
Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar tonet ndaj demokratëve, duke i akuzuar për rrezikim të sigurisë së vendit dhe duke sulmuar drejtpërdrejt udhëheqësin e pakicës në Senat, Chuck Schumer.
Në një tryezë diskutimi ku morën pjesë edhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, Trump deklaroi se “demokratët po e vënë vendin tonë në rrezik të madh në këtë periudhë”, ndërsa shtoi se ajo që ata e cilësojnë si “luftë”, sipas tij duhet parë si “operacion ushtarak”.
Gjatë një vizite në Memphis, Tennessee, presidenti amerikan u ndal te figura e Schumer, ndaj të cilit përdori një gjuhë të ashpër.
“Schumer është zhdukur. Dua të them, ai është palestinez. Ai duhet të luftojë në anën e Palestinës”, u shpreh Trump.
Trump vijoi me kritikat, duke theksuar një ndryshim të qëndrimeve të senatorit demokrat.
“Ai në fakt është bërë një udhëheqës palestinez… Dikur ishte pro Izraelit, tani është pro Palestinës. Nuk kam parë kurrë një njeri të ndryshojë kaq shumë”, tha ai.
Deklaratat e fundit të Trump pritet të shtojnë tensionet politike në SHBA, veçanërisht në kontekstin e debatit të vazhdueshëm për politikën e jashtme dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Lini një Përgjigje