TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Tetor 2025, 18:45

Paralajmërimi i fortë i Barack Obamës: Autoritarizmi, rreziku më i madh për popullatën!

Shkruar nga Pamfleti

Paralajmërimi i fortë i Barack Obamës: Autoritarizmi, rreziku

Ish-presidenti amerikan: Demokracia po shpërbëhet para syve tanë

Në një bisedë të zhvilluar së fundmi me aktivistë të demokracisë nga Hungaria dhe Polonia, ish-presidenti amerikan Barack Obama lëshoi një paralajmërim të qartë mbi një “valë në rritje të autoritarizmit që po përfshin globin”, përfshirë edhe vende që dikur konsideroheshin të paprekshme nga erozioni i lirive themelore.

Po shohim politikanë që sulmojnë shoqërinë civile, minojnë lirinë e shtypit dhe përdorin drejtësinë si armë politike. Askush nuk po shpëton. Edhe vendet që besonin se ishin të paprekshme nga sulmet e papërmbajtura ndaj demokracisë, po kuptojnë se jemi të gjithë pjesë e të njëjtës betejë”, tha Obama.

Pa e përmendur në mënyrë eksplicite, Obama i referohej qartazi Donald Trump-it dhe ndikimit të tij të vazhdueshëm në politikën amerikane dhe ndërkombëtare. Gjatë vitit të fundit, Obama ka qenë gjithnjë e më kritik ndaj një rikandidimi të Trump, duke e konsideruar si një kërcënim për themelet demokratike.

Në aktivitetin e organizuar nga Fondacioni Obama, ku morën pjesë ish-pjesëmarrës të programit për liderë të rinj, si Sándor Léderer (Hungari), Stefania Kapronczay (ish-drejtore e Unionit për Liritë Civile në Hungari) dhe Zuzanna Rudzinska-Bluszcz (ish-zv.ministre e Drejtësisë në Poloni), u diskutua ndikimi i liderëve autoritarë në demokracitë evropiane.

Obama shigjetoi edhe indirekt liderët që Trump i ka promovuar si aleatë, si kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili vetëquhet kampion i “demokracisë joliberale” dhe që shpesh shihet si frymëzim për qasjen autoritare të Trump.

Në Poloni, ndërkohë, zgjedhjet e fundit sollën në pushtet një figurë të afërt me partinë e djathtë populiste “Ligj dhe Drejtësi”, në një lëvizje që mund të zhbëjë përpjekjet e qeverisë qendrore për të çmontuar trashëgiminë autoritare.

Obama theksoi se vetë qeveritë perëndimore, të qendrës së djathtë apo të majtë, kanë një pjesë faji në ngritjen e populizmit, duke humbur kontaktin me njerëzit dhe duke mos përmbushur pritshmëritë minimale të qytetarëve.

Shumë njerëz ndihen të pafuqishëm përballë ekonomive moderne dhe kanë përshtypjen se as politikanët nuk kanë kontroll mbi ato forca. Kjo i bën të ndjeshëm ndaj frikës, zemërimit dhe mesazheve që ushqejnë ndarjen”, tha ai.

Ai shtoi se rrjetet sociale kanë luajtur një rol kritik në polarizimin politik, duke i bërë qytetarët “më të frikësuar dhe më të zemëruar ndaj kujtdo që mendon ndryshe.”

Obama theksoi se autoritarët nuk ndërtojnë, ata vetëm shkatërrojnë: “Ata heqin pengesat, fuqizojnë veten dhe rrethin e tyre, por nuk kanë asnjë ide konkrete për të zgjidhur problemet reale si arsimi apo shëndetësia. Për ta, mjafton të ndajnë përfitimet me miqtë dhe të ndëshkojnë kundërshtarët”.

Megjithatë, ai pranoi se sistemi demokratik ka nevojë për reformim të thellë që t’u japë qytetarëve ndjesinë se pjesëmarrja e tyre ka ndikim real. /Përshtatur nga "CNN"

Lini një Përgjigje