Për 50 vjet, “lufta ndaj drogës” në SHBA ka prodhuar vetëm burgosje masive, racizëm sistemik dhe destabilizim në Amerikën Latine. Trump rikthen retorikën që nisi si mashtrim politik...
Në vitin 1971, presidenti Richard Nixon shpalli “luftën ndaj drogës” si prioritet kombëtar të SHBA, duke e cilësuar varësinë ndaj narkotikëve si “armikun publik numër një”. Gati gjysmë shekulli më pas, kjo luftë është kthyer në një nga dështimet më të mëdha të politikës së brendshme dhe të jashtme amerikane, me pasoja që tejkalojnë kufijtë e SHBA dhe ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin e rajoneve si Amerika Latine, e më gjerë.
Në këtë sfond, deklaratat e fundit të Donald Trump për të rikthyer luftën kundër drogës, përfshirë kërcënimet me ndërhyrje ushtarake në Venezuelë, tregojnë se narrativat e vjetra po rikthehen me të njëjtin qëllim: përfitim politik i brendshëm dhe kontroll strategjik në rajone të pasigurta.
Përtej retorikës, të dhënat janë tronditëse: mbi 1 trilion dollarë janë shpenzuar në këtë “luftë”, pa ulur ndjeshëm as kërkesën, as furnizimin me drogë. Përkundrazi, SHBA po përballet me një krizë historike të varësisë nga opioidët dhe fentanyli, me mbi 100 mijë vdekje në vit nga mbidoza. Burgjet amerikane janë mbushur me miliona njerëz, shumica dërrmuese nga komunitetet e varfra dhe racore, për shkelje të vogla që lidhen me posedimin ose përdorimin e substancave.
Dokumente dhe dëshmi të zbuluara ndër vite konfirmojnë se kjo luftë nuk ka qenë kurrë vërtet për drogën. Ish-këshilltari i Nixon, John Ehrlichman, ka pranuar publikisht se objektivi i vërtetë ishte të goditeshin politikisht lëvizjet progresiste dhe komunitetet afro-amerikane, duke i kriminalizuar përmes pretekstit të drogës. Kjo strategji e kamufluar u përforcua në vitet ‘80 me ligjet e administratës Reagan, të cilat vendosën dënime disproporcionale për të njëjtën substancë, në varësi të formës së konsumuar dhe racës së konsumatorit.
Ndërkohë, SHBA e ka eksportuar këtë luftë edhe jashtë kufijve të saj, veçanërisht në Amerikën Latine, ku ndërhyrjet ushtarake, financimet për qeveri të korruptuara dhe operacionet e inteligjencës kanë prodhuar destabilizim të thellë, dhunë të përhershme dhe migrim masiv. Shtetet si Kolumbia, Meksika dhe Venezuela kanë paguar çmimin më të lartë për një luftë që ka përfituar vetëm strukturat e sigurisë dhe kontraktorët e industrisë penitenciare në SHBA.
Deklaratat e fundit të Donald Trump për ndërhyrje të mundshme ushtarake ndaj rrugëve të trafikimit të drogës në ujërat afër Venezuelës, pa paraqitur asnjë provë konkrete, ringjallin fantazmat e një politike të dështuar dhe shtrijnë rrezikun e saj në një kontekst të ri global, ku luftërat hibride, krizat sociale dhe varfëria e skajshme po përdoren sërish si justifikime për ndërhyrje gjeopolitike.
Në vend të një rishikimi të thelluar të gabimeve strategjike, retorika politike në SHBA vijon të përqendrohet në forcë dhe frikë. Por pas 50 vitesh, bota nuk ka më luksin të besojë në trillime. "Lufta ndaj drogës" ka qenë një dështim i madh me kosto njerëzore, morale dhe strategjike. Nëse Trump e rikthen, pasojat nuk do t’i ndiejë vetëm Amerika, por gjithë rajonet që kanë qenë viktimë e “eksporteve” të dështimeve të saj politike./Pamfleti
Lini një Përgjigje