TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Shkurt 2024, 09:51

“Shkrepja” e Donald Trump që shkundi aleancën ushtarake të NATO-s

Shkruar nga Pamfleti
“Shkrepja” e Donald Trump që shkundi aleancën ushtarake
Ish-presidenti Trump në një takim të NATO-s

Nuk është sekret se vendet evropiane kanë “shijuar” një periudhë vetëkënaqësie pas Luftës së Ftohtë dhe kanë qëndruar të qeta me mendimin se nëse do të ndodhte më e keqja, Amerika do t’u dilte në ndihmë.

Perëndimi ka ndryshuar. Supozimet e vjetra se Amerika po mbron botën dhe rendi botëror pas Luftës së Ftohtë nuk ekzistojnë më. Dikur diplomatët talleshin duke thënë se Evropa moderne varet nga Kina për krahun e lirë të punës, nga Rusia për energji të lirë dhe Amerika për siguri. Asnjëra nga këto supozime nuk janë pa komplikime tani dhe Evropa nuk ka opsion tjetër përpos të ndërrojë me kohën dhe të kujdeset për sigurinë e vet.

Ka qenë javë e mirë për NATO-n. Disa ditë pas deklarimit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump se do ta shtynte Rusinë “të bënte çfarë të donte” me aleatët e NATO-s që nuk përmbushin zotimin për shpenzimet në mbrojtje, “janë ngjallur” shtetet e NATO-s. Rekord anëtarë të NATO-s kanë deklaruar se do t’i rrisin shpenzimet.

Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, tha të mërkurën se 18 nga 31 anëtarët e aleancës ushtarake do ta përmbushin zotimin që dy për qind e prodhimit të brendshëm bruto të dedikohet për mbrojtjen. Kjo nënkupton shpenzime në vlera rekorde në aleancë këtë vit, shkruan CNN.

Pas dyerve, zyrtarët po festojnë në heshtje. Sigurisht, është gjë e mirë që më shumë vende evropiane po shpenzojnë më shumë në mbrojtje, në kohën kur kontinenti ballafaqohet me rrezikun më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore. Por në mënyrë private, gjithashtu pranojnë se kjo është vetëm pikënisje që duhet të zhvillohet gradualisht nëse Evropa është serioze për mbrojtjen e vet.

Vendet që rritën shpenzimet për mbrojtje që nga pushtimi i Ukrainës janë: Polonia, Estonia, Lituania, Finlanda, Romania, Hungaria, Letonia dhe Sllovakia. Këto vende kanë një gjë të përbashkët: ose janë në kufi me Rusinë ose e shohin veten në sferën e interesave ruse.

Arsyeja pse këto vende duan të përforcojnë mbrojtjen është e qartë, duke pasur parasysh afërsinë e tyre me rrezikun. Por pavarësisht qëllimit, këto vende relativisht të vogla, të vetme nuk do të mund ta mbrojnë veten dhe rritja e shpenzimeve për mbrojtje nuk e rregullon automatikisht zbrazëtinë në sigurinë evropiane.

Nuk është sekret se vendet evropiane kanë “shijuar” një periudhë vetëkënaqësie pas Luftës së Ftohtë dhe kanë qëndruar të qeta me mendimin se nëse do të ndodhte më e keqja, Amerika do t’u dilte në ndihmë.

Shpërfaqja direkte e qëndrimeve të Trumpit për NATO-n dhe shpenzimet e mbrojtjes evropiane, i zgjuan aleatët nga gjumi. Retorika e ftohtë dhe e drejtpërdrejtë e ish-presidentit – që po synon të rikthehet në këtë post është e dhimbshme, sepse në thelb është vërtet e hidhur: Evropa nuk është gati për të mbrojtur veten pa Amerikën.

Pavarësisht nëse bëhet fjalë për ushtri të vogla, mungesë të armatimit ose rezerva të pakta të municionesh, nuk është askush në institucionet e sigurisë në Evropë që mund ta mohojë se kanë bërë gabime dhe se gabimet nuk janë shlyer deri së voni.

Vetëm shpenzimi nuk i zgjidh këto probleme dhe disa zyrtarë të NATO-s shqetësohen që grumbullimi i papritur i parave mund t’i komplikojë gjërat nëse aleatët nuk koordinohen.

“Nëse të gjithë papritmas nguten të blejnë lloje të ndryshme të raketave, për shembull, disa blerës mund t’i rrisin çmimet”, ka thënë një zyrtar për CNN.

Zyrtarët po përpiqen ta adresojnë këtë përmes negocimit të marrëveshjeve shumëkombëshe me kompanitë e armëve. Shembulli është marrëveshja e arritur më herët këtë vit mes disa vendeve evropiane që të blihen 1000 raketa “Patriot”. Kontrata 5.5 miliardë dollarësh iu dha një sipërmarrjeje të përbashkët gjermano-amerikane. Kontrata ishte aq e majme sa që një fabrikë po ndërtohet në Gjermani, duke krijuar vende pune që duhet t’i qetësojë evropianët që ankohen se para të shumta po shkojnë drejt Amerikës.

Një tjetër zyrtar ka thënë se dërgimi i shumave të mëdha të parave në SHBA mund të bëjë që ligjvënësit të mos bllokojnë ndihmat për Ukrainën. Logjika e tyre: nëse mund të bindin ligjvënësit që një shumë e parave do përfundojë e shpenzuar në firma amerikane, ata mund ta shfrytëzojnë si rrëfim pozitiv për votuesit e tyre.

Zyrtarët shohin koordinimin si çështje kryesore për të bërë sa më efikas interesin e ripërtërirë të sigurisë evropiane. I ashtuquajturi Model i Ri i Forcave të NATO-s, që u dakordua në vitin 2022, paracakton detyra specifike për aleatë specifikë bazuar në pikat e tyre të forta dhe aftësinë e tyre për t'u marrë me skenarë të caktuar.

Malcolm Chalmers, zëvendësdrejtori i përgjithshëm në ‘think-tankun’ “Royal United Services Institute”, ka thënë se kjo nuk është bërë vetëm për ta rritur efikasitetin.

“Kur ke detyrë specifike të përcaktuar qartë, bëhet shumë më e vështirë për t’u fshehur. Është më e lehtë të veçohen vendet që nuk japin maksimumin, ose që shpenzojnë dypërqindëshin në fushat që nuk e ndihmojnë aleancën në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në të kaluarën ka qenë më pak e vërejtshme. Shpresojmë se kjo do të bëjë aleancën dhe shpenzimet e tyre më efektive”, ka thënë Chalmersi.

Disa zyrtarë në zyrat qendrore të NATO-s e kanë parë me keqardhje mospërmbushjen e kriterit prej dy për qind për shumicën e shteteve anëtare.

“Shpenzimi i dypërqindëshit tani është gjë e mirë, por vendet duhet të marrin parasysh dekadat, në të cilat ata nuk kanë përmbushur kërkesën minimale. Ky duhet të jetë fillimi i një brezi ndryshe. Ata që do të vazhdojnë të shpenzojnë pak dhe që ndalojnë shpenzimin e tyre, turp ju qoftë”, ka thënë një diplomat i lartë evropian. 

Një nga ndërlikimet me përdorimin e marzhës prej dy për qind të BPP-së si pikë referimi është se NATO-ja lejon që shumë gjëra të llogariten si shpenzime për mbrojtjen.

“Pensionet për ushtarakët janë të dobishme, e vërtetë, por ato nuk do qëllojnë një rus”, ka thënë një zyrtar i sigurisë evropiane.

Disa zyrtarë besojnë së vende të caktuara anojnë kah elementet që ata i shohin si më pak të rëndësishme të shpenzimeve të mbrojtjes sepse blerja e pajisjeve ushtarake është bërë e vështirë që t’i bindë votuesit evropianë tash e një kohë të gjatë. Kjo është veçanërisht e vërtetë në kohë vështirësie ekonomike dhe për vendet që nuk ndiejnë kërcënimin nga pushtimi.

Në këtë kuptim, nuk habit fakti që vendet evropiane më të pasura perëndimore si Gjermania dhe Franca me popullsi më të madhe dhe me distancë të sigurt nga Rusia – nuk kanë rritur nivelin e shpenzimeve me shkallë të njëjtë si vendet e lindjes.

Është e rëndësishme që idetë e reja të Evropës për ndryshimet në aspektin e mbrojtjes të mos i atribuohen vetëm komenteve të Trumpit. Planet e Evropës për pavarësim më të madh në mbrojtje janë të kamotshme. Por ndryshimi ka qenë i ngadalshëm dhe sa herë Trumpi ka bërë komente negative për NATO-n, ka treguar nga një të vërtetë të parehatshme për Evropën dhe vendin e saj në botën moderne.

Perëndimi ka ndryshuar. Supozimet e vjetra se Amerika po mbron botën dhe rendi botëror pas Luftës së Ftohtë nuk ekzistojnë më. Diplomatët kanë bërë shaka se Evropa moderne varet nga Kina për krahun e lirë të punës, nga Rusia për energji të lirë dhe Amerika për siguri. Asnjëra nga këto supozime nuk janë pa komplikime tani dhe Evropa nuk ka opsion tjetër përpos të ndërrojë me kohën.

Sa i përket mbrojtjes, ndryshimi do të jetë i ngadaltë dhe i dhimbshëm. Por do t’ia vlejë, nëse vendet nuk do të mërziten dhe do të punojnë së bashku. Nëse nuk e bëjnë këtë, Evropa mund ta gjejë veten duke u dobësuar gradualisht në të gjitha anët dhe papritmas këto vende që gjithmonë janë ndier të sigurta, mund të gjejnë veten të ekspozuara të turpëruara.

Lini një Përgjigje