Teksa fermerët shqiptarë u ndëshkuan me mbylljen e fondeve nga BE si pasojë e korrupsionit të qeverisë, Serbia njoftoi se ka nënshkruar një marrëveshje për të marrë 288 milionë euro në fonde granti sipas programit IPARD III të Bashkimit Evropian.
Programi u lejon fermerëve serbë të paraqesin propozime projektesh në qeveri për të shfrytëzuar fondet dhe për të investuar në blerjen e pajisjeve dhe rregullimin e objekteve në fermat rurale, tha qeveria në një deklaratë për shtyp të martën.
Dy thirrje për propozime janë hapur tashmë sipas programit, tha delegacioni i BE-së në Serbi në një deklaratë të veçantë.
Emanuele Giaufret, ambasadore e BE-së në Serbi, tha se financimi do t’u mundësojë fermerëve, agro-përpunuesve dhe komuniteteve rurale të adresojnë sfidat, të përmirësojnë konkurrencën e tregut dhe të promovojnë zhvillimin rural, përfshirë në sektorë si turizmi.
“Në kuadër të programit IPARD III, fondet e reja të pakthyeshme që Bashkimi Evropian i akordon Serbisë në sektorin e bujqësisë janë rritur me rreth 65% krahasuar me programin IPARD II dhe një mbështetje e tillë është jashtëzakonisht e rëndësishme si për vendin tonë ashtu edhe për bujqësinë tonë”, tha ministri i bujqësisë i Serbisë, Aleksandar Martinovic.
Së bashku me kontributin e qeverisë së Serbisë dhe pjesëmarrjes së vetë fermerëve, efekti i përgjithshëm i programit IPARD III mund të arrijë në mbi 580 milionë euro, tha Delegacioni i BE-së.
Sipas programit të mëparshëm IPARD II, Serbia ka marrë 175 milionë euro fonde të BE-së për bujqësinë.
Ndërkohë për Shqipërinë, fondet e IPARD vijojnë të mbeten të bllokuara për një afat të pacaktuar dhe pasojat në mënyrë direkte do t’i vuajnë fermerët shqiptarë, të cilët nuk mund të përfitojnë dot prej tyre.
Në korrik të vitit 2023, Bashkimi Evropian vendosi të pezullojë këtë mbështetjepër Shqipërinë, për shkak se IPARD II u përfshi në hetime nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), me dyshimet për keqmenaxhim të këtyre fondeve.
Më pas rezultatet e hetimeve iu dorëzuan autoriteteve të Brukselit, ndersa OLAF zbuloi shumë parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të shumë projekteve.
Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj, gjatë raportimit në komisionin e Ekonomisë u pyet mbi zhbllokimin e fondeve të IPARD dhe se kur ato do jenë në dispozicion të fermerëve, të cilët janë “viktimë” e drejtpërderjtë e keqmenaxhimit të strukturave shqiptare.
Ajo theksoi se deri në korrik të 2025 nuk priten zhvillime për këtë.
“Ne po ekzekutojmë planin e veprimit për ndryshime të rëndësishme në strukturat në përmirësim të Agjencisë në Pagesave ABZHR, struktura është duke përfunduar, dhe një nga kërkesat shtesë ishte që strukturat të rrisnin kapacitetet për parandalime, për kontrolle dhe më shumë vëmendje për digjitalizimin e sistemeve. Këto po zhvillohen dhe po plotësohen me staf. Deri në korrik ne do të jemi në zbatim të planit të veprimit dhe pas muajit korrik ne do të jemi në gjendje të thërrasim DigiAgri për të dërguar dokumentet për IPARD 3“, tha ajo.
Lini një Përgjigje