TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Dhjetor 2025, 11:59

Nga lindja e diktatorit Franko tek vdekja e filozofes së totalitarizmave, çfarë ka ndodhur më 4 dhjetor

Shkruar nga Pamfleti
Nga lindja e diktatorit Franko tek vdekja e filozofes së totalitarizmave,
Francisko Franko /

4 Dhjetor 1892 - Lindi udhëheqësi diktatorial i Spanjës Francisko Franko

Franko e sundoi Spanjën me dorë të hekurt nga fundi i Luftës Civile në 1939, deri në vdekjen e tij në 1975. Ai u ngjit në pushtet pasi forcat e tij nacionaliste, të ndihmuara fuqimisht nga Gjermania naziste dhe Italia fashiste, e mundën Republikën e Dytë në një luftë civile të egër.

Si “El Caudillo” (Shefi), ai vendosi një regjim autoritar të ashpër që shtypi çdo lloj opozite. Gjithmonë i përkushtuar ndaj ushtrisë, Franko bëri karrierë të shpejtë si ushtarak në kolonitë spanjolle në Marok. Ai u bë gjenerali më i ri në moshë i Evropës.

Por rënia e monarkisë dhe ardhja e Republikës së Dytë me reformat e saj kundër ushtrisë dhe kishës, e bënë një kundërshtar të hapur të regjimit të ri. Kur një koalicion i majtë fitoi zgjedhjet e vitit 1936, Franko u bashkua në një puç ushtarak.

Pas fillimit të kryengritjes, ai mori komandën e forcave rebelë dhe siguroi mbështetjen vendimtare të Hitlerit dhe Musolinit. Kjo ndihmë, përcaktoi edhe rrjedhën e Luftës Civile Spanjolle në favor të nacionalistëve.

Pas 3 vitesh luftë, me shkatërrime të tmerrshme dhe ekzekutime masive nga të dyja palët, forcat e Frankos dolën fitimtare. Me pushimin e luftimeve, ai filloi menjëherë një shtypje sistematike të mbetjeve të opozitës përmes gjyqeve ushtarake, burgimeve dhe ekzekutimeve në masë, duke e forcuar kontrollin e tij absolut.

Spanja e Frankos ishte një shtet i mbyllur dhe i përqendruar. Ai e bëri Katolicizmin fe të vetme zyrtare, ndaloi publikisht përdorimin e gjuhëve rajonale si katalanase dhe baske, dhe çdo lloj sindikate të pavarur. Një rrjet i gjerë policie sekrete mbikëqyrte shoqërinë për të shtypur çdo çfarëdolloj kundërshtie ndaj regjimit.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Franko ruajti një neutralitet formal, por në praktikë ishte i prirur ndaj fuqive të Boshtit. Kjo e futi Spanjën në një izolim ndërkombëtar në vitet pas luftës, deri sa konteksti i Luftës së Ftohtë e bëri atë një aleat të dobishëm për Perëndimin kundër komunizmit, duke çuar në arritjen e një marrëveshje ushtarake me SHBA-në.

Në dekadat e fundit të regjimit, ndërsa Franko po plakej, disa nga masat më të rrepta nisën të anuloheshin. Kontrolli ndaj medias u lehtësua pak, dhe ekonomia filloi të hapej ndaj turizmit dhe disa reformave të tregut. Megjithatë, thelbi autoritar i regjimit mbeti i pandryshuar deri në fund.

Franko vdiq në nëntor të 1975. Ai caktoi mbretin Huan Karlos si pasardhës të tij, por kjo nuk e ruajti diktaturën. Mbreti i ri drejtoi një tranzicion të paqëndrueshëm por të suksesshëm drejt demokracisë, duke i dhënë fund një epoke të errët në historinë e Spanjës.

Ngjarje të tjera të rëndësishme

4 Dhjetor 1642 - Vdes në Paris Kardinali Rishëlje, ministri i plotfuqishëm i mbretit francez Ludoviku XIII. Ai ndihmoi në forcimin e pushtetin mbretëror dhe themeloi Akademinë Franceze.

4 Dhjetor 1918 - Presidenti amerikan, Udrou Uillson, udhëton për në Evropë për të marrë pjesë në bisedimet e paqes në Versajë, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Ai ishte presidenti i parë i SHBA-së, që vizitonte kontinentin e vjetër gjatë kohës që ishte në detyrë.

4 Dhjetor 1942 - Gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjermanët nisin operacionin “Stuhia e Dimrit”, një ofensivë e madhe për të çliruar një pjesë të ushtrisë tashmë të rrethuar nga sovjetikët në Stalingrad.

4 Dhjetor 1943 - Në Jugosllavi, udhëheqësi komunist Josip Broz Tito shpall nga ilegaliteti një shtet të përkohshëm demokratik.

4 Dhjetor 1945 - Me 65 vota pro dhe 7 kundër, Senati Amerikan miraton anëtarësimin e Shteteve të Bashkuara në OKB.

4 Dhjetor 1975- Vdes filozofja e shquar gjermano-amerikane, Hana Arend. Ajo shkroi 18 libra dhe artikuj të shumtë, mbi tema që variojnë nga totalitarizmi tek epistemologjia, dhe që patën një ndikim të qëndrueshëm në filozofinë politike bashkëkohore.

E lindur në Kënisberg të Gjermanisë në një familje hebreje, ajo u largua nga vendi në vitin 1933 kur në pushtet u ngjitën nazistët, dhe jetoi tranzit në Çekosllovaki, Zvicër dhe Francë, përpara se të vendosej përfundimisht në Shtetet e Bashkuara në vitin 1941. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Arend punoi për “Youth Aliyah”, një organizatë sioniste, e cila shpëtoi mijëra fëmijë nga Holokausti, duke i dërguar ata në Palestinë.

4 Dhjetor 1977- Një avioni civil malajzian, rrëmbehet dhe rrëzohet në Tanjong Kupang, duke vrarë të 100 personat që gjendeshin në bord.

4 Dhjetor 1991 - Kompania e famshme “Pan American World AirWays” shpall falimentimin dhe pushon së funksionuari pas 64 vitesh./Përgatiti Pamfleti

francisco franco 4 dhjetor hana arend

Lini një Përgjigje