TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Nëntor 2024, 13:26

Pas Vuçiç, Donald Trump flet në telefon me Mitsotakis

Shkruar nga Pamfleti

Pas Vuçiç, Donald Trump flet në telefon me Mitsotakis

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka zhvilluar dje në mbrëmje një bisedë telefonike me presidentin e sapozgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump.

Zyra e shtypit në qeverinë greke informon opinionin se diseda mes dy liderëve zgjati rreth 10 minuta dhe u zhvillua 6 ditë pasi republikani Trump fitoi zgjedhjet presidenciale.

Sipas burimeve qeveritare, gjatë bisedës, kryeministri grek nënvizoi rëndësinë e partneritetit strategjik greko-amerikan për stabilitetin dhe sigurinë mes dy vendeve.

Më tej Mitsotakis theksoi se pret një bashkëpunim të ngushtë me administratën e re amerikane për çështjet dypalëshe me interes rajonal dhe ndërkombëtar.

Sakaq zbulohet se Mitsotakis i bëri ftesë Donald Trump për të vizituar Greqinë.

Edhe Aleksandar Vuçiç njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, telefonatë kjo të cilën kreu i shtetit serb u kujdes që ta përshkruante si “të shkëlqyer”. 

“Sapo përfundova një bisedë me presidentin e sapozgjedhur amerikan, Donald Trump. Biseda ishte do të thosha shumë e përzemërt”, u shpreh Vuçic në Instagram.

“Përcolla shpresën time që ai të vizitojë Serbinë, pasi Serbia ishte vendi ku mbështetja për zgjedhjen e presidentit Trump ishte më e madhja në gjithë Europën”, tha Vuçiç, që pretendon më tej se Trump nga ana e tij e ka falënderuar për “mbështetjen e madhe” që ka marrë nga “qytetarët e Serbisë, nga populli serb, dhe besoj se në periudhën e ardhshme do të kemi mundësi të flasim për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona, në të gjitha fushat”.

Lini një Përgjigje