Omani ndodhet ditët e fundit në qendër të një përplasjeje diplomatike të padëshiruar, ndërsa vazhdon ngërçi mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme. Javën e kaluar, Trump paralajmëroi publikisht Muskatin, i cili ka mbajtur një qëndrim neutral gjatë më shumë se tre muajve të luftës, që të “sillet siç duhet”, përndryshe do të përballet me pasojat e fuqisë amerikane.
“Bëhet fjalë për ujëra ndërkombëtare dhe Omani do të sillet si të gjithë të tjerët, përndryshe do të detyrohemi t’i bombardojmë. Ata e dinë këtë dhe do të përshtaten”, deklaroi presidenti amerikan, pas një raporti të shërbimeve amerikane të inteligjencës, sipas të cilit Muskati po planifikonte të rreshtohej me Iranin për vendosjen e tarifave ndaj anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën strategjike të Hormuzit. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, kërcënoi gjithashtu sulltanatin me sanksione nëse vendos tarifa kalimi për anijet. Më vonë, ai deklaroi se ambasadori i Omanit në Uashington, Talal Alrahbi, e kishte siguruar se vendi “nuk ka asnjë plan për vendosjen e tarifave”.
Nga ana e tij, Omani ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në plane iraniane për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, kërcënimet e Trumpit nxorën në pah tensionin e fshehtë në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Muskatit, për shkak të qëndrimit neutral të Omanit dhe lidhjeve të tij të ngushta me Teheranin.
Qëndrimi “neutral” i Omanit
Me shpërthimin e luftës në Lindjen e Mesme, zyrtarët e Omanit nxituan të krijonin një kanal komunikimi me Iranin, i cili, sipas një artikulli të ëall Street Journal, kontribuoi në rihapjen e korridoreve ajrore për vendet e Gjirit.
Kjo nismë diplomatike u bë e mundur falë neutralitetit afatgjatë të sulltanatit. Gjatë gjithë luftës, Muskati u përpoq të ruante ekuilibrin mes Shteteve të Bashkuara, një aleat i vjetër, dhe Iranit, fqinjit të tij të fuqishëm përtej Ngushticës së Hormuzit.
Kjo strategji synonte të ruante kushtet për një marrëveshje të ardhshme paqeje.
Presioni në rritje nga Uashingtoni
Sipas zyrtarëve amerikanë dhe arabë, administrata Trump filloi ta shihte neutralitetin e Omanit si një qëndrim armiqësor ndaj interesave amerikane.
Sipas raportimeve, Uashingtoni po i bën tani presion Muskatit që të zgjedhë një krah dhe të kufizojë ose madje të ndërpresë marrëdhëniet e tij diplomatike me Iranin.
Ministria e Informacionit e Omanit refuzoi të komentojë raportet për presione amerikane, ndërsa ministri Abdullah Al Harasi u mjaftua duke deklaruar se “Omani mbetet i gatshëm të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara dhe çdo partner të përgjegjshëm për promovimin e stabilitetit dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta strategjike”.
Një dilemë e vështirë diplomatike
Marrëdhëniet mes Omanit dhe Shteteve të Bashkuara datojnë prej pothuajse dy shekujsh, duke e bërë sulltanatin një nga partnerët më të vjetër të Uashingtonit në Gjirin Persik.
Njëkohësisht, edhe marrëdhëniet e tij me Iranin janë shumë të hershme. Ndryshe nga shumica e fqinjëve të tyre sunitë, banorët e Omanit ndjekin kryesisht doktrinën ibadite, një shkollë e veçantë e Islamit e njohur për moderimin dhe tolerancën e saj.
Marrëdhëniet e ngushta me të dyja palët i kanë mundësuar Omanit të luajë një rol vendimtar në negociatat që çuan në përfundimin e luftës Iran-Irak në vitet 1980, si edhe në bisedimet sekrete mes administratës Obama dhe Teheranit që përfunduan me marrëveshjen për programin bërthamor iranian në vitin 2015.
Omani priti gjithashtu raundet e para të bisedimeve të fundit mes SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor, të cilat u ndërprenë për shkak të sulmeve izraelite dhe amerikane.
Çfarë ndryshoi në marrëdhëniet me Uashingtonin
Sipas zyrtarëve amerikanë, dyshimet e administratës Trump arritën kulmin kur ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, u shfaq në një rrjet televiziv amerikan një ditë para goditjeve të para amerikano-izraelite dhe deklaroi se një marrëveshje për programin bërthamor mes Uashingtonit dhe Teheranit ishte “shumë afër”.
Sipas të njëjtave burime, Shtetet e Bashkuara vlerësonin se nuk ekzistonte asnjë propozim thelbësor nga Irani që të justifikonte një optimizëm të tillë.
Që atëherë, administrata Trump thuhet se po përpiqet të anashkalojë Muskatin nga çdo proces diplomatik që lidhet me krizën.
Pavarësisht kërcënimeve publike, zyrtarët amerikanë mbështesin qëndrimin se nuk ekziston ndonjë plan real për veprime ushtarake kundër Omanit.
Izolim diplomatik
Kritikat amerikane nxorën në pah edhe një problem tjetër për sulltanatin: ndikimin e kufizuar të tij në qendrat vendimmarrëse të Uashingtonit.
Ndryshe nga vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Bahreini, Arabia Saudite apo Kuvajti, Omani nuk strehon baza ushtarake amerikane dhe ka një peshë më të vogël ekonomike dhe gjeopolitike.
Njëkohësisht, marrëdhëniet e tij të ngushta me Teheranin duket se shkaktojnë pakënaqësi edhe te disa aleatë arabë të SHBA-së në rajon, kryesisht te Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite, të cilat konsiderojnë se Muskati tashmë është afruar tepër me Iranin.
Lini një Përgjigje