
Këtu mund të funksionojë një dozë lajkash ndaj Donald Trump. Kështu, mund të tentohet që të riemërtohet ndonjë autostradë me emrin “Avenio Donald Trump”, diçka që e bëri Gjeorgjia dikur për presidentin George W.Bush.
Evropa është e madhe dhe e pasur. Rusia ka një ekonomi sa ajo e Italisë. Shtetet e Bashkuara janë një superfuqi, por ato kanë nevojë për aleatë. Dhe ne evropianët mund të jemi aleatët e saj. Për këtë arsye, udhëheqësit në Paris, Bruksel, Berlin dhe Londër, duhet të mbajnë parasysh këto 4 fakte, teksa do të përpiqen të menaxhojnë marrëdhëniet transatlantike dhe sigurinë e tyre gjatë 4 viteve të ardhshme.
Së pari, duhet të rriten buxhetet e mbrojtjes së vendeve evropiane. Në rastin më të mirë, Donald Trump do të shfaqet i impresionuar nga rritja e kontributeve të vendeve evropiane në NATO, dhe do të pranojë që të vazhdojë mbështetjen madhore të ushtrisë amerikane.
Në rastin më të keq, ai do të vendosë se kostoja dhe rreziku i mbrojtjes së Evropës, është ende e paqëndrueshme. Një sjellje e tillë, nuk do të thoshte automatikisht shpërbërjen zyrtare të NATO-s. Por pa vullnetin e komandantit të përgjithshëm për të hyrë në luftë në emër të aleatëve evropianë, nuk ka asnjë peshë klauzola e Nenit 5 mbi mbrojtjen kolektive që përmend Karta e Atlantikut.
Në këtë rast, Evropa do të duhet të shpenzojë edhe më shumë për mbrojtjen. Jo 2 për qind të PBB-së që është standardi zyrtar, apo 3-4 për qind që shpenzohen aktualisht nga shtetet në kufi me Rusinë, sikurse është rasti i Polonisë, por 5 për qind apo më shumë.
Një nivel, i cili ishte i zakonshëm gjatë epokës së Luftës së Ftohtë. Kjo sasi shpenzimesh, do të duhet të plotësojë boshllëqet e mëdha në logjistikë, mbikëqyrje, armatime të teknologjisë së lartë dhe aftësi të tjera të ofruara për dekada nga amerikanët. Sidoqoftë, koha për ta filluar forcimin mbrojtjes është pikërisht tani.
Përdorimi i kursimeve nga sektorët e tjerë për të përballuar rritjen e ndjeshme të shpenzimeve ushtarake, do të jetë sigurisht diçka e dhimbshme. Rritja ekonomike, i bën më të mëdha buxhetet kombëtare. Prandaj, tani do të ishte koha e duhur që udhëheqësit evropianë të marrin seriozisht raportin e Mario Draghit mbi konkurrencën evropiane.
Do të ishte gjithashtu një periudhë e mirë që qeveria e kryeministrit britanik Sir Keir Starmer të fshijë “vijën e kuqe” që pengon nisjen e çdo lloj diskutimi mbi një rikthim të mundshëm të Britanisë së Madhe në tregun e përbashkët dhe bashkimin doganor evropian.
Në të gjitha këto fusha, prioriteti kryesor duhet të jetë mbështetja financiare dhe ushtarake për Ukrainën. E inkurajuar nga fitorja e dyshes Trump-Vance, Rusia ka të ngjarë që të ushtrojë presion për kapitullimin e plotë të Kievit. Ky skenar do të ishte katastrofik për sigurinë e Evropës.
Sepse do të dërgojë miliona refugjatë të tjerë drejt Perëndimit, dhe do t’i jepte një shtysë të madhe makinerisë luftarake të Kremlinit. Nga ana tjetër, Evropa do të ketë nevojë për alternativa të tjera ndaj NATO-s, ku boshti Trump-Orban ka të ngjarë që ta paralizojë vendimmarrjen. Marrëveshjet “minilaterale” të sigurisë, siç është Forca e Përbashkët e Ekspeditës, një grupim prej 10 vendesh nordiko-baltike, plus Holanda, e udhëhequr nominalisht nga Britania, do të fitojnë më shumë peshë në kushtet e reja që do të diktojë rezultati i zgjedhjeve të 5 nëntorit në SHBA.
Franca dhe Gjermania, mbeten ende motori i vendimmarrjes evropiane (edhe pse aktualisht ai ka ngecur). Parisi dhe Berlini duhet të përfshijnë edhe Varshavën, Romën dhe Londrën në këtë klub. (Dhe kjo do të thotë më shumë prioritete për qeverinë Starmer).
Disa vende do të përpiqen që të ruajnë lidhjet e tyre dypalëshe të sigurisë me Shtetet e Bashkuara. Këtu mund të funksionojë një dozë lajkash ndaj Donald Trump. Kështu, mund të tentohet që të riemërtohet ndonjë autostradë me emrin “Avenio Donald Trump”, diçka që e bëri Gjeorgjia dikur për presidentin George W.Bush.
Po ashtu, mund të ofroni parada për ndër të tij, por duhet të shmangni tundimin për të bërë pazare tregtare dypalëshe. Mundësia më e mirë për ta ndalur proteksionizmin shkatërrues, është që një Bashkim Evropian i bashkuar të luajë ballazi dhe fort.
Po ashtu, evropianët duhet të fillojnë që t’i marrin më seriozisht shqetësimet gjeopolitike të Amerikës. Në vend se të mbajmë marrëdhënie të buta me regjimet në Teheran dhe Pekin, duhet të analizojmë se çfarë mund të bëjmë për t’i kufizuar ato.
Qëndrimet e evropianëve ndaj Partisë Komuniste Kineze në veçanti, kanë qenë burracake dhe lakmitare. Kjo qasje duhet të ndryshojë. Rritja e qëndrueshmërisë së zinxhirit të furnizimit me “zhdukjen e rrezikut” dhe “mbrojtjen e miqve”, është një detyrë emergjente, dhe ku do të jetë jetike pesha ekonomike e Evropës.
Madje kjo kthesë është e vonuar. Asnjëra prej hapave të lartpërmendur nuk do të jetë e lehtë. Por vendimet që duhet të merren i takojnë Evropës. Pengesa e vetme është ndrojtja dhe shpërqendrimi ynë.
Ne nuk kemi tanket ruse që patrullojnë në rrugët e qyteteve tona, apo anijet luftarake kineze që bllokojnë rrugët tona detare, që të detyrohemi të bëjmë lëshime. Dhe nuk po na mbarojnë ushtarët, dhe as nuk po shohim shkatërrimin e qyteteve tona, siç po ndodh në Ukrainë./Përshtati "Pamfleti" nga “Center for European Policy Analysis”
*Shënim:Edward Lucas, anëtar dhe këshilltar i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA).
Lini një Përgjigje