TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota31 Janar 2026, 15:02

Video/ Alarm në Iran, shpërthim i fuqishëm pranë portit; shënjestër kreu i Marinës?

Shkruar nga Pamfleti
Video/ Alarm në Iran, shpërthim i fuqishëm pranë portit;
Pamje nga zona e shpërthimit

Alarmi u ngrit të shtunën në Iran pas një shpërthimi të fortë në një ndërtesë në portin Bandar Abbas, në Gjirin Persik, një nga nyjet më strategjike detare të vendit. Shpërthimi shkaktoi dëme të rënda materiale, ndërsa autoritetet iraniane u detyruan të reagojnë menjëherë për të hedhur poshtë spekulimet për një atentat ndaj kreut të Marinës së Gardës Revolucionare.

Sipas mediave shtetërore, shpërthimi dëmtoi dy kate të një ndërtese tetëkatëshe, si dhe automjete të parkuara dhe biznese përreth. Në zonë mbërritën forca zjarrfikëse dhe ekipe shpëtimi, ndërsa policia izoloi perimetrin për arsye sigurie dhe për hetim të shkaqeve.

Agjencia gjysmëzyrtare Tasnim i cilësoi si “krejtësisht të pavërteta” raportimet në rrjetet sociale se objektiv i shpërthimit kishte qenë komandanti i Marinës së Gardës së Revolucionit Islamik, duke mohuar çdo skenar atentati ndaj figurave të larta ushtarake.

Ndërkohë, një shpërthim i dytë në jug të vendit rezultoi tragjik, duke shkaktuar vdekjen e katër anëtarëve të një familjeje, sipas raportimeve lokale.

Mehredad Hasanzadeh, drejtori i përgjithshëm për menaxhimin e krizave në provincën Hormozgan (ku ndodhet Bandar Abbas), deklaroi për agjencinë IRNA se ka nisur një hetim zyrtar për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë se një pjesë e fasadës së ndërtesës është shkatërruar nga shpërthimi, ndërsa mediat iraniane raportojnë me tone të rezervuara, pa konfirmuar nëse bëhet fjalë për aksident apo akt të qëllimshëm.

shperthim iran

Lini një Përgjigje