SHBA-ja ka ndryshuar strategjinë duke kërkuar zgjidhje lokale, gjë që rrit ndikimin e nacionalistëve dhe e lë Bashkimin Evropian të vetëm në ruajtjen e rendit kushtetues atje. Por me mungesë trupash dhe pa mbështetjen logjistike amerikane, Brukseli e ka shumë të vështirë të garantojë sigurinë…
Kur administrata Trump hoqi sanksionet ndaj udhëheqësit separatist serb të Bosnjës, Milorad Dodik, në fund të tetorit 2025, kjo shënoi një rreshtim të ri dramatik në Ballkanin Perëndimor. Ky vendim ka nxitur shqetësime serioze në Evropë se rendi i brishtë i pasluftës në Bosnjë dhe Hercegovinë mund të lëkundet.
Në këtë vend me 3 milionë banorë, ku dikur u ndezën për herë të parë shkëndijat e Luftës së Parë Botërore, ka mbizotëruar një bllokim i tensionuar që nga përfundimi i luftimeve gjenocidale të viteve 1990.
Korniza komplekse e krijuar nga Marrëveshja e Dejtonit, e cila përfshin 15 parlamente dhe tre anëtarë të presidencës kolektive, e ka mbajtur vendin stabil, por të stagnuar. Që nga viti 2004, paqja në terren është ruajtur nga misioni ushtarak i Bashkimit Evropian, Operacioni Althea. Megjithatë, me Donald Trumpin në krye të SHBA-së, kjo balancë delikate rrezikon të përmbyset.
Për herë të parë që nga viti 1995, Uashingtoni dhe Moska tani gjenden në të njëjtën anë sa i përket Dodikut, politikanit që ka kaluar dy dekada duke minuar marrëveshjen e paqes të ndërmjetësuar nga vetë amerikanët. Për pasojë, Evropa përballet me një provë vendimtare: a mund ta ruajë ajo sigurinë në zemër të Ballkanit pa mbështetjen e Pentagonit?
Lobimi i fortë dha frytet e veta
Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) hoqi Dodikun dhe bashkëpunëtorët e tij nga “lista e zezë” më 29 tetor 2025. Ky vendim anuloi ndëshkimet e vendosura më parë për minimin e integritetit territorial të Bosnjës.
Dodik, udhëheqësi i Republikës Srpska, ka kërcënuar vazhdimisht me shkëputje, duke miratuar ligje që dobësonin kontrollin e Sarajevës, shumë prej të cilave u shpallën të paligjshme.
Ky ndryshim i kursit amerikan nuk erdhi rastësisht, por pas një fushate intensive lobimi. Autoritetet e Republikës Srpska punësuan firma me lidhje të forta me Partinë Republikane, si Becker & Poliakoff dhe Tactic Global. Ndër emrat që bënë presion për lehtësimin e sanksioneve ishin figura si ish-guvernatori Rod Blagojevich, Michael Flynn dhe Rudy Giuliani.
Ndonëse Departamenti i Shtetit e cilësoi lëvizjen si përgjigje ndaj “veprimeve konstruktive”, kritikët vërejnë se Dodik nuk ka ndryshuar qëndrim. Vetëm pak muaj pas heqjes së sanksioneve, ai organizoi një paradë ushtarake antikushtetuese më 9 janar të këtij viti, duke përdorur një retorikë të ashpër kundër boshnjakëve dhe komunitetit ndërkombëtar.
Rusia po përmbahet nga kërcënimi me veto
Një zhvillim tjetër befasues ishte votimi unanim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të zgjatur mandatin e EUFOR Althea. Rusia, që pritej të bllokonte misionin, lejoi rinovimin e tij. Analistët, si Kurt Bassuener, mendojnë se Moska llogarit që BE-ja nuk do ta përforcojë misionin mjaftueshëm për të qenë një mjet parandalues i besueshëm.
Me ushtrinë e zënë në Ukrainë, Rusia duket se po mbështetet te partneriteti i saj me Dodikun për të vazhduar destabilizimin e rajonit përmes mjeteve politike. Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, e vizitoi rajonin duke theksuar se stabiliteti i Ballkanit është prioritet për BE-në. Megjithatë, mbetet ende pyetja: çfarë do të ndodhë pas një viti nëse Rusia vendos të përdorë veton?
“Patatja e nxehtë” boshnjake u është lënë evropianëve
Ndryshimi i retorikës në Uashington është shumë i dukshëm. Ambasadorja amerikane, Nicole McGraw, deklaroi se SHBA-ja nuk po ndjek më strategjinë e “ndërtimit të shtetit” (nation-building) në Bosnjë, por po kërkon zgjidhje lokale.
Kjo i hap rrugën nacionalistëve dhe e lë Bashkimin Evropian si aktorin e vetëm që përpiqet të ruajë rendin kushtetues. Gjatë vizitës në Sarajevë, Kallas siguroi se “nuk do të lejohet që të përsëritet historia”, por mjetet e BE-së janë të kufizuara.
Misioni EUFOR ka aktualisht 1,600 trupa, shifër kjo shumë më e ulët se niveli i rekomanduar prej 4,800 trupash për të garantuar sigurinë e plotë. Pa mbështetjen logjistike dhe politike të SHBA-së, Brukseli po operon në një “qorrsokak” strategjik.
Pasojat strategjike
Destabiliteti në Bosnjë godet drejtpërdrejt ambiciet e BE-së për të qenë një aktore gjeopolitike me peshë. Sipas Bassuener, ky është i vetmi rajon ku Evropa mund të jetë vendimtare, por ajo shpesh refuzon të përdorë të gjitha mjetet e saj, duke u mjaftuar me premtimet e procesit të zgjerimit dhe ndihmës financiare.
Në këtë lojë shahu, Dodik ka vënë dy baste: që komuniteti ndërkombëtar nuk do të jetë i bashkuar për t’i rezistuar dhe që pala boshnjake do të mbetet e përçarë. Deri tani, zhvillimet në Uashington dhe ngurrimi i Brukselit po i japin të drejtë. Tani Evropa duhet të provojë nëse është mjaftueshëm e guximshme për të përforcuar praninë e saj dhe për të mbrojtur arkitekturën e sigurisë në Ballkan, edhe pa “vëllain e madh” përtej Atlantikut./Përshtati "Pamfleti", nga “Defense News”
Ushtria climate shqiperise ne serbi ushtria shqiperise ish republika jugosllave ushtria climate shqiperise ballkan perdimore ushtria climate shqiperi per pavarsi 1912