TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Dhjetor 2025, 11:07

Trump nis betejën për Naftën në Venezuelë; Maduro akuzon për ‘pirateri ndërkombëtare’

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net
Trump nis betejën për Naftën në Venezuelë; Maduro
Trump dhe Maduro

Operacioni amerikan kap 1.8 milion fuçi naftë në det të hapur; SHBA rikthen presionin ushtarak ndaj regjimit të Caracas-it...

Sekuestro një super-tankeri me 1.8 milion fuçi naftë nga forcat amerikane pranë brigjeve të Venezuelës, përbën një kthesë të paprecedentë në qasjen e Shteteve të Bashkuara ndaj regjimit të Nicolás Maduro-s.

Nën administratën e Donald Trump-it, Uashingtoni po sinjalizon jo vetëm rikthimin e presionit të ashpër ndaj Caracas-it, por edhe gatishmërinë për të përdorur mjete ushtarake në funksion të objektivave të politikës së jashtme dhe energjetike.

Ky akt, që zyrtarisht argumentohet si zbatim i sanksioneve ndaj trafikimit të paligjshëm të naftës, në fakt përbën një mesazh të qartë dhe të shumëfishtë.

Në radhë të parë, ai godet direkt burimin kryesor të të ardhurave të regjimit të Maduro-s, duke prekur një nyje kyçe të interesave strategjike të Venezuelës; eksportin e naftës drejt vendeve aleate si Kuba dhe ndoshta, nën sipërfaqe, edhe Irani apo Rusia.

Së dyti, sekuestrimi përbën një demonstrim force ndaj aktorëve të tjerë rajonalë e globalë që vijojnë të sfidojnë sanksionet perëndimore, një paralajmërim jo vetëm për Caracas-in, por edhe për Pekinin, Teheranin e madje edhe Moskën.

Nga pikëpamja diplomatike, kjo lëvizje e re shënon fundin e çdo iluzioni për një normalizim apo lehtësim të tensioneve SHBA- Venezuelë. Në vend të një qasjeje negociuese, Shtëpia e Bardhë e Trump-it po imponon një realitet të ri, ku vendosja e kontrollit mbi burimet energjetike të kundërshtarëve shndërrohet në një armë gjeopolitike. Kjo qasje përputhet me strategjinë e njohur të “presionit maksimal” që Trump aplikoi edhe ndaj Iranit gjatë mandatit të tij të parë.

Reagimi i Maduro-s, që e ka cilësuar operacionin si “akt piraterie ndërkombëtare”, ka më shumë vlerë për konsum të brendshëm sesa si element pengues. Në realitet, regjimi i tij është gjithnjë e më i izoluar, me një ekonomi të shkatërruar dhe me një aparat shtetëror të kapur nga interesa të lidhura me trafikun e drogës dhe korrupsionin. Në këtë kuadër, sekuestrimi i tankerit është jo vetëm një goditje ekonomike, por edhe një destabilizim psikologjik për elitën në pushtet në Caracas.

Ndërkohë, kjo lëvizje ka potencialin të përshkallëzojë tensionet në Karaibe dhe më gjerë. Çdo kundërpërgjigje nga ana e Venezuelës; qofshin kërcënime ushtarake, bllokime të rrugëve detare apo orientim më i thellë drejt Rusisë e Kinës, do të shërbente si justifikim për një prani më të madhe ushtarake amerikane në rajon. Kjo prani tashmë është rritur nën petkun e luftës kundër karteleve të drogës, por me sekuestrimin e sotëm, është e qartë se objektivat janë edhe më të gjerë dhe më të drejtpërdrejtë politikë.

Në planin global, ky incident ngre pyetje të mëdha për të ardhmen e rendit ndërkombëtar; nëse fuqitë e mëdha mund të ndërhyjnë me forcë në det të hapur për të zbatuar politikat e tyre sanksionuese. Nëse ky precedent zgjerohet, bota do të përballet me një valë të re ndërhyrjesh të njëanshme, ku fuqia ushtarake shërben si zëvendësim për diplomacinë dhe ligjin ndërkombëtar.

Dhe me këtë lëvizje, Trump po vendos një vijë të kuqe: kush sfidon interesat energjetike dhe strategjike të SHBA-së, do të përballet me forcë./Pamfleti

 

 

trump venezuela maduro pirateri ndërkombëtare

1 Komente

  1. v
    vk

    U.S shtet cifuto-gangster! Mjer popujt!

    Lini një Përgjigje