
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi sot një takim të nivelit të lartë me kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, ku temë qendrore ishte koordinimi diplomatik me SHBA-në, garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe rindërtimi pas luftës.
Zelensky e cilësoi takimin si një moment kyç për konsolidimin e unitetit euro-atlantik në raport me luftën në Ukrainë, duke falënderuar personalisht liderët për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. “Ajo që është thelbësore sot është uniteti midis Evropës dhe Ukrainës, si dhe uniteti midis Evropës, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara”, u shpreh presidenti ukrainas.
Në deklaratën e tij pas takimit, Zelensky tha se diskutimet përfshinë:
-një qasje të përbashkët diplomatike me SHBA-në për zgjidhjen politike të konfliktit,
-forcimin e garancive të sigurisë për Ukrainën në periudhën afatgjatë,
-si dhe hapat e koordinuar për rindërtimin ekonomik dhe infrastrukturor të vendit.
Po ashtu, u zhvillua një bisedë e veçantë mbi mbështetjen e mëtejshme ushtarake, një çështje kritike për vijimësinë e qëndresës ukrainase në front.
Zelensky vlerësoi përkushtimin e tre liderëve evropianë dhe nënvizoi rëndësinë e rolit të tyre personal në afrimin drejt paqes: “Jam mirënjohës për gatishmërinë e tyre për të qëndruar me popullin ukrainas. Ky është një sinjal i fortë për Rusinë dhe për botën.”
Takimi vjen në një moment delikat për diplomacinë perëndimore, teksa ndihma për Ukrainën në Kongresin Amerikan është përballë sfidave politike të brendshme, ndërkohë që BE po përpiqet të ruajë kohezionin mes shteteve anëtare për ndihmën financiare dhe ushtarake.
Lini një Përgjigje