Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pasi deklaroi se një pushtim tokësor në Iran do të ishte “humbje kohe”, paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të kenë rol në përcaktimin e liderit të ardhshëm të vendit.
Në një intervistë për NBC News, Trump hodhi poshtë pretendimet iraniane për një pushtim të përbashkët amerikano-izraelit, duke thënë se një operacion i tillë nuk është në planet e tij.
“Është humbje kohe”, u shpreh ai. “Ata kanë humbur gjithçka. Kanë humbur flotën detare dhe gjithçka tjetër që mund të humbnin”.
Megjithatë, ai theksoi se SHBA synon të ndërhyjë për të stabilizuar situatën ndërsa vendi përgatitet të zgjedhë një udhëheqës të ri. “Ne duam të hyjmë dhe të pastrojmë gjithçka”, tha ai.
Trump shtoi se Uashingtoni nuk dëshiron që rindërtimi i Iranit të zgjasë një dekadë.
“Ne duam që ata të kenë një lider të mirë. Ka disa njerëz që mendoj se mund të bëjnë një punë të mirë”, u shpreh ai, pa përmendur emra konkretë. Ai gjithashtu theksoi se po bëhen përpjekje për të siguruar që këta persona të mos vriten gjatë konfliktit.
Trump gjithashtu u bëri thirrje forcave të sigurisë iraniane përfshirë ushtrinë, policinë dhe anëtarët e Islamic Revolutionary Guard Corps që të dorëzojnë armët.
Ai premtoi “imunitet të plotë” për ata që braktisin regjimin aktual teokratik dhe mbështesin popullin iranian.
“I bëj thirrje sërish të gjithë anëtarëve të Gardës Revolucionare iraniane, ushtrisë dhe policisë të dorëzojnë armët. Tani është momenti për të mbrojtur popullin iranian dhe për t’i ndihmuar të rimarrin vendin e tyre”, deklaroi presidenti amerikan.
Sipas tij, ata që dorëzohen do të jenë të mbrojtur. “Do t’ju japim imunitet të plotë”, tha Trump, duke shtuar se dezertorët do të jenë “në anën e duhur të historisë”.
Në të kundërt, ai paralajmëroi pasoja të rënda për ata që vazhdojnë luftën. “Do të jeni plotësisht të sigurt me imunitet të plotë, përndryshe do të përballeni me një vdekje absolutisht të garantuar. Dhe nuk dua ta shoh këtë”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje