TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Janar 2026, 14:53

Venezuela, Gaza, Ukraina: A e ka humbur kuptimin ekzistenca e OKB-së?

Shkruar nga Juliette McIntyre & Tamsin Phillipa Paige
Venezuela, Gaza, Ukraina: A e ka humbur kuptimin ekzistenca e OKB-së?
Venezuela në OKB

Nga pushtimi i Ukrainës dhe katastrofa humanitare në Gaza te tensionet në Venezuelë, sfidat e viteve të fundit kanë vënë në pikëpyetje aftësinë e OKB-së për të përmbushur misionin e saj themelor: ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. 80 vite pas themelimit, Kombet e Bashkuara përballen me një krizë besueshmërie, ku vetoja e fuqive të mëdha paralizon Këshillin e Sigurimit, ndërsa bota pyet nëse organizata mund të mbijetojë si garant i paqes globale...

Kombet e Bashkuara festuan 80-vjetorin në tetor të vitit të kaluar, një moshë e respektueshme për organizatën më të rëndësishme ndërkombëtare që ka njohur bota. Por ngjarjet e viteve të fundit - nga veprimi ushtarak i Trump për të kapur presidentin venezuelan Nikolas Maduro, te pushtimi i paligjshëm i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, e deri te katastrofa humanitare që vazhdon në Gaza - e kanë vënë në provë serioze sistemin e OKB-së.

Sot shumëkush pyet: a ka ende të ardhme kjo organizatë, nëse nuk është në gjendje të përmbushë misionin e saj themelor për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare? Institucioni kryesor i OKB-së për ruajtjen e paqes është Këshilli i Sigurimit. Sipas Kartës së OKB-së, përdorimi i forcës është i ligjshëm vetëm në 2 raste: kur autorizohet nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit (Neni 42), ose kur një shtet vepron në vetëmbrojtje pas një sulmi të armatosur (Neni 51).

Madje edhe atëherë, vetëmbrojtja është e vlefshme vetëm derisa Këshilli të ndërhyjë për të rivendosur paqen.

Fuqia e vetos: Arma e 5 të mëdhenjve

Këshilli i Sigurimit ka 15 anëtarë: 5 të përhershëm (Kina, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA - të njohur edhe si P5) dhe 10 jo të përhershëm, të zgjedhur për mandate dyvjeçare. Çdo vendim kërkon të paktën 9 vota pro dhe asnjë veto nga P5, duke u dhënë këtyre 5 fuqive kontroll të plotë mbi veprimet e Këshillit.

Ky mekanizëm, u krijua për të shmangur përplasjet me fuqitë e mëdha pas Luftës së Dytë Botërore, por funksionon vetëm kur P5 pranojnë të luajnë sipas rregullave. Siç e kanë treguar rusët dhe amerikanët vitet e fundit, e drejta e vetos mund ta paralizojë Këshillin e Sigurimit, pavarësisht shkeljeve flagrante të së drejtës ndërkombëtare.

Për këtë arsye, vetoja kritikohet shpesh si mekanizëm. Megjithatë, përdorimi i saj për interesa të ngushta kombëtare, sado i papranueshëm politikisht, nuk është i ndaluar ligjërisht. Karta e OKB-së nuk vendos kufizime mbi veton, as nuk parashikon ndonjë mekanizëm gjyqësor për ta kontrolluar atë.

Ky është një nga defektet më të mëdha - dhe të qëllimshme - të sistemit aktual. Në fakt, Karta e OKB e vendos P5 mbi ligjin. Ajo jo vetëm që u jep të drejtën të bllokojnë çdo veprim kolektiv, por edhe çdo përpjekje për reformë.

Teorikisht, nenet 108 dhe 109 lejojnë ndryshime, por praktikisht kjo është e pamundur. Shpërbërja dhe rindërtimi i OKB-së me një kartë të re do të ishte alternativa e vetme, por kërkon një nivel bashkëpunimi global që sot nuk ekziston. Dhe me shumë gjasa, P5 do të bllokonte çdo lloj reforme që u heq fuqinë e vetos.

OKB-ja mes dështimit dhe domosdoshmërisë

Duket që ne po shohim në kohë reale rënien e sistemit ndërkombëtar të paqes dhe sigurisë të udhëhequr nga OKB-ja. Këshilli i Sigurimit nuk mund të veprojë kur agresorët janë vetë vendet e P5-ës.

Por nëse fokusohemi vetëm te Këshilli i Sigurimit, rrezikojmë të injorojmë pjesën tjetër të punës së OKB-së, e cila shpesh zhvillohet larg vëmendjes publike. Sekretariati mbështet misionet paqeruajtëse dhe politike, organizon konferenca e negociata.

Këshilli i të Drejtave të Njeriut monitoron shkeljet e të drejtave. Ndërkohë, agjencitë e OKB-së koordinojnë ndihmën humanitare, ofrojnë mbështetje për shëndetësinë, klimën, zhvillimin dhe fusha të tjera ku asnjë shtet nuk mund të veprojë i vetëm.

Pra, e vërteta e hidhur është kjo: sot kemi vetëm dy zgjedhje - një institucion global me të meta të thella, ose asnjë të tillë. E ardhmja e OKB-së mund të jetë thjesht një mbijetesë e vështirë, duke ruajtur atë që ende funksionon, deri sa të ndryshojnë kushtet politike.

Ne e mbështesim jo sepse ajo është e përsosur, por sepse mungesa e saj do të ishte shumë më e  rrezikshme. A duhet të synojmë një sistem më të drejtë, ku fuqitë e mëdha nuk shpërblehen me papërgjegjshmëri? Pa asnjë dyshim që po.

Por nuk duhet të hedhim poshtë gjithë punën e mirë që bën OKB-ja përtej dyerve të Këshillit të Sigurimit, pavarësisht hipokrizisë dhe cinizmit të 5 anëtarëve të përhershëm të tij./ Përshtati "Pamfleti" Nga “The Conversation”

venezuela okb gaza

Lini një Përgjigje