Irani pretendon se ka goditur një avion luftarak F-16 që i përket Izraelit gjatë një operacioni në hapësirën ajrore iraniane. Sipas një deklarate të Gardës Revolucionare, të transmetuar nga televizioni shtetëror dhe të cituar nga agjencia IRNA, incidenti ndodhi në orën 03:45 të mëngjesit në Iranin qendror.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite deklaroi më herët se një raketë tokë-ajër u lëshua kundër një prej avionëve të saj gjatë një “aktiviteti operacional” në Iran. Autoritetet izraelite nuk specifikuan llojin e avionit, por theksuan se mjeti ajror identifikoi kërcënimin, nuk pësoi dëmtime dhe përfundoi misionin sipas planit. Nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për të njëjtin incident të përmendur nga pala iraniane.
Mediat iraniane publikuan gjithashtu një imazh, autenticiteti i të cilit nuk është verifikuar, ku shfaqet tym në qiell. Sipas tyre, një tjetër avion është vënë në shënjestër, pa dhënë detaje mbi tipin apo përkatësinë e tij.
Pamje të tjera të pakonfirmuara që qarkullojnë në media dhe rrjete sociale pretendojnë se tregojnë rrëzimin e një avioni luftarak. Megjithatë, këto materiale nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Sipas deklarimeve të mëparshme nga autoritetet iraniane, forcat e mbrojtjes ajrore të vendit pretendojnë se kanë goditur mbi 200 mjete ajrore gjatë konfliktit, përfshirë dronë dhe raketa. Këto pretendime nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje