TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Nëntor 2024, 15:24

Turqia e sotme më pak peshë në skenën ndërkombëtare, si pasojë e politikës së jashtme të gabuar të Erdogan

Shkruar nga Sinan Ciddi

 

Turqia e sotme më pak peshë në skenën
Rexhep Taip Erdoan /

Erdogan dhe miqtë e tij, janë përpjekur t’i japin këtij dështimi në politikën në jashtme një term zyrtar të sheqerosur: “autonomi strategjike” nga Perëndimi. Por ai duhet etiketuar për atë që është vërtet: një dështim që e ka mënjanuar Turqinë nga miqtë...

Nuk ka asnjë dyshim se nën qeverisjen e Recep Tayyip Erdogan dhe të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), ka rënë ndjeshëm pesha e Turqisë në skenën ndërkombëtare. Në rast se qëllimi i politikës së jashtme është në parim ndjekja dhe realizimi i interesave kombëtare në arenën ndërkombëtare, mund të thuhet se epoka e AKP-së ka prodhuar rezultate të mjerueshme.

Nga marrëdhëniet me aleatët e saj perëndimorë dhe fqinjët rajonalë, e deri tek anëtarësimi në rrjetet e sigurisë së aleancës, politika turke nën islamizmin autoritar ka qenë një dështim i madh. Sot Ankaraja është një fuqi e dobësuar, që ngjall mosbesim, dhe që ka më pak ndikim sesa përpara se Erdogan të merrte pushtetin në fillim të vitit 2003. Nëse dikush dyshon për këtë, shqyrtoni këtë pyetje: Sa vende brenda NATO-s, në të cilën Turqia është anëtare që nga viti 1952, e konsiderojnë atë një aleate të besueshme?

Kjo nuk ishte ajo që i premtuan votuesve Erdogan dhe as kolegët e tij, kur kandiduan për herë të parë në vitin 2002. Në fakt, manifesti i parë i AKP-së, e hidhte poshtë armiqësinë historike të islamikëve ndaj Perëndimit. Pasi kishte kaluar disa muaj në burg, me akuza të sajuara për nxitje të dhunës dhe shpifje ndaj rendit laik qemalist të Turqisë, Erdogan tha se “kishte ndryshuar”.

AKP u themelua nën udhëheqjen e tij nga një grup reformistësh, të cilët deklaruan dëshirën e tyre për ta hequr ngarkesën e rënë ideologjike. Në vend se të bënin thirrje për një rikthim në “epokën e artë” të Perandorisë Osmane, siç  kishte premtuar lëvizja islamike “Perspektiva Kombëtare” që nga vitet 1960, aktorët politikë me ndikim pranë Erdogan, si Abdullah Gul dhe Bulent Arinç, e mbështesnin praninë e Turqisë në NATO-s, synimin për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, dhe për të siguruar të ardhmen e Turqisë si një demokraci progresiste laike në përputhje me parimet e Kemal Ataturkut, babait të Turqisë moderne.

Tani është e lehtë të kthesh kokën pas dhe të thuash se premtime të tilla, duhej të ishin parë me dyshim. Kur Barack Obama mori detyrën si president i SHBA-së në vitin 2009, ai e konsideroi Turqinë si një vend “model”, që përfaqësonte harmonizimin e suksesshëm midis qeverisjes demokratike dhe islamit.

Por edhe atëherë jo pak njerëz e paralajmëruan botën se çfarë përfaqësonte vërtet Erdogan. Kur u bë kryeministër për herë të parë, ai e kishte kaluar pjesën më të madhe të karrierës politike i zhytur tërësisht në doktrinën politike të lëvizjes islamike turke. Strategjia e tij për ta larguar Turqinë nga aleanca perëndimore ishte graduale.

Ajo nisi si një përpjekje me dy drejtime: në fillim, e braktisi procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE (pas vitit 2007), dhe më pas i dha fund lidhjeve të ngushta të Turqisë me Izraelin. Erdogan e përdori justifikimin e bllokimit të procesit në BE, që padyshim ishte një hap i gabuar nga fuqitë evropiane, për të nxitur një diskurs të egër, sipas të cilës Evropa ishte islamofobike dhe nuk donte ta shihte Turqinë si një anëtare të saj.

Ndërsa kjo mund të ketë qenë e vërtetë, Erdogan bëri pak përpjekje për ta bërë Turqinë anëtare të bllokut. Në vitin 2017, Erdogan e demonizonte vazhdimisht BE-në si urrejtëse e myslimanëve, duke i etiketuar  shpesh si “mbetje naziste” fuqitë evropiane si psh.Holandën.

Erdogani e dëmtoi rëndë pozitën globale të Turqisë pas Pranverës Arabe, dhe sidomos në Luftën Civile Siriane. Nën drejtimin e  Ahmet Davutoglu, “magjistarit të politikës së jashtme” të Erdogan, Turqia u përpoq të ishte jo një partnere e fuqive myslimane që synonin të çliroheshin nga sundimi autokratik, por një fuqi që donte të mbronte regjimet e Vëllazërisë Myslimane, të cilat Erdogan dhe Davutoglu u përpoqën t’i paraqisnin si lëvizje demokratike.

Në rastin e Sirisë, Erdogan u përpoq të vendoste aty një regjim sunit përmes ndryshimit të regjimit. Turqia ofroi ndihma në parë, armë dhe kalimin tranzit të luftëtarëve për organizatat ekstremiste të lidhura me Al Kaedën, që po përpiqeshin të rrëzonin regjimin e Assad.

Në kohën e themelimit të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak (2014–2015), Erdogan nuk i kushtoi vëmendje rreziqeve të shkaktuara nga i ashtuquajturi Kalifat. Përkundrazi e ndihmoi atë, duke besuar se ISIS donte të përmbyste regjimin e Assadit. Qasje të tilla, bënë që Turqia të humbiste shumë miq dhe aleatë.

Fuqitë e mëdha arabe, përfshirë Egjiptin dhe Arabinë Saudite, i panë veprimet e Turqisë si agresive dhe destabilizuese për sigurinë dhe kohezionin e rajonit. Edhe Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane u distancuan nga politikat gjithnjë e më të kaotike të Erdogan.

Ndërkohë në vitin 2019, Erdogan mori vendimin fatal për blerjen e armëve ruse, duke shkaktuar përjashtimin e Ankarasë nga programi i prodhimit të përbashkët të avionëve luftarakë F-35 dhe vendosjen e sanksioneve nga SHBA-ja. Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurtin e vitit 2022, Erdogan e shndërroi në një mision personal pengimin e zgjerimit të NATO-s, duke e vonuar për muaj të tërë hyrjen në aleancë të Finlandës dhe Suedisë.

Pas sulmeve terroriste të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, Erdogan mori një pozicion të veçantë si i vetmi lider i NATO-s, që jo vetëm kritikoi veprimet ushtarake izraelite në Gaza, por e njohu Hamasin si një grup “luftëtarësh të lirisë”, që meritonin plotësisht mbështetjen e qeverisë turke.

Përpara Erdoganit, Turqia dhe Perëndimi kishin përjetuar momente të vështira në histori. Gjatë Luftës së Ftohtë, ka pasur raste kur Ankaraja kishte dilema mbi rolin dhe vendin e tij brenda Perëndimit. Por në asnjë moment, Turqia nuk i dogji urat e bashkë-punimit me aleatët e saj perëndimorë.

Ajo nuk i dha asnjëherë arsye NATO-s, Evropës apo Uashingtonit që të mos e besonin. Ja pra se çfarë i ka bërë Erdogan vendit të tij, që e ka drejtuar me grusht të hekurt, duke imponuar botëkuptimin e tij ideologjik dhe islamik.

Në kushtet aktuale, Uashingtoni është i interesuar ta mbajë Turqinë të distancuar, duke u angazhuar në mënyrë transaksionale me të për një seri të kufizuar qëllimesh. Edhe Evropa është e interesuar të komunikojë me Ankaranë, vetëm për aq kohë sa Turqia është e gatshme ta ndihmojë në frenimin e valës së refugjatëve nga Lindja e Mesme.

Përveç Katarit, nuk mund të identifikohet asnjë fuqi tjetër myslimane në rajon, që e percepton Turqinë si një aktor shtetëror të parashikueshëm dhe të përgjegjshëm. Është e vështirë të thuhet, se Turqia është aleate apo partnere e besuar e shumë vendeve.

Erdogan dhe miqtë e tij, janë përpjekur t’i japin këtij dështimi në politikën në jashtme një term zyrtar të sheqerosur: “autonomi strategjike” nga Perëndimi. Por ai duhet etiketuar për atë që është vërtet: një dështim që e ka mënjanuar Turqinë nga miqtë./Përshtati Pamfleti nga “National Interest”

Shënim: Sinan Ciddi, anëtar i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive.

turqia e sotme skena ndërkombëtare politika e jashtme erdogan

Lini një Përgjigje