TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Nëntor 2024, 23:30

Trump rikthehet në krye të SHBA-së në një botë në kaos, a do t'ia dalë të vendosë rregull?

Shkruar nga Pierre Haski

Trump rikthehet në krye të SHBA-së në një botë

Bashkimi Evropian do të jetë humbësi më i madh i zgjedhjeve presidenciale në SHBA...

Paris - Është e vështirë të mos biesh në përsëritje, dhe të mos arrish në përfundimin se fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të së martës, është gjithashtu një fitore edhe për autokratët e të gjitha llojeve. Ish-presidenti dhe tanimë kreu i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, është sigurisht një figurë e paparashikueshme.

Por rizgjedhja e tij për një mandat të dytë, e ndryshon lojën pikërisht në një periudhë tensionesh dhe konfliktesh, të cilat bota nuk i kishte parë prej një kohë të gjatë. Rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, shënon simbolikisht fundin e një epoke.

Madje ndonëse mund të duket e tepruar, edhe fundin e një bote që tashmë po “fut ujë” nga të gjitha anët: botën e multilateralizmit e lindur në vitin 1945, menjëherë pas fundit të Luftës së Dytë Botërore. Një botë, ku superfuqia amerikane ishte edhe kujdestarja edhe mbrojtëse e globit, në të mirë dhe në të keq.

Për evropianët, kjo fitore na risjell në kujtesë një imazh të paharrueshëm, atë të samitit të famshëm të G7-ës vitin 2018 në Kebek të Kanadasë, ku Trump u fotografua ulur në vendin e tij me krahët e kryqëzuara, dhe me një vështrim sfidues ndaj të pranishmëve.

Përballë tij qëndronte kancelarja e atëhershme gjermane Angela Merkel, me kokën e përkulur drejt tij dhe duart e mbështetura në tryezë, e rrethuar nga udhëheqës të tjerë perëndimorë. Ai moment përballje, një moment ikonik i kapur nga një fotograf, është në fakt makthi që ndjek mbështetësit e demokracisë liberale, teksa Trumpi po bën një rikthim spektakolar në skenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare.

Një Trump i ndryshuar?

A është i njëjti Donald Trump? Fushata zgjedhore e fundit, e karakterizuar nga agresioni verbal dhe teprimet, tregoi se Donald Trump është ende… Donald Trump. Personaliteti i tij nuk ka ndryshuar aspak. Ajo që ka ndryshuar që nga viti 2016, viti i zgjedhjes së tij të parë si president, është gjendja e botës.

Sot po përjetojmë dy luftëra të mëdha: pushtimin rus të Ukrainës, dhe konfliktin në Lindjen e Mesme. Këtyre zhvillime i shtohet rivaliteti i madh SHBA-Kinë, që vetëm sa është përshkallëzuar që kur Donald Trump e nxiti vetë atë.

Në këtë kontekst, paparashikueshmëria e presidentit të ardhshëm të SHBA-së, është çdo lloj gjëje tjetër veçse jo qetësuese. Për të kuptuar se çfarë na pret, mjafton të shohim se cilët janë bashkëbiseduesit e tij të preferuar. Brenda Bashkimit Evropian, është kryeministri hungarez Viktor Orbán, udhëheqësi i euroskeptikëve dhe kreu i klubit të fansave të Vladimir Putinit në kontinentin tonë.

Trump e ka përmendur atë si një shembull të mirë në mitingjet e tij, duke e rreshtuar në listën e mendimtarëve të ekstremit të djathtë që ka diktuar axhendën e kandidatit republikan.

Vlerësimi i pasojave

Kështu, Bashkimi Evropian do të jetë humbësi më i madh i zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Ose të paktën BE-ja siç e njohim ne. Mënyra se si Trump do të trajtojë luftën në Ukrainë, të cilën ai ka premtuar - le të mos e harrojmë - se do t’i “japë fund brenda 24 orësh”, do të formësojë edhe atë që do të vijojë më tej.

Në rast se ai do të ndërpresë mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, apo do t’i bëjë presion presidentit Volodymyr Zelensky për të negociuar nga një pozicion i dobët me Moskën për një marrëveshje për paqe, në këmbim të lëshimeve të dhimbshme territoriale, ndikimin do ta ndjejë e gjithë Evropa, e cila do të dobësohet.

Rikthimi i Donald Trump në krye të Amerikës, nuk do t’i qetësojë ujërat as në Lindjen e Mesme. Tani është në lojë garancia amerikane e sigurisë brenda NATO-s, sepse vendi do të ketë në krye një njeri që më parë e ka kërcënuar aleancën veri-atlantike.

Për më tepër, luftërat tregtare që do të nxisë do ta tronditin fort Evropën. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, që e mbështeti hapur fitoren e kandidatit republikan, shpreson që ky i fundit t'i japë dorë të lirë në fushatën e tij të gjerë ushtarake në Gaza, Liban dhe veçanërisht kundër Iranit. Prandaj, ne jemi ende larg përfundimit të vlerësimit të pasojave globale të rikthimit të Trump në krye të SHBA-së. /Përshtati “Pamfleti” nga  “Worldcrunch”

Lini një Përgjigje