Gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ashpërsuar tonet ndaj NATO-s, duke deklaruar se lufta me Iranin ka lënë një “shenjë që nuk do të zhduket kurrë” në marrëdhëniet me aleancën.
“Jam shumë i zhgënjyer nga NATO,” u shpreh Trump para gazetarëve, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë qëndrim me mungesën e mbështetjes nga aleatët europianë gjatë konfliktit.
Ai shtoi se përfaqësues të NATO-s pritet ta takojnë të mërkurën, duke nënvizuar se, sipas tij, aleanca po ndryshon qëndrim vetëm pasi zhvillimet në terren kanë anuar në favor të SHBA-së.
“Tani, papritur, duan të ndihmojnë,” deklaroi presidenti amerikan, duke sugjeruar se vendet anëtare kishin zgjedhur të qëndronin në distancë derisa të ishte e qartë rezultati i luftës. Ai tha se nuk ka nevojë tani që po fiton. "NATO është një tigër prej letre. Rute është një numër i mrekullueshëm por nuk patëm ndihmë", tha Trump.
Më tej sulmoi aleatët në Azi: "Nuk na dhanë asnjë ndihmë as Koreja, as Japonia, as Australia. Ne kemi trupat në Kore dhe Japoni për ti brojtur nga Kim Jong Un, me të cilin unë shkoj mirë".
Këto deklarata përforcojnë përplasjen e hapur mes Uashingtonit dhe aleatëve të tij tradicionalë, të cilët në pjesën më të madhe kanë refuzuar të përfshihen drejtpërdrejt në operacionet kundër Iranit, duke e konsideruar konfliktin jashtë kornizës së NATO-s.
Qëndrimi i Trump ndaj aleancës është bërë gjithnjë e më kritik gjatë javëve të fundit, duke përfshirë edhe paralajmërime për rishikim të rolit të SHBA-së në NATO, në një moment që analistët e konsiderojnë si një nga krizat më të thella në historinë e saj.
Lini një Përgjigje