Nga i sanksionuar në bashkëpunëtor, si u bë Cabello çelësi i stabilitetit për SHBA-në në Venezuelë
Sipas një raporti ekskluziv të agjencisë Reuters, zyrtarë të lartë të administratës Trump kishin mbajtur kontakte të rregullta me ministrin e Brendshëm të Venezuelës, Diosdado Cabello, shumë kohë para dhe pas ndërhyrjes amerikane që çoi në rrëzimin dhe arrestimin e Nicolás Maduro-s më 3 janar.
Burime nga brenda administratës amerikane konfirmuan se komunikimi me Cabello-n vijoi edhe pas largimit të Maduro-s, në një përpjekje për të garantuar që strukturat e sigurisë të mos përdoreshin kundër opozitës ose për të destabilizuar kalimin e pushtetit.
Cabello, një ish-ushtarak dhe figurë kyçe e regjimit chavist, është prej vitesh i akuzuar nga SHBA për trafik ndërkombëtar droge, në të njëjtën dosje me Maduro-n, por ai nuk u përfshi në arrestimet e janarit, një detaj që tani duket se nuk ishte rastësi.
Zyrtarët amerikanë e kanë paralajmëruar Cabello-n të mos përdorë ushtrinë, shërbimet sekrete apo grupet paraushtarake në shërbim të destabilizimit. Në fakt, sistemi i sigurisë i Venezuelës, përfshirë inteligjencën, policinë dhe forcat e armatosura, ka mbetur në masë të madhe funksional dhe nën kontroll pas largimit të Maduro-s.
Një lojë e dyfishtë: armiq në publik, partnerë në prapaskenë?
Pavarësisht se është në listën e sanksioneve amerikane, Cabello është parë si një faktor kyç për ruajtjen e rendit pas-Maduro. Sipas burimeve, ai mbajti komunikim me Uashingtonin si në mënyrë të drejtpërdrejtë, ashtu edhe përmes ndërmjetësve.
Nuk është e qartë nëse diskutimet përfshinin plane për një marrëveshje politike afatgjatë apo për rolin e tij në të ardhmen e vendit. Deri më tani, Cabello është shprehur publikisht në mbështetje të Delsy Rodríguez, e cila ka marrë drejtimin e përkohshëm të qeverisë dhe është përkrahur nga Trump si figura e stabilitetit në këtë fazë tranzicioni.
Megjithatë, raportet mes Cabello-s dhe Rodríguez nuk janë aspak të ngushta. Të dy kanë qenë pjesë e elitës së pushtetit, por nuk janë aleatë të afërt politikë. Zyrtarë amerikanë kanë pranuar privatisht se historia e Cabello-s si arkitekt i represionit, dhe ndikimi i tij në shërbimet sekrete, mund të kthehet në një kërcënim të papritur për tranzicionin e planifikuar.
Pse SHBA “i beson” një armiku të vjetër?
Cabello është konsideruar për vite me radhë si njeriu më i fuqishëm në Venezuelë pas Chávez dhe Maduro, një figurë e fortë, me kontroll të drejtpërdrejtë mbi aparatin e sigurisë dhe grupet paraushtarake që kanë shtypur opozitën. Ai është gjithashtu një nga njerëzit më të urryer nga opozita venezuelase.
Në këtë kontekst, fakti që Uashingtoni ka negociuar me të – qoftë për stabilitetin afatshkurtër – tregon se reali politik ka dominuar mbi deklaratat publike.
Për momentin, nuk ka ende komente zyrtare nga Shtëpia e Bardhë apo nga qeveria e përkohshme e Venezuelës. Por fakti që Cabello nuk u prek nga arrestimet, dhe që ndikimi i tij në strukturat e sigurisë mbetet i pandryshuar, lë të kuptohet se ai është pjesë e ekuacionit amerikan për të garantuar “stabilitetin e kontrolluar”. /Pamfleti
Lini një Përgjigje