E ardhmja e rindërtimit pas një katastrofe të rëndë natyrore, mund të kalojë nëpërmjet një qyteti të lashtë, të themeluar nga një gjeneral i Aleksandrit të Madh. Qyteti i Antakias, i njohur në antikitet si Antiokia, u shkatërrua vitin e kaluar nga tërmetet më të forta që e kanë goditur Turqinë në më shumë se 80 vjet.

Konsorciumi që ka marrë përsipër zbatimin e planit për rindërtimin e qytetit antik, shpreson se ai do të bëhet një model mbarëbotëror për rinovimin e qendrave urbane, të cilat kanë pësuar trauma të ngjashme për shkak të shkatërrimeve të mëdha.
Realiteti i hidhur është se kjo fushë, ka të ngjarë të përjetojë një zhvillim të madh gjatë viteve të ardhshme. Luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, do të kërkojnë procese rindërtimi në shkallë të gjerë, teksa qytete si Mariupol apo Gazës janë shndërruar në gërmadha. Ndërkohë, uragani Milton, që goditi shtetin e Floridës në SHBA këtë javë, na kujtoi edhe njëherë koston e lartë ekonomike që shkaktojnë fatkeqësitë natyrore, me dëme dhe humbje që arrijnë deri në 100 miliardë dollarë. Dhe këto vetëm dy javë pasi Uragani Helen, goditi disa shtete të tjera amerikane duke shkaktuar veç dëmeve materiale edhe vdekjen e më shumë se 200 njerëzve.
Në terma afatgjatë, kriza e klimës po e rrit rrezikun që më shumë mjedise urbane të bëhen të pa jetueshme, pasi rritja e temperaturave po e thellon ndikimin e ngjarjeve të tilla si stuhitë dhe zjarret. “Është një problem i madh, megjithatë askush nuk është i fokusuar tek ai”- më tha Furkan Demirci, kryetar i Këshillit Turk të Dizajnit, në një intervistë dhënë se fundi fundmi në Londër, ku ndodhej për të marrë pjesë në një forum mbi çështjet arkitekturore.
“Qytetet pas katastrofës, duken si një çështje e veçantë. Por nuk është kështu. Ne jetojmë në një botë plot fatkeqësi natyrore dhe luftëra. Kriza e klimës do të zhdukë shumë qytete. Si qytetërime njerëzore, ne duhet të mësojmë sërish se si t’i rindërtojmë qytetet tona”- u shpreh ai
Tërmetet e shkurtit të vitit 2023, shkatërruan rreth 80 për qind të ndërtesave në Antakia, duke detyruar qindra mijëra njerëz në qytet dhe zonën përreth që të jetojnë në strehimore të përkohshme, të përbëra nga kuti transporti në formë kontejneri dhe tenda.
Antakia është kryeqyteti i provincës Hatay në Turqinë Juglindore, i vendosur midis kufirit sirian dhe Detit Mesdhe. Ajo ishte një nga zonat më të prekura nga tërmetet, të cilat i morën jetën më shumë se 50.000 njerëzve vetëm në Turqi. Qeveria turke përcaktoi se dëmi nga fatkeqësia është më shumë se 100 miliardë dollarë, ose rreth 9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Këshilli Turk i Dizajnit, një organizatë joqeveritare e themeluar në vitin 2016, ka bërë bashkë një konsorcium ndërkombëtar prej më shumë se 30 ekspertësh në disiplina të shumta për të punuar në projektin e rindërtimit, duke përfshirë arkitektët e kompanie Foster + Partners Ltd. dhe Bjarke Ingels Group, ose BIG në Mbretërinë e Bashkuar.
Projekti bazohet në forcimin e qëndrueshmërisë së qytetit, duke përfshirë krijimin e zonave të gjelbra mbrojtëse rreth lumit Asi, si dhe për t’i zhvendosur ndërtesat larg zonave që janë më të prekshme ndaj aktivitetit sizmik. Kjo do të ketë efektin dytësor të mbrojtjes nga përmbytjet, pasi zonat e gjelbra ofrojnë më shumë mundësi për largimin e ujit.
Qyteti i ri është i projektuar me një sistem urban të tillë, ku çdo rreth ka rrugët, shkollat, kopshtet dhe sheshet e tij të lojërave. Pas rindërtimit, qyteti do të ketë 3 herë më shumë hapësira të gjelbra dhe 2 herë më shumë sipërfaqe publike, thotë Demirci.
Njëkohësisht, lartësia mesatare e strukturave do të bjerë në 5 kate nga 6 kate para tërmetit, duke siguruar të njëjtin numër apartamentesh. Ndërtimi më kompakt dhe rrjetet e përmirësuara të transportit, do të ofrojnë rrugë më të lehta shpëtimi në rastin e fatkeqësive të mundshme në të ardhmen.
Është e qartë ky projekt përballet me dilema komplekse midis kërkesave për shpejtësi, efikasitet dhe ndjeshmëri ndaj dinamikave të paprekshme sociale të komuniteteve lokale. Kjo është edhe më sfiduese në një vend me rëndësi historike, kulturore dhe fetare si Antakia, e themeluar rreth vitit 300 Para Krishtit.
Ajo ishte një nga qytetet më të mëdha në perandoritë Seleukide, Romake dhe Bizantine, si dhe me shumë rëndësi në Rrufën e Mëndafshit, që lidhte Evropën me Azinë. Ta gabosh do të ishte e lehtë. Demirci më tregoi një foto të disa blloqeve me kulla të larta, duke refuzuar të tregojë vendndodhjen (“ndoshta edhe në Turqi”).
Ndërtesat e banimit mund të ngrihen brenda disa muajsh, por rezultati mund të jetë ”thjesht një konvikt i madh”, pra një zonë pa tregti apo kulturë, ku njerëzit do të ngurojnë të jetojnë. Në të kundërt, aktiviteti njerëzor mund të rikthehet shpejt edhe në komunitetet e shkatërruara, me dyqane që ngrihen mes rrënojave dhe qyteteve të kontejnerëve të Hatay.
Planifikuesit urbanë u bazuan tek përvoja e projekteve të mëparshme të rindërtimit pas tërmeteve, duke i kushtuar vëmendje të veçantë rastit të Japonisë, e cila u mbështet tek aktorët lokalë në përpjekje për të rigjallëruar komunitetet pas tërmetit katastrofik të vitit 2011.
Qeveria japoneze angazhoi inxhinierë vendas dhe ekspertë të tjerë midis pothuajse 1000 njerëzve për të punuar në ri-projektimin e zonave të dëmtuara. Po ashtu, u mbajtën takime publike për të gjetur konsensus midis të gjitha palëve të interesuara. Kjo transparencë i dha një shkallë të lartë mbështetje lokale projektit të Antakias, thotë Demirci.
Faza e projektimit, që tani ka përfunduar, është vetëm hapi i parë. Zbatimi për një projekt që pritet të përfundojë pas 10 vjetësh do të sjellë sfidat e veta. Ritmi i rindërtimit të ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti në Turqi, nuk ka ecur sipas premtimit të bërë nga presidenti Recep Tayyip Erdogan menjëherë pas fatkeqësisë natyrore.
Ndaj është i kuptueshëm zhgënjimi midis atyre që jetojnë ende në qytetet e kontejnerëve edhe pas 1 viti e gjysmë. Ecuria e rindërtimit të Antakias vlen të ndiqet me vëmendje. Sido që të vazhdojë ky proces, ai do të na japë disa mësime që duhen mbajtur parasysh./Përshtati Pamfleti nga “Bloomberg”
Lini një Përgjigje