
Papa ka fjetur mirë gjatë natës e tani pushon. Ky është njoftimi i ditës së sotme, 27 shkurt, nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, përsa i përket gjendjes shëndetësore të Papës, i cili ndodhet i shtruar në Poliklinikën Gemelli të Romës që prej datës 14 shkurt.
Mësohet gjithashtu se, sot në mëngjes, Papa vazhdoi terapitë e caktuara nga mjekët, duke iu nënshtruar disa analizave të tjera. Vazhdon edhe oksigjenimi, por tashmë, mund të ulet në kolltuk. Ati i Shenjtë informohet për nismat e shumta të lutjes që po organizohen për të kudo. Kujtojmë se edhe në Shqipëri, dita e sotme është caktuar nga Konferenca Ipeshkvnore si ditë e lutjes për shëndetin e Papës. Ipeshkvijtë shqiptarë u kanë bërë thirrje gjithë besimtarëve të bashkohen në lutje për t’i kërkuar Zotit që Françesku të shërohet sa më shpejt e të kthehet në shërbimin e tij në krye të Kishës universale.
Gjithnjë nga Salla e Shtypit e Vatikanit njoftohet se edhe gjendja shpirtërore e Papës është e mirë. Për shkak se do të mbetet i shtruar në spital, “audienca jubilare e së shtunës, 1 mars, anulohet".
Lini një Përgjigje