detaje të reja dhe tronditëse për atentatin me armë ndaj mjekut Zekirija Shahini, ndodhur më 6 tetor në qendër të Kumanovës. Burime zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut kanë konfirmuar arrestimin e bashkëshortes së tij, 43-vjeçarja A.A. nga Tetova, e cila dyshohet si e përfshirë direkt në organizimin e atentatit.
Në një komunikatë zyrtare të MPB-së thuhet se: “Më 7 tetor 2025, punonjës policie nga Stacioni i Kumanovës arrestuan A.A., për arsye të bazuara në dyshimin se ajo është e përfshirë në tentativën për vrasjen e bashkëshortit të saj, Z. Sh. (43) nga fshati Sllupçan, Likovë”. Ky zhvillim shndërron atë që fillimisht u dyshua si atentat politik, në një ngjarje me motive të dyfishta, personale dhe të organizuara.
Autoritetet kanë marrë në pyetje edhe gjashtë persona të tjerë në lidhje me ngjarjen, ndërsa kanë kryer bastisje në banesën e një 50-vjeçari nga Kumanova. Në të njëjtën kohë, një 36-vjeçar nga Gostivari, i identifikuar si L. F., është shpallur në kërkim, pasi dyshohet si personi që kreu të shtënat ndaj Shahinit.
Mjeku Zekirija Shahini, i njohur edhe si kandidat për këshilltar i BDI në komunën e Likovës, ndodhet jashtë rrezikut për jetën pas trajtimit mjekësor në spitalin e Kumanovës. Ai u qëllua me armë zjarri nga një person i maskuar në orët e mbrëmjes, në një ndër rrugët më të frekuentuara të qytetit, çka shkaktoi alarm të madh dhe dyshime për atentat me sfond politik.
Por me arrestimin e gruas së tij si të dyshuar për porositjen e krimit, hetimet marrin një drejtim tjetër. Deri më tani nuk është zbuluar motivi i saktë i përfshirjes së saj, ndërkohë që hetuesit nuk përjashtojnë as pistën e konflikteve të brendshme familjare të kombinuara me interesa të tjera.
Lini një Përgjigje