TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Tetor 2025, 20:06

“Ulini shpatat”, Papa Leone mesazh të fuqishëm: Boll me luftë, bota ka nevojë për paqe

Shkruar nga Pamfleti

“Ulini shpatat”, Papa Leone mesazh të fuqishëm: Boll me

Në një kremtim të mbushur me simbolikë dhe solemnitet, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, u vendos statuja origjinale të Zonjës së Fatimës, ndërsa dhjetëra mijëra besimtarë u mblodhën në lutje për paqe, së bashku me Papën.

Ngjarja shënoi përvjetorin e hapjes së Koncilit të Dytë të Vatikanit, më 11 tetor 1962 – dita e fjalimit të famshëm “drejt hënës” nga Papa Gjon XXIII, në përfundim të asaj që ai e quajti “një ditë e madhe paqeje”. Në këtë atmosferë, Papa Leone XIV, duke vendosur një trëndafil të artë përballë figurës së Marisë, e thirri ndërmjetësinë e saj, me lutjen: “Qofshim nën mbrojtjen e saj, për të jetuar si vëllezër dhe motra, dhe kështu, në një botë të ndarë nga përplasjet dhe përçarjet, të bëhemi artizanë të paqes.”

Papa, në reflektimin e tij, kujtoi se shprehja “Ulni shpatat” është një fjalë që i drejtohet fuqive të botës, liderëve të kombeve: “Keni guximin e çarmatosjes!

Duke u kthyer te fjalët e Jezusit në kopshtin e Ullinjve, drejtuar Pjetrit, ai theksoi: “Çarmatoseni dorën, por para së gjithash zemrën. Paqja nuk është as frikësim, as ultimatum, por vëllazëri dhe dialog. Ajo nuk është fryt i fitoreve ndaj armikut, por rezultat i mbjelljeve të drejtësisë dhe faljes së guximshme.”

Papa shtoi se kjo fjalë nuk është vetëm për fuqitë e mëdha, por për secilin prej nesh: “Duhet të çarmatosim zemrën tonë. Sepse nëse nuk ka paqe brenda nesh, nuk do të jemi në gjendje të sjellim paqe.”

Në një ton të thellë dhe reflektues, ai shtoi: “Të mëdhenjtë e kësaj bote ndërtojnë perandori me pushtet dhe para. Por Jezusi na thotë: ‘Ju, mos veproni kështu.’ Ai nuk ka frone, por një peshqir për t’u ulur në gjunjë dhe për të larë këmbët e të tjerëve. Kjo është fuqia e vërtetë.”

Papa Leone XIV kërkoi ndryshim perspektive, që bota të shihet nga sytë e atyre që vuajnë, jo nga lartësitë e pushtetit: “Shikojeni historinë me sytë e vejushës, jetimit, të huajit, fëmijës së plagosur, të mërguarit, të arratisurit, të atyre që mbyten në det, të Lazrit të varfër pranë derës së të pasurit. Përndryshe, asgjë nuk do të ndryshojë, dhe nuk do të lindë një epokë e re drejtësie dhe paqeje.”

Papa përmendi mbi 50 konflikte aktive në botë – nga Lindja e Mesme në Ukrainë, deri te luftërat e heshtura, shpesh të harruara, si ajo në Mozambik, ku xhindistët kanë djegur kisha, vrarë dhjetëra të krishterë dhe rrëmbyer fëmijë.

Duke reflektuar mbi këtë dhunë, ai përfundoi: “Shikoni Nënën e Jezusit dhe gratë e guximshme pranë Kryqit. Të mësojmë edhe ne të qëndrojmë pranë kryqeve të panumërta të kësaj bote, ku Krishti vazhdon të kryqëzohet në trupin e vëllezërve tanë. Të qëndrojmë për të dhënë ngushëllim, bashkësi dhe ndihmë.

Ky ishte një apel universal për paqe të vërtetë, një thirrje për çarmatosje morale dhe shpirtërore, për të ndalur spiralen e hakmarrjes dhe për të kthyer sytë nga njerëzimi që vuan.

Lini një Përgjigje