Donald Trump duke folur nga Zyra Ovale, tha se SHBA-të janë informuar se ekzekutimet në Iran janë ndalur dhe se nuk ka plane për ekzekutime.
"Sapo mora këtë informacion", tha presidenti amerikan. Ai shtoi se shumë njerëz kanë folur gjatë dy ditëve të fundit se sot do të jetë dita e ekzekutimit.
Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga New York Times, Pentagoni i ka paraqitur Presidentit Donald Trump disa opsione për objektiva të mundshme në Iran, përfshirë programin e tij bërthamor.
Erfan Soltani nuk u ekzekutua sot. Të afërmit e 26-vjeçarit Erfan Soltani, i cili u arrestua javën e kaluar, thanë se pavarësisht shtyrjes, ekzekutimi mund të ndodhë në çdo kohë.
26-vjeçari thuhet se u arrestua të enjten e kaluar. Grupi norvegjez i të drejtave të njeriut Hengaw tha se ai po mbahej në burgun Kezel Hesar dhe se "mundësia e ekzekutimit të tij brenda orëve të ardhshme është shumë e lartë".
Departamenti Amerikan i Shtetit tha se vdekja e Soltanit do të ishte ekzekutimi i parë i një protestuesi që nga protestat, por "jo i fundit".
Më vonë, Donald Trump u zotua të ndërmarrë "masa shumë të forta" nëse regjimi në Teheran vazhdon me ekzekutimin e protestuesve, në një kohë kur një veprim i mundshëm ushtarak i SHBA-së në Iran është i afërt.
"Nëse i varin, do të shihni se çfarë do të ndodhë", tha presidenti amerikan për CBS News të martën në mbrëmje. Ai shtoi se "nëse duan të protestojnë, kjo është një gjë. Kur të fillojnë të vrasin mijëra njerëz, dhe tani po më flisni për varje, do të shohim se si do të rezultojë për ta. Nuk do të rezultojë mirë për ta."
Erfani do të bëhej personi i parë që do të ekzekutohej për pjesëmarrje në protestat, të cilat kanë tronditur Iranin dhe kanë lënë të vdekur qindra qytetarë të pafajshëm.
Zyrtarët iranianë kanë lënë të kuptohet se priten gjyqe dhe ekzekutime të shpejta për të arrestuarit në protestat mbarëkombëtare, ndërsa Republika Islamike ka premtuar një "përgjigje vendimtare" nëse SHBA-të ose Izraeli ndërhyjnë në trazirat e brendshme.
Mohammad Pakpour, komandant i Gardës Revolucionare paraushtarake, përsëriti pretendimet iraniane pa paraqitur prova, sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Tasnim.
Një mjek i tha Radios Evropa e Lirë se forcat e sigurisë sulmuan spitalet dhe filluan të qëllonin protestuesit e plagosur nga afër për t'i "vrarë në fund". "Ata vranë shumë [protestues], arrestuan shumë të tjerë dhe shumë po përpiqen të ikin", tha mjeku, duke shtuar, "Situata është shumë e keqe".
Lini një Përgjigje