Nëse kandidatja demokrate zgjidhet në krye të Gjykatës së Lartë në shtetin Uinskonsin, do të anulojë hartën e re elektorale duke i hequr 2 vende republikanëve. Nëse ndodh kjo, demokratët do kenë 217 vende, ndërsa republikanët 216.
Shumica republikane në Kongresin e SHBA-së, mund të jetë në rrezik edhe përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në nëntorin e viti 2026. Një betejë e fortë, pritet të ndodhë në shtetin e Uiskonsin, ku më 1 prill, votuesit do të shkojnë drejt qendrave të votimit për një garë për Gjykatën e Lartë të këtij shteti, por që do të ketë pasoja të mëdha në rang kombëtar.
Aktualisht, republikanët kanë një shumicë të ngushtë në Kongres, vetëm 218 vende përkundrejt 215 të demokratëve. Një Gjykatë e Lartë në Uiskonsin e kontrolluar nga liberalët, mund ta rrëzojë hartën elektorale, duke u kushtuar republikanëve 2 vende dhe potencialisht duke e ndryshuar kontrollin e Kongresit.
Republikanët pësuan një disfatë të ngjashme në vitin 2023, kur kandidati konservator për Gjykatën e Lartë u mund me 11 për qind diferencë, edhe sepse shpenzoi në fushatë 5 herë më pak se rivali. Në atë kohë, demokratë nga mbarë SHBA-në e përmbytën Uinskonsin me para, ndërsa shumica e figurave të njohura republikane në nivel kombëtar ishin në gjumë.
Nëse republikanët nuk zgjohen këtë herë, janë të destinuar ta përsërisin historinë vetëm 2 vjet më vonë. Megjithëse zgjedhjet për sistemin gjyqësor në Uiskonsin janë teknikisht jopartiake, në terren duken si gara të ashpra partiake, ku kandidatët që shprehin pozicione të qarta për çështje kyçe si krimi, aborti, ID e votuesve dhe taksat.
Kandidatja e sivjetme e mbështetur nga demokratët, Suzan Krauford, një gjyqtare e gjykatës në qarkun Dein, po e bën tashmë të qartë strategjinë e saj: të godasë kundërshtarin e saj konservator, ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Uisconsin, Bred Shimel për abortin, ndërsa po mbledh fonde për premtimin se një fitore do t’i ndihmonte demokratët të rishikonin hartën elektorale të shtetit.
Ajo nuk ka humbur kohë duke nisur sulmet dhe deklaruar haptazi që nëse fiton, ajo do ta zhvendosë fokusin e gjykatës për t’i dhënë demokratëve dy vende shtesë në Dhomën e Përfaqësuesve. Republikanët në nivel qëndror dhe donatorët duhet ta marrin seriozisht këtë garë.
Këto janë zgjedhjet e para të rëndësishme që nga fitorja e presidentit Trump në nëntor, dhe mediat po ndjekin nga afër, të etura të shfrytëzojnë dhe bëjnë jehonë çdo dështimi të republikanëve. Nëse Gjykata e Lartë e Uiskonsin e ruan shumicën e saj aktuale liberale, prisni që mediat krahut të majtë të dalin me titujt:”Uiskonsin refuzon MAGA!”, “Republikanët nisin të humbin sërish”.
Sondazhi i fundit i OnMessage Inc. konfirmon se është një garë e fitueshme. Ai tregon se Shimel dhe Krauford kanë nga 38 për qind të votave secili. Republikanët mund të fitojnë, por ata do të shkojnë drejt humbjes së sigurt, nëse tregohen po aq apatikë sa në vitin 2023.
Nëse do të ketë shpenzime serioze, ato duhet të përdoren për të informuar 1.7 milionë votuesit e Trump në nëntor 2024, se më 1 prill atje ka zgjedhje, edhe pse është Dita e Gënjeshtrave. Por deri tani nuk ka asnjë shpenzim domethënës, sepse donatorët republikanë duket se nuk u interesojnë këto zgjedhje
Aktivisti i vetëm republikan shumë i pasur, që i ka kushtuar vëmendje kësaj gare është Elon Musk, i cili thuhet se po shpenzon para përmes organizatave për të ndihmuar kandidatin konservator. Është një fillim i mirë, por donatorë të tjerë republikanë nga i gjithë vendi duhet të angazhohen për të përballuar revanshin e demokratëve që tashmë ka filluar.
Përtej pasojave në nivel kombëtar për Trumpin dhe republikanët, rekordi gjyqësor i Suzan Krauford është shumë shqetësues. Si gjyqtare lokale, ajo ka liruar vazhdimisht para kohe kriminelët e dhunshëm, duke përfshirë individë që kanë qëlluar njerëz me armë, kryer abuzime në familje dhe madje edhe përdhunuar fëmijë.
Ky nuk është lloji i zyrtarit që e meriton një promovim në karrierë. Po ashtu, ajo është haptazi dakord për heqjen e kriterit të identifikimit të votuesve gjatë votimit, dhe promovon rritjen e taksave. Zgjedhja e saj në gjykatën më të lartë të Uiskonsinit, do të përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për kontrollin republikan të Kongresit, sigurinë publike në këtë shtet dhe situatën në SHBA në përgjithësi./Pamfleti nga "The Hill"
Shënim: Curt Anderson, ish-zyrtar i Shtëpisë së Bardhë në kohën e Reagan, aktualisht themelues i OnMessage Inc., një kompani republikane reklamash dhe sondazhesh. Sam Kay, anketues në OnMessage Inc.
Lini një Përgjigje