TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Prill 2026, 19:54

Trump largon vëmendjen nga Irani, 90 minuta telefonatë me Putin për paqen në Ukrainë

Shkruar nga Pamfleti
Trump largon vëmendjen nga Irani, 90 minuta telefonatë me Putin
Trump-Putin

Trump rikthen fokusin te Ukraina, Putin propozon armëpushim më 9 maj

Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti amerikan Donald Trump zhvilluan një bisedë telefonike rreth 90-minutëshe, në një moment kur vëmendja ndërkombëtare mbetet e ndarë mes luftës në Ukrainë dhe tensioneve me Iranin. Sipas agjencisë ruse Tass, Kremlini njoftoi se Putin ka shprehur gatishmërinë për të shpallur një armëpushim të përkohshëm me rastin e 9 majit, Ditës së Fitores.

Telefonata vjen në një kontekst ku administrata amerikane po përballet me vështirësi në avancimin e një marrëveshjeje me Iranin, çka, sipas vëzhguesve, mund të ketë shtyrë Trump të rrisë fokusin diplomatik mbi Ukrainën.

Gjatë bisedës, Putin theksoi se “objektivat e operacionit ushtarak special do të arrihen në çdo rast”, duke shtuar se Moska preferon një zgjidhje përmes negociatave. Ai i paraqiti gjithashtu homologut amerikan situatën në terren, duke pohuar se forcat ruse “po e vënë në presion kundërshtarin”.

Nga ana e tij, Donald Trump ka shprehur optimizëm për një përfundim të afërt të konfliktit. “Mendoj se një marrëveshje që do t’i japë fund luftës në Ukrainë është shumë afër”, citohet të ketë thënë ai nga këshilltari presidencial rus Yuri Ushakov.

Në të njëjtën bisedë, Putin ka akuzuar Ukrainën për sulme ndaj objektivave civile. “Kievi po përdor metoda hapur terroriste duke goditur objektiva krejtësisht civile në territorin rus”, deklaroi ai, sipas Kremlinit.

Presidenti rus ngriti edhe çështjen e shkëmbimit të viktimave, duke theksuar se Rusia ka kthyer mbi 20 mijë trupa të ushtarëve ukrainas, ndërsa ka marrë në këmbim pak më shumë se 500. Në lidhje me zhvillimet në Lindjen e Mesme, Putin vlerësoi vendimin e Trump për të zgjatur armëpushimin lidhur me Iranin, duke e cilësuar atë si një hap që mund të “stabilizojë situatën dhe të japë një mundësi për negociata”.

Sipas Kremlinit, diskutimet përfshinë edhe çështje më të gjera të sigurisë ndërkombëtare, duke reflektuar një përpjekje për të menaxhuar disa kriza njëkohësisht. Në këtë kuadër, sinjalet për përparim në Ukrainë mund të shihen si pjesë e një strategjie më të gjerë diplomatike të Uashingtonit për të ripërcaktuar prioritetet në skenën globale.

Megjithatë, informacioni mbi përmbajtjen e plotë të bisedës mbetet i kufizuar në burimet ruse, ndërsa nuk ka ende një reagim të detajuar nga Shtëpia e Bardhë.

Lini një Përgjigje