
Brukseli nuk e pranoi logjikën e overbooking-ut, ku Athina shpresonte të përfitonte fonde shtesë në rast se shtete të tjera të BE nuk arrinin të plotësonin kushtet për projektet e tyre ushtarake...
Brukseli u ka vendosur bllokad ambicieve të Athinës për armatime.
Sipas dokumenteve zyrtare, më 29 nëntor, Ministria Greke e Mbrojtjes dorëzoi në Bruksel një listë me 22 projekte ushtarake, duke synuar jo vetëm fondet që i takojnë Greqisë, por edhe një pjesë të fondeve që do të mbeteshin të pashfrytëzuara nga vendet e tjera, një taktikë e njohur në gjuhën burokratike si “overbooking”. Greqia kërkoi të blinte 2.8 miliardë euro armatime.
Mirëpo më 5 dhjetor, përgjigjja nga Task Forca e SAFE ishte e prerë: Projekti nuk pranohet në këtë formë dhe Greqia duhet të riprogramojë kërkesën me një tavan të ri financiar prej 787,669,283 eurosh, shumë më poshtë nga pretendimet fillestare.
BE: Jo financimeve spekulative
Brukseli nuk e pranoi logjikën e overbooking-ut, ku Athina shpresonte të përfitonte fonde shtesë në rast se shtete të tjera të BE nuk arrinin të plotësonin kushtet për projektet e tyre ushtarake. Sipas Task Forcës së SAFE (Security Action For Europe, kjo qasje nuk është në përputhje me rregullat e barazisë dhe transparencës në ndarjen e fondeve.
Për më tepër, SAFE kërkon edhe një sqarim të detajuar nga Ministria Greke e Mbrojtjes mbi mënyrën se si planifikon të realizojë disa prej projekteve që janë unikale, pra të zhvillohen vetëm nga Greqia, pa përfshirje ndër-shtetërore nga vende të tjera anëtare të BE-së.
Çfarë do të thotë kjo për ambiciet ushtarake të Greqisë?
Ky bllokim nga Brukseli është një goditje për planet ambicioze të qeverisë Mitsotakis, e cila në vitet e fundit ka ndërmarrë një kurs të fortë armatimi dhe modernizimi ushtarak, shpesh në emër të balancimit të raporteve me Turqinë në Egje.
Refuzimi i fondeve dhe kërkesa për ristrukturim e lë projektin aktual në pezull, derisa Athina të sjellë një version të ri dhe më realist që respekton kufijtë financiarë të caktuar nga BE. /Pamfleti
Lini një Përgjigje