
Është jetike të bëjmë gjithçka që mundemi për të qenë të përgatitur për operacionet e tipit “Vrit dhe rrëmbej”. Lufta nëpër tunele është e tmerrshme, dhe përgatitja për më shumë beteja të tilla, do të jetë për fat të keq një element vendimtar i fushëbetejës së shekullit XXI-të.
Një vit nga fillimi i luftës së Izraelit kundër Hamasit, është bërë më se e qartë se “qendra e gravitetit” ushtarak - elementi më i rëndësishëm i konfliktit - nuk janë më raketat apo numri i trupave që ka grupi terrorist. Përkundrazi, janë më shumë 400 tunele të ndërtuara nën Rripin e Gazës.
Nga këto tunele, Hamasi dhe sponsori i tij, Irani, ishin në gjendje të stërvitnin, pajisnin, organizonin dhe nisnin sulmet e tmerrshme të 7 tetorit 2023. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), kanë bërë publike një manual të kapur nga Hamasi që në vitin 2019, që përshkruan në detaje se si grupi u përpoq të maksimizonte numrin e viktimave, përmes aftësive që ndërtoi me kujdes nën tokë dhe jashtë vëmendjes së autoriteteve izraelite.
Grupi i stërviti forcat për të luftuar nëntokë, duke përdorur syze për shikim natën, gjurmues GPS, kamuflazh special dhe dyer mbrojtëse. Trupat e Hamasit arritën të krijonin një fushë beteje krejtësisht të ndryshme nga lufta tradicionale që zhvillohet mbi tokë.
Është e lehtë të besohet se Hamasi e bëri këtë si fryt i një krijimtarie unike, dhe tani po shohim shfaqjen e një stili të ri të luftës. Në fakt, përdorimi i tuneleve në luftë ka një histori të gjatë. Pyetja sot është se si mbërritja e teknologjive të fundit, mund të përmirësojë këtë stil të lashtë luftimi, duke i përballur strategët ushtarakë me sfida të reja anembanë globit.
Ku janë rrjetet e tyre të tuneleve? Ç’duhet të bëjnë SHBA dhe aleatët e saj për t’u përgatitur? Xhenierët kanë ndërtuar komplekse tunelesh përgjatë shekujve, për të goditur pas shpine ushtritë e lashta greke dhe romake. Ironikisht, gërmimet e kohëve të fundit kanë zbuluan se 2 mijë vite më parë rebelët hebrenj të Judesë, përdorën qindra kilometra tunele që lidhnin fshatrat gjatë revoltës së tyre kundër romakëve.
Kinezët e lashtë dhe osmanët i përdorën tunelet, sidomos për minimin e qyteteve që rrethonin. Tunelet luajtën një rol të rëndësishëm edhe në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Për shembull në të parën, trupat aleate vendosën mina të fuqishme nën linjën gjermane të frontit.
Ndërsa në Luftën e Dytë Botërore, Ushtria Perandorake Japoneze ndërtoi komplekse të dendura tunelesh në shumë nga ishujt e saj duke synuar rezistencën e pafund përballë trupave amerikane. Japonezët zbuluan se mund të dyfishonin numrin e viktimave të armikut duke u mbrojtur nga brenda tuneleve, në vend se të përpiqeshin që t’i frenonin sulmet në plazhe.
Në Iwo Jima, përdorimi i tuneleve shkaktoi më shumë se 7.000 amerikanë të vrarë dhe mbi 20.000 të tjerë të plagosur. Sot, rrjeti më i sofistikuar i tuneleve ushtarake gjendet ndoshta në Korenë e Veriut. Ato gjendën ne thellësi të tokës, ndoshta të papërshkueshme edhe nga sulmet më të mëdha konvencionale.
Forcat e SHBA-së dhe Koresë së Jugut, kryejnë vazhdimisht stërvitje të mëdha që synojnë hyrjen dhe shkatërrimin e komplekseve të tilla. Tunelet e Koresë së Veriut janë shumë më të mëdhenj, më të mbrojtur dhe plot me armë shumë më të avancuara se sa ato në Gaza.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s kanë komplekset e tyre të nëndheshme. Kompleksi ushtarak malor “Cheyenne” në Kolorado, i menaxhuar nga Forcat Hapësinore të SHBA-së, është një bunker i madh i mbrojtur edhe nga sulmet bërthamore. Ai gjendet në zemër të Komandës së Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut.
Kur isha komandanti i lartë i NATO-s, ne kishim një version më të vogël të bazës nëntokësore “Cheyenne” pranë selisë sime në Mons të Belgjikës. Sigurisht, këto objekte janë në thelb të ndryshme nga kompleksi e tuneleve të Hamasit, Koresë së Veriut, Iranit apo ai në Tora Bora në Afganistan, dikur strehë e Al-Kaedës dhe sot e kontrolluar nga talebanët.
Rusia pretendon se ka përdorur sisteme tunelesh, për të kaluar prapa vijës së frontit ukrainas dhe kryer sulme të befasishme. Komplekset e ndërtuara nga shtetet diktatoriale dhe grupimet terroriste, ekzistojnë synojnë të garantojnë paprekshmërinë ndaj inteligjencës perëndimore dhe sulmeve ushtarake të zakonshme.
Atëherë, çfarë mësimesh mund të nxjerrin strategët e luftës nga lufta e ushtrisë izraelite, për të vendosur nën kontroll labirintin nëntokësor të Hamasit? Së pari, sistemet tradicionale të inteligjencës, duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi rrjeteve të tuneleve që zotëron Irani (ku fsheh programin e tij bërthamor), Koreja e Veriut (fsheh jo vetëm armët bërthamore, por edhe lëshuesit e tyre) si dhe grupet terroriste.
Mjetet teknike - monitorimi i telefonave celularë, mbikëqyrja kibernetike - dhe inteligjenca njerëzore (operativët e integruar) duhet të hedhin më shumë dritë mbi atë që po ndodh në errësirë. Trupat amerikane dhe ato aleate, do të kenë nevojë për një përgatitje më të mirë për operacionet luftarake nëntokësore: trajnime për shkatërrimin e rrjeteve të tuneleve me përmasa
të mëdha; integrimi inxhinierik me njësitë luftarake për të përfshirë jo vetëm mjetet shpërthyese, për shembull përmbytjen e tyre me ujë; stërvitje me pajisjet e shikimit natën dhe në hapësira shumë të kufizuara; përdorimin e forcave speciale atje për të bërë spastrime; dhe gatishmërinë psikologjike për një luftë nëntokësore e cila është shumë ndryshe nga operacionet mbi tokë.
Një leksion tjetër kyç i Gazës, është se ne duhet të përdorim teknologji të reja. Këtu përfshihen sistemet e inteligjencës që mund të zbulojnë dhe matin nga hapësira përmasat komplekseve nëntokësore ose duke përdorur dronët me qëndrim të gjatë në ajër. (Kjo mund të përfshijë teknologjinë hiperspektrale - imazhet me rezolucion të lartë, bazuar në informacionin në të gjithë spektrin elektromagnetik - për të parë lëvizjen e tokës ndërsa tunelet zgjerohen).
Po ashtu të nevojshme janë aftësitë pa pilot - gjurmimit të të zërit, rrezet infra të kuqe dhe gjurmimin e dritës - të cilat mund të veprojë përpara trupave për të reduktuar viktimat. Ndërkaq do të ishte e dobishme gjetja e mënyra të reja për ta bërë të papëlqyeshme jetën nëntokësore: për shembull reduktimi i ajrit dhe ujit, ose duke krijuar avuj të pakëndshëm.
Natyrisht, prania e dhjetëra pengjeve izraelite në Gaza, e bën shumë më të vështirë përdorimin e mjeteve të tilla. Prandaj, prisni që kundërshtarët e tjerë të nisin të kopjojnë Hamasin dhe të fillojnë konfliktet e tyre duke rrëmbyer një numër të konsiderueshëm civilësh apo personel ushtarak.
Është jetike të bëjmë gjithçka që mundemi për të qenë të përgatitur për operacionet e tipit “Vrit dhe rrëmbej”. Lufta nëpër tunele është e tmerrshme, dhe përgatitja për më shumë beteja të tilla, do të jetë për fat të keq një element vendimtar i fushëbetejës së shekullit XXI-të.
Nëndetëset u shndërruan në grabitqare të nivelit të lartë gjatë Luftës së Parë Botërore, për shkak të aftësisë së tyre për t’u zhytur poshtë dallgëve, dhe më pas daljes në sipërfaqe për të mbledhur të dhëna dhe goditur anijet armike. Edhe terroristët dhe shtetet diktatoriale, do të mendojnë gjithnjë e më shumë se si të bëjnë të njëjtën gjë nga nëntoka./Përshtati Pamfleti nga Bloomberg
Shënim: James Stavridis, admiral në pension i Marinës Amerikane, ish-komandant i lartë i NATO-s, aktualisht dekan në Shkollën e Drejtësisë dhe Diplomacisë në Universitetin Tufts.
Lini një Përgjigje